Trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi, në një konferencë për shtyp para ndeshjes miqësore kundër Luksemburgut ditën e nesërme i është përgjigjur mjaft çështjeve që kohet e fundit janë shndërruar në problematika në përfaqësuesen kuqezi.
Temat më të nxehta kanë qenë përplasjet me futbollistët Ergys Kaçe dhe Taulant Xhaka.
Situata e lojtarëve para miqësores me Luksemburgun
“Kjo ndeshje për ne është një test i rëndësishëm, luajmë ndaj një skuadre që nuk duhet ta nënvlerësojmë sepse do të ishte një gabim. Ata që do të zbresin në fushë do të kenë një mundësi të mirë të tregojnë se mund të luajnë edhe në ndeshjen me Izraelin. Për mua do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, por është test dhe nuk do të thotë që është formacioni i njëjtë si ndaj Izraelit. Kemi 8 ditë për atë sfidë. Na ka lënë një shijë të keqe ajo e nëntorit të kaluar kur humbëm në shtëpinë tonë.”
Ndryshimet nga nëntori deri tani dhe shanset ndaj Izraelit
“Ka kaluar kohë dhe sigurisht që ka ndryshime. Ndaj Izraelit ndikoi gjyqtari dhe pak ne që nuk ishim me mendjen te një objektiv i rëndësishëm duke ia lehtësuar punën kundërshtarit. Izraeli është ekip i fortë dhe në futboll në këto nivele nuk mund të përballosh askënd duke luajtur me më pak impenjim. Duhet të jesh gjithashtu në maksimum fizikisht. Më vjen keq që mungon një lojtar për dëmtim si Balaj, tek i cili kisha shpresa të mëdha. Por të tjerët janë në dispozicion dhe janë në gjendje të mirë.”
“Kaçe ka kuptuar se ka gabuar në sjelljen e tij me mua, me shokët, me federatën, mendoj se ka bërë një rritje të madhe nga pikëpamja mendore. Ka kuptuar se duhet të tregohet inteligjent siç unë mendoj se është, ka kuptuar se në jetë edhe mund të gabohet dhe mendoj se nga ky gabim mund të nxjerrë vetëm mësime të mëdha dhe mund të ketë një shans më shumë.”
Ndryshimi i rastit të Kaçes me atë të Xhakës
“Kaçe më ka dërguar mesazh, më tha që ka kuptuar se ka gabuar, se është gati të kthehet në grup e japë kontributin e tij. Xhaka nuk ka bërë asnjë pranim, mendoj se është nga ana e fajit, se të largohesh nga grumbullimi dhe të lësh shokët është një nga gjërat që do të ishte më mirë të evitohen. Mbetet në pozicionin e tij, është shmangur vetë. U largua dhe do të mbetet larg derisa të mos bëjë hapa të ndryshëm.”
Për zërat e largimit
“Nuk e di, të flasim për ndeshjen me Luksemburgun dhe për Izraelin, faleminderit. Flasim për ndeshjen.”
Pse mungojnë rezultatet në krahasim me një vit më parë?
“Nuk kënaqemi me lojën e mirë pa rezultate, nuk kënaqem vetëm me të. Unë jetoj me rezultatet dhe jam i lumtur nëse i arrij. Ajo që mungon është sjellja dhe dëshira për të qenë protagonistë. Duhet të përqëndrohesh gjithmonë mbi një objektiv të ri me të njëjtën uri dhe vendosmëri. Mendoj se është problem mungesa e eksperiencës që të qëndrosh në këto nivele, duke mbajtur tensionin lart. Njeriu, kur arrin në maksimum, vështirë se qëndron për shumë kohë aty.”
A bëri mirë që rinovoi?
“Kur arrin në fund të jetës, thua sa gjëra ndryshe mund të bëja në jetë, por ndërkohë e ke jetuar jetën, i ke bërë gjërat. Bëre gjërat e duhura, gabime, ece përpara. Të thuash që tani gjërat janë keq, janë të aftë të gjithë. Por duhet t’i bësh pyetjen vetes nëse kishe alternativat, nëse kampionatet e forta të ofrojnë lojtarë të rëndësishëm që luajnë vazhdimisht si Hysaj te Napoli. Atëherë bën eksperiencën që duhet. Por nëse ke lojtarët që luajnë me vështirësi, nuk gjejnë hapësira, sigurisht që nuk rritesh. Jemi vend i vogël por njerëzit flasin…”
A u penduat për zgjedhjen?
“Nuk jam penduar, asnjëherë. Janë gjëra që i bëra se isha i bindur se skuadra kishte hapësira përmirësimi.”
Për finalen e Champions-it
“Janë të dy ekipe të forta se nëse arritën në finale, do të thotë që kanë vlera. Janë ekipe të ndryshme nga cilësia dhe potenciali ekonomik. Mendoj se Juventusi është më i fortë në mbrojtje, më i aftë në pikëpamjen taktike.
Reali ka më shumë lojtarë që mund ta zgjidhin individualisht ndeshjen në repartin e avancuar, por edhe mbrapa se është edhe Ramos që mund të të bëjë gol me kokë në goditje standarde. Reali është shumë i fortë, ka mesfushë me shumë cilësi, por Juventusi është skuadër e organizuar.
Në një ndeshje të vetme ka shumë elemente që nuk të lejojnë një parashikim të saktë. Mendoj se Juventusi dhe Reali kanë 50% shanse secili. Si italian shpresoj të fitojë Juventusi dhe uroj që ta arrijë se duke arritur deri këtu ka treguar se është skuadra që ka pësuar më pak gola dhe ka nderuar në mënyrën më të mirë Ligën e Kampioneve.”
