Debatet dhe protestat rindezin Këshillin Bashkiak të Tiranës. Mbledhja e pasdites së djeshme është shoqëruar me debate sa i takon rendit të ditës, teksa në ambientet para Bashkisë dhjetëra banorë kanë protestuar lidhur me zhvlerësimin e pronës së tyre si shkak i punimeve që do bëhen për zgjatimin e bulevardit. Kjo pasi vlera e përcaktuar për shpronësimin është shumë larg vlerës së truallit.
Kjo çështje është kthyer në një pikë të fortë debati edhe mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Përfaqësuesit e bashkisë i kanë kërkuar këshillit që të miratojë krijimin e një fondi shtesë, prej 160 milion lekësh, shumë e cila do të vijë në ndihmë të shpronësimit të banorëve të kësaj zone ku do të shtrihen edhe punimet për ndërtimin e Bulevardit të ri të Tiranës. Duke e konsideruar si jo të plotë argumentimin për shtimin e këtij fondi, mazhoranca e këshillit ka miratuar shtyrjen e projektvendimit për një moment të dytë, në të cilin bashkia do të ketë realizuar një transparencë më të plotë sa i takon këtij fondi shtesë.
Përfaqësuesit e majtë kërkuan që të shtyhet vendimi për fondin 160 milionë lekë të kërkuar nga Bashkia, deri sa të jepet informacion i plotë nga bashkia lidhur me këtë proces. Ndërsa këshilltarët e djathtë, në rolin e zhurmuesit kanë argumentuar se shifra 200 euro që Bashkia u ka propozuar banorëve nuk është shumë larg vlerës që duhet të kërkojnë pronarët. pretendim i cili ka ndezur debate në radhët e këshilltarëve të tjerë. Një nga përfaqësuesit e majtë deklaroi se çmimi në një ekonomi tregu duhet të përcaktohet nga vetë tregu.
“Ata që protestojnë jashtë tregojë që nuk është mbyllur negocimi. As 15 metra me larg ka protestues. Është non sens që bashkia i ofron qytetarëve të shkojnë në gjykatë. Ne nuk jemi shtet gjyqësor. Do ishte mirë të vinte vetë zoti Basha. Nuk mund të lëmë plagë të hapura, nuk mund të vazhdojmë me këto nonsense. Të vi zoti Basha dhe të përballet me qytetarët ”, vuri në dukje një nga këshilltarët e majtë.