Shqipëria nuk do të luajë për barazim në Oslo, ku do të ndeshet me Norvegjinë, në takimin më të rëndësishëm për kuqezinjtë në grupin kualifikues të botërorit. Për këtë garanton Xhani De Biazi, i cili dëshiron të marrë sa më tepër përballë norvegjezëve. Kuqezinjtë dhe nordikët do të vihen dy herë radhazi përballë, çka mund të përcaktojë shumë për renditjen përfundimtare. Natyrshëm që vendasit janë favoritë, si skuadër më e fortë dhe që luan në shtëpinë e saj, por trajneri italian i Shqipërisë thotë se nuk do të firmoste për barazimin. “Ndoshta pas ndeshjes”, tha De Biazi, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të firmoste për një barazim në Oslo. “Me Norvegjinë do të ndeshemi dy herë radhazi. Na presin dy ndeshje kyç, përballë një kundërshtari të fortë, me cilësi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ndryshe rrezikojmë shumë. Personalisht besoj dhe mendoj se në këtë përballje të dyfishtë me norvegjezët gjithçka është e hapur”, komentoi italiani në konferencën e djeshme për shtyp.
Mushkonjat
Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, e ka cilësuar kombëtaren shqiptare si një “mushkonjë e bezdisshme”, por kjo deklaratë nuk e ka bezdisur De Biazin, i cili thotë se do të shpresonte që t’i prishte vërtet gjumin kundërshtarit të tij, më i vjetër në moshë. “Trajneri i Norvegjisë ka më shumë eksperiencë se unë, ndaj duke pasur parasysh edhe moshën, thjesht po them se jam dakord me të. Me të vërtetë besoj dhe shpresoj që të jemi të bezdisshëm si mushkonjat, duke qenë se jemi edhe më të shkurtër se ata. Mushkonjat të japin bezdi, të prishin edhe gjumin. Unë shpresoj të ndodhë kështu për Norvegjinë dhe trajnerin e saj”, tha De Biazi.
Të thirrurit
Takimi me Norvegjinë është më i rëndësishmi ndër dy ndeshjet e Shqipërisë, pasi ajo me Lituaninë është miqësore. Zhvillimi i dy ndeshjeve është arsyeja që trajneri ka thirrur 25 lojtarë, ndër ta edhe Migjen Basha e Valdet Rama. I pari mund të luajë që të premten në Oslo, nëse vjen autorizimi nga FIFA për të përfaqësuar Shqipërinë, pasi më parë ka luajtur me U-21 të Zvicrës. “Nëse vjen leja, ai do të luajë menjëherë”, tha trajneri, i cili shtoi se Rama ende nuk mund të luajë, në pritje të pasaportës shqiptare.
Kabashi
Trajneri i Shqipërisë u pyet edhe në lidhje me refuzimin e bërë javën e kaluar nga Elvis Kabashi, por nuk reagoi me zemërim. De Biazi e cilësoi veprimin e tij dhe të Mërgim Brahimit si të lidhur me moshën ende të re. “Brahimi dhe Kabashi janë futbollistë të rinj, që akoma nuk kishin treguar cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e kombëtares A. Me përfaqësueset e moshave kanë bërë mirë dhe prisnim momentin e duhur për t’i grumbulluar, por nëse dikush kërkon t’i djegë etapat, atëherë digjet vetë. Kabashin e kisha shumë në konsideratë, por ndoshta është këshilluar keq. Unë e kisha në konsideratë, por presioni “ose luaj në kombëtare, ose nuk vij fare”, është shenja e parë që tregon se nuk mund të shkosh gjëkundi”.