Shqipëria arriti një fitore të madhe në Oslo, duke mundur 1-0 Norvegjinë, por pas festës për trajnerin Xhani De Biazi kanë filluar menjëherë shqetësimet. Tre lojtarë tepër të rëndësishëm të formacionit do të mungojnë në takimin e 7 qershorit, kur Norvegjia do të kërkojë do të kërkojë jo thjesht revansh, por mbi të gjitha të mbajë gjallë shpresat e kualifikimit. Kartonët e verdhë të marrë nga Lorik Cana dhe Odise Roshi, si dhe kartoni i kuq i Andi Lilës, bëjnë që këta të tre të mos luajnë në ndeshjen e ardhshme. Janë tri arsye për të prishur festën dhe De Biazi nuk e fsheh shqetësimin. “Problemi im i madh është se në qershor do të luajmë përsëri me Norvegjinë dhe do të kemi tri mungesa të sigurta, Lilën, Roshin e Canën, dhe unë jam i shqetësuar për këtë”, tha De Biazi dje, sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit. Për sa i përket fitores, italiani zbulon se para takimit kishte shpresuar më tepër për barazimin, duke pasur parasysh kundërshtarin. “Fitoren ishte paksa e papritur, sepse luanim me një kundërshtar shumë të vështirë. Megjithatë, ne kishim bindjen se do ta arrinim një rezultat pozitiv. Morëm tri pikë të vyera, të na mbajnë në garë për një kualifikim të mundshëm”, thotë De Biazi. Për takimin e ardhshëm, ai thotë se Shqipëria mund të arrijë një tjetër fitore, nëse do të japë edhe një herë maksimumin në fushë. “Ne mund të fitojmë përsëri. Gjithçka varet nga dëshira jonë për të bërë mirë. Duhet të jemi të përqendruar dhe ta përgatisim ndeshjen ashtu siç duhet, në nivelin fizik dhe në atë taktik”. Puna e De Biazit për takimin e ardhshëm me Norvegjinë fillon që këtë të martë, kur kuqezinjtë do të presin Lituaninë në ndeshjen e dytë miqësore për këtë vit.
E pamposhtur në Oslo
Në dy vizita në kryeqytetin e Norvegjisë, Shqipëria nuk është mposhtur asnjëherë, madje mund të quhet e pafat që nuk ka marrë dy fitore. Në takimin e parë, më 1998, kuqezinjtë kryesonin 2-0 deri në minutën e 82-të, por në fund dolën në barazim 2-2. Në ndeshjen e së premtes, fitore 1-0, me golin e Hamdi Salihit.