Trajneri del kundër skepticizmit që ekziston rreth kapitenit kuqezi në Itali
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka marrë mjaft vlerësime pozitive për lojën kundër Parmës, ku u aktivizua në pjesën e dytë. Megjithatë, rreth tij ka pasur mjaft pikëpyetje dhe jo të gjithë janë bindur përfundimisht se aventura italiane e kosovarit do të ketë fund të suksesshëm. Ai është lojtari i dytë më i paguar te Lacio, me 1.7 milion euro në vit, megjithatë është lojtar stoli dhe aktivizimin e ka të paktë. Në mbrojtje të Canës përballë kritikave nga specialistë të ndryshëm italianë ka dalë trajneri i kombëtares kuqezi, Xhani De Biazi, njëkohësisht i angazhuar si analist në median e vendit fqinjë. De Biazi ka vënë në dukje para së gjithash se Cana është një lojtar polivalent, i aftë të luajë në më tepër se në një pozicion, gjë që e ka demonstruar me kombëtaren dhe klubin.
“Loriku është lojtar shumë i zhdërvjellët dhe mendoj se mund të luajë në mbrojtje, gjë që po bën prej vitesh me kombëtaren shqiptare”, thotë De Biazi, i intervistuar nga Radio Sei. “Gjatë ndeshjes së fundit, kundër Kamerunit në Zvicër), ai luajti në pjesën e parë si mbrojtës, ndërkohë që në të dytën u zhvendos përpara repartit, duke luajtur në pozicionin që te Lacio e zë Ledesma”.
Pavarësisht repartit ku luan, Cana mbetet një lider i kombëtares dhe trajneri De Biazi ka nënvizuar personalitetin e fortë të kapitenit të tij. Ai është i aftë që të transmetojë siguri te shokët e skuadrës, cilësi që ka mjaft rëndësi në fushë. “Cana u imponohet si lider dhe i tillë është, pasi e di se kur duhet të flasë dhe është shumë inteligjent. As unë nuk arrij ta shpjegoj plotësisht se përse në Itali ai nuk arrin të imponohet njësoj si me kombëtaren”, shprehet De Biazi.
Trajneri italian përdor disa argumente në mbrojtje të Canës. “Lacio ka një organikë të kolauduar dhe, kur një lojtar nuk ndihet pjesë e projektit nga fillimi i tij, atëherë ndjen më shumë vështirësi. Nëse nuk je protagonist, atëherë të mungon dhe ai motivim dhe përqendrim për të dhënë më shumë nga vetvetja. E përsëris, është normale që të jetë edhe një çështje vlerash në fushë, pasi Lacio ka vlera të jashtëzakonshme, me një identitet tashmë të përcaktuar qartë”, thotë Xhani De Biazi.