Kombëtarja Shqiptare ka nisur grumbullimin për ndeshjen e 22 marsit në tranfertën e Oslos kundër Norvegjisë. Një sfidë e rëndësishme, ku sipas trajnerit Gianni De Biasi skuadra kuqezi luan një pjesë të madhe të objektivit për t’u kualifikuar në Botërorin 2014. Në analizën e tij, tekniku italian vlerëson kundërshtarin por shprehet se sfida është e hapur.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Në fakt, kundër Norvegjisë luajmë dy sfidat e ardhshme në grup. Këtë në Oslo dhe atë të kthimit në fushën tonë në më pak se dy muaj. Norvegjia ka një skuadër të foortë me lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishëm të Europës. Gjithsesi, të dyja sfidat janë të hapura. Në Norvegji luajmë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme për kualfikimin”, tha Gianni de Biasi, trajner i kombëtares.
De Biasi nuk firmos për barazimin, ndërsa kërkon përqëndrim maksimal nga skuadra. “Nëse do të firmosja për barazimin. Nuk e di, të shohim në fund të ndeshjes. Mund të them se pas atyre që kemi arritur deri tani mendoj se skuadra ka gjetur ekuilibrin e duhur. Sigurisht, kundër Norvegjisë duhet të jemi të përqëndruar. Po ashtu, skuadra duhet të shfrytëzojë ato 3-4 mundësi shënimi”, tha ai.
De Biasi ka grumbulluar 25 lojtarë për ndeshjen kundër Norvegjisë, ndërsa për herë të parë pjesë e skuadrës do të jenë mesfushori i Torinos, Migjen Basha dhe ai i Valladolid, Valdet Rama. Dy lojtarët do të stërviten me pjesën tjetër të ekipit, por me shumë mundësi nuk do të luajnë në Oslo, pasi Basha pret përgjigje nga FIFA, ndërsa Rama pret pajisjen me pasaportë shqiptare.