Xhani De Biazi nuk ia lejon vetes të sponsorizojë lojtarë të caktuar për ndonjë klub italian, por u bën thirrje të gjitha skuadrave të Serisë A që të mos e injorojnë kombëtaren shqiptare, përkundrazi. Sipas trajnerit, aty ka mjaft të rinj të talentuar, të cilët do të kishin sukses në kampionatin italian. Për këtë arsye ai ndihet mirë në rolin aktual dhe nuk ia ka aspak zili trajnerit të tanishëm të Torinos, edhe pse ky i fundit të dielën do të jetë ndër protagonistët e derbit me Juventusin.
– Të dielën do të luhet derbi i Torinos. Sa mundësi ka Juventus që të festojë titullin në këtë takim?
– Nuk mund të them se sa për qind mundësi ka Juventusi të festojë të dielën titullin kampion por mund t’ju them se Juve do ta fitojë këtë titull. Nëse do të ndodhë këtë javë apo në javët e ardhshme nuk ka rëndësi. Është skuadra më e fortë e kampionatit dhe ka dy vite që po e tregon.
– Sigurisht Torino është e vështirë për t’u mundur…
– Po, Juventusi nuk do ta ketë aspak të lehtë. Derbi është një ndeshje e veçantë. Nëse do të luanin dhjetë herë, them se shtatë herë fiton Juve e dy herë Torino, një del në barazim. Në një kampionat ka vetëm dy derbi. Të parin e fitoi Juventus, ndërsa të dielën… gjithçka mund të ndodhë.
– Nga 1 deri në 10, sa do t’ju pëlqente që të ishit trajner i Torinos të dielën?
– Do të ishte një emocion i madh, por për momentin ndihem shumë mirë në stolin e përfaqësueses shqiptare.
– Kujtimi më i bukur që lidhet me një derbi?
– Kam qenë trajner dhe jam mundur nga një gol shumë i çuditshëm i Amauri. Ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar dhe ne nuk arritëm të barazonim.
– Jeni duke zhvilluar një fazë kualifikuese shumë pozitive me Shqipërinë. Sa janë mundësitë që Shqipëria të fluturojë drejt Brazilit vitin e ardhshëm?
– Është e vështirë të përgjigjem. Ne e kemi filluar këtë fazë pa shumë synime të mëdha. E dinim që duhej rinovuar skuadra dhe në këto momente jemi ende në fazën e rinovimit. Në klasifikim jemi në pozita të mira, por kemi edhe pesë ndeshje për të zhvilluar.
– Sipas jush, kush është futbollisti më i talentuar shqiptar për momentin?
– Një pyetje e bukur nga ana juaj, por shumë e keqe për mua (qesh). Është e vështirë t’i përgjigjem… le të themi se ka më shumë se një futbollist të talentuar. Për mua problemi është se ata që kanë cilësi më të mira janë të zbuluar dhe luajnë në Gjermani apo në kampionate të ndryshme të rëndësishëm.
– Në Itali njihen Cana, Bogdani dhe Ujkani. Nëse do të këshillonit ndonjë skuadër italiane, cilin futbollist do të rekomandonit?
– Këtë gjë nuk mund ta bëj sepse mund të akuzohem se po sponsorizoj futbollistë të caktuar. Unë mund të këshilloj skuadrat italiane që ta ndjekin me interes përfaqësuesen e Shqipërisë, pasi ka në përbërje shumë futbollistë të rinj dhe me perspektivë.
– Ju duket se ndiheni mirë në postin e trajnerit të Shqipërisë. Sa ju mungon futbolli italian?
– Shumë pak. Sigurisht që nëse në të ardhmen, jo menjëherë, do të më jepej mundësia për tu rikthyer në Itali me një projekt serioz, do ta bëja me shumë dëshirë.