Xhani De Biazi nuk jep siguri se mund të vazhdojë të jetë trajner i Shqipërisë pas skadimit të kontratës aktuale, në tetor të këtij viti. Trajneri italian pasoi në stolin kuqezi kroatin Josip Kuzhe, duke nënshkruar për kualifikueset e botërorit Brazil 2014. Në rast se Shqipëria arrin të kualifikohet, është lehtësisht e kuptueshme që De Biazi do të vazhdonte të paktën deri në përfundim të aventurës braziliane, në të kundërt ai do të jetë i hapur për oferta të tjera, sidomos nëse ato vijnë nga klube italiane apo spanjolle. Këtë e ka pohuar vetë trajneri për gazetën “Tuttosport”, i pyetur nëse e ka marrë në konsideratë rikthimin në Itali. “Kam kontratë me federatën shqiptare deri në tetor 2013. Më pas, nëse arrin ndonjë ofertë interesante nga Italia, apo edhe nga Spanja…”, thotë trajneri, i cili kujton kohën kur ka drejtuar Levanten në kampionatin spanjoll: “Te Levante, për shembull, ia kam kaluar shumë mirë”. De Biazi e ka përmendur disa herë në të shkuarën e afërt se ka pasur vazhdimisht interesim nga klube italiane, por ka ndërmend t’i shkojë deri në fund aventurës me Shqipërinë. Ndoshta luan blofin, ndoshta jo, megjithatë janë kambana që duhet të dëgjohen nga “veshët” e FSHF-së dhe më konkretisht të presidentit Armand Duka. Nëse ky i fundit e vlerëson vërtet atë çka ka bërë deri tani De Biazi për kombëtaren dhe dëshiron ta mbajë edhe më pas, atëherë duhet t’ia ofrojë që tani rinovimin. Një gjë e tillë do të ishte pozitive edhe për moralin e skuadrës, ku italiani ka ofruar mjaft të rinj me perspektivë, të cilët do të ndiheshin më të sigurt me projektin e tij. Ndër trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë, De Biazi është më i suksesshmi deri tani, pasi ka shanse reale për të zënë vendin e parë apo të dytë në grup e për të synuar kualifikimin në një turne madhor ndërkombëtar, gjë që nuk është arritur kurrë më parë.