De Biazi, testi para kualifikuesve

anazapta

Shqipëria do të ndeshet me Armeninë nesër në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe trajneri Xhani De Biazi do të bëjë disa eksperimente në lidhje me sfidat e ardhshme kualifikuese, ndonëse ka lënë jashtë lojtarë të rëndësishëm. Trajneri italian ka dalë para shtypit dje dhe ka folur për planet e tij për këtë miqësore, të cilën e konsideron të rëndësishme, duke njohur forcën e kundërshtarit përballë. “Ndeshja me Armeninë më shërben për të parë gjendjen fizike të lojtarëve të ndryshëm.

Në këtë moment mund të bëjmë ndonjë eksperiment, sikurse ndodh në ndeshjet miqësore”, tha trajneri, i cili paralajmëron kundër çdo nënvlerësimi: “Është një test i rëndësishëm, sepse Armenia është një skuadër e mirë. E kam ndjekur në ndeshjen kualifikuese me Danimarkën në transfertë, ku ka fituar 4-0, ndërsa në miqësoren më Maltën ka humbur 1-0. Mund të siguroj që ka shumë cilësi.

Nëse nuk futemi në fushë me mentalitetin e duhur, rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe”. De Biazi ka rikthyer sulmuesit Edmond Kapllani dhe Ahmed Januzaj në skuadër, ndërkohë që mungojnë Salihi e Bogdani. Për shkodranin është i njëjti skenar si në miqësoret e mëparshme, ku është parë më e udhës që të shmangen fluturimet e gjata, dikur nga SHBA dhe tani nga Kina, ndërsa Bogdani është në kërkim të skuadrës për sezonin e ardhshëm. “Dëshiroj që t’u jap mundësi të gjithë lojtarëve që po kalojnë formë të mirë fizike në këto momente dhe që ndoshta janë më përpara me përgatitjet.

Nuk mendoj që një udhëtim i gjatë nga Kina do t’i bënte mirë Salihit. Bogdanin nuk e kam grumbulluar, pasi në këto momente duhet të gjejë skuadër. Do të takohem me të pas tri javësh dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Unë po mendoj për Armeninë, por në kokë kam edhe dy ndeshjet shumë të rëndësishme eliminatore në fillim të shtatorit”. Në çdo ndeshje të De Biazit ka pasur prurje të reja në kombëtare dhe as kjo e radhës nuk bën përjashtim. Dy kuqezinjtë e rinj janë Shkëlzen Gashi dhe Ermir Lenjani. Të dy luajnë në Zvicër, i pari me Grasshopers dhe i dyti me St. Gallen. “Gashin e kam ndjekur prej 13-14 muajsh, por në fillim nuk pati ndonjë dëshirë të madhe për të luajtur me Shqipërinë, pasi ishte aktivizuar me U-21 të Zvicrës. Rezultatet e kombëtares si dhe serioziteti me të cilën po punohet e bindën për të veshur fanellën e Shqipërisë. I njëjti diskutim vlen edhe për Lenjanin. Tani është momenti t’i shohim në fushë”.

 

Skuadra

 PORTIERË

Etrit Berisha

Orges Shehi

 

MBROJTËS

Andi Lila

Renato Arapi

Armend Dallku

Lorik Cana

Admir Teli

Ansi Agolli

Mërgim Mavraj

Ermir Lenjani

 

MESFUSHORË

Ergys Kaçe

Sabien Lilaj

Jurgen Gjasula

Odise Roshi

Migjen Basha

Shkëlzen Gashi

Amir Abrashi

Vullnet Basha

Armando Vajushi

 

SULMUES

Valdet Rama

Edmond Kapllani

Ahmed Januzi

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *