Albert Hitoaliaj
Xhon Hallidej (Jon Halliday), është një historian irlandez, i cili e ka ushtruar aktivitetin e tij studimor në Mbretërinë e Bashkuar. U arsimua në Universitetin e Oksfordit dhe punën e tij si historian e ka shpalosur në një sërë studimesh, kryesisht si i specializuar për Azinë. Hallidej është autori i librit The Artful Albanian: The Memoirs of Enver Hoxha (Chatto & Windus, 1986), i cili është përkthyer në shqip me titullin Shqiptari dinak (Shpati, 1993); dhe në vitin 2012 nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”. Në këtë libër autori trajton ndër të tjera, edhe figurën dhe vdekjen e Mehmet Shehut: në kapitullin e fundit të librit (“Mehmet Shehu dhe fundi i tij i çuditshëm”). Sipas Hallidejit, burimet arkivore britanike të cilat mbajnë raportet e vlerësimet e SOE-s janë bërë shkak që Enver Hoxha ta konsideronte Shehun si të rekrutuar nga britanikët. Hallidej (Chatto & Windus, 1986, f. 329) citon në mënyrë të pjesshme disa copëza nga raportet më “djegës” të dosjeve britanike të SOE-s (FO, 371/43554 dhe FO, 371/43551) të vitit 1944. Ky autor, pas takimeve me disa ish-pjesëtarë të SOE-s [The Special Operations Executive, “Shërbimi Sekret Britanik” në L.II.B], menjëherë pas botimit të librit, boton një artikull lidhur me vdekjen e Mehmet Shehut, duke sjellë një analizë me informacione të pathëna në libër. Artikulli ngjalli një debat me dy studiues të tjerë britanikë, i cili sillet i plotë më poshtë. Ky material shërben kryesisht si kontribut dhe si ngacmues për zbardhjen e disa të vërtetave enigmatike historike shqiptare, të cilat mund t’i kenë përgjigjet në arkivat e huaja.
Të njëjtat pjesë nga libri i Hallidejit i citon edhe Nexhmije Hoxha, në librin Përjetime dhe meditime në jetën time politike (Ilar, Tiranë, 2019) kur flet për figurën e Mehmet Shehut, dhe kur argumenton, se si ai ishte i lidhur me agjenturën britanike. Ajo ndalet te citimi i dosjeve të SOE-s nga arkivat britanike, të cilat Hallideji i ka përfshirë pjesërisht në librin e tij, duke shkruar shprehimisht:
“Në disa botime të bëra në këto vitet e fundit janë gjetur materiale dhe të dhëna mbi korrespondencën e organizmave dhe të personaliteteve zyrtare britanike gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Në disa prej tyre duket interesi që kanë pasur këto organizma për Mehmet Shehun. Sigurisht që ky interesim nuk ka qenë i rastësishëm dhe pa synime. Në librin e historianit dhe publicistit anglez Xhon Hollidej, i cili ka studiuar dosjet mbi Shqipërinë në arkivat angleze, ndër të tjera citohet një raport i Shtabit të SOE (Special Operations Executive-Drejtoria e Veprimeve të Posaçme), me qendër në Kajro, në Bari-Forca 399, i datës 11 nëntor 1944. Në këtë raport ishin përmbledhur të dhënat nga dymbëdhjetë misionarë anglezë të kthyer nga Shqipëria, që flisnin lidhur me influencën e Anglisë. Ndër të tjera, aty thuhet: “…Ka rëndësi të mbahen parasysh opozita e fortë brenda Lëvizjes dhe krerët e saj të mundshëm”. Ndër pesë emrat e radhitur në listën e kësaj opozite, i dyti vjen ai i Mehmet Shehut. Përbri emrit të tij ishte një shënim, ku thuhej: “…njeri ambicioz e vanitoz, i cili për njëfarë kohe është mbajtur nën fre nga Partia… Është komunist, por ka ambicie personale që ia kalon besnikërisë së tij ndaj Partisë” … “Kuadrot e SOE-s në Shqipëri e mburrin Shehun… se ishte i vetmi shqiptar, nën urdhrat e të cilit oficerët anglezë i vunë njerëzit e tyre… ka shumë të ngjarë që anglezët (ose ndonjë anglez) të jenë përpjekur ta ‘rekrutonin’ Shehun… Këtë supozim e përforcon akoma më tepër fakti që grupi i SOE-s që punonte me Shehun, në mesin e vitit 1944 shprehej në atë kohë se parashikonte çarje ndërmjet Shehut dhe Hoxhës” (Jon Halliday. Shqiptari dinak. Zvicër: Shpati, 1993, f. 233-234; cituar te Nexhmije Hoxha).
Këtu duhet ndalur. Autori Xhon Hallidej (Chatto & Windus, 1986, f. 330) ka cituar burime arkivore për të cilat thotë se i kishin edhe shqiptarët (që në 1980), pasi janë marrë nga Arben Putoja në Londër, kur ato janë deklasifikuar. Ndër të tjera, ai thotë se dosja me materialet më interesante nuk u përfshi në librin e Putos: From the Annals of British Diplomacy: The Anti-Albanian Plans of Great Britain during the Second World War according to Foreign Office Documents of 1939-1944 (Arben Puto. Nëpër analet e diplomacisë angleze: planet antishqiptare të Britanisë së Madhe gjatë Luftës së dytë Botërore në bazë të dokumenteve të Forein Ofisit të 1939-1944. Tiranë: 8 Nëntori, 1981). Sigurisht që kjo dosje e rëndësishme i është dhënë Enver Hoxhës, – thotë Hallideji (Chatto & Windus, 1986, f. 330). Në citimin e Xhon Hallidejit nga Nexhmije Hoxha, këto vlerësime britanike përmenden si prova kundër Mehmet Shehut. Por ka diçka që nuk përputhet. Nëse qëndron vërejtja e Hallidejit (dhe ajo qëndron), përse Nexhmije Hoxha apo qoftë edhe Enver Hoxha nuk i publikuan të plota këto materiale komprometuese? Madje Nexhmija citon në librin e saj autorin britanik, e jo materialin burimor prej dosjeve të fotokopjuara në Londër nga Putoja. Apo ndoshta këto dosje (edhe pse u vendosën në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave) i pa të plota vetëm Enver Hoxha?
Pjesa e cituar prej Nexhmije Hoxhës, nga libri i Hallidejit, i përket një raporti përmbyllës të bërë më 11 nëntor 1944 nga oficerët e SOE-s që lanë Shqipërinë (“Force 399, SOE HQ”, në Bari: PRO-FO, 371/43554). Hallideji e ka shfrytëzuar këtë dosje për librin e tij. Në një dokument të dosjes, të hartuar nga 12 agjentë të SOE-s, në nënndarjen me titull “Ndikimi britanik” (British influence) gjendet një listë me pesë emra shqiptarësh që konsiderohen si “elementë probritanikë” që duhen ruajtur nga eliminimi. Emri i Mehmet Shehut gjendet i dyti në këtë listë dhe Haxhi Lleshi (në dokument ai përcaktohet shprehimisht si “shok i Mehmet Shehut”) vjen i treti (Chatto & Windus 1986, f. 229). Nuk jepet asnjë informacion nga Hallideji për tre emrat e tjerë. Arben Puto, në librin From the Annals of British Diplomacy: The Anti-Albanian Plans of Great Britain during the Second World War according to Foreign Office Documents of 1939-1944, (Tiranë, 1981) ndër shumë të tjera, citon edhe dosjet PRO-FO/ 371. File No. 43551; PRO-FO/ 371. File No. 43553; PRO-FO/ 371. File No. 43555. Puna e bërë me këto dosje duket shumë e kujdesshme: ka kaluar në dorë telegrame e raporte dhe ka nxjerrë andej citime të drejtpërdrejta të vlefshme për librin. Atëherë, si ka mundësi që ai nuk citon dosjen e rëndësishme PRO-FO/ 371. File No. 43554?!
Si numër rendor ajo qëndron mes atyre që ai ka hulumtuar dhe në këtë mënyrë ai nuk mund ta ketë “harruar”. Si cilësi informacioni ajo mund të jetë më komprometuesja, pasi flet shkoqur për elementët shqiptarë probritanikë të cilët duhet të mbrohen pa rënë në sy [sic!]. Vlerësimet për Mehmet Shehun gjenden në raportet e kësaj dosjeje. Me të drejtë, Xhon Hallidej formulon logjikën se si kjo dosje (ndoshta edhe të tjera) është bërë shkak për vërtetimin e dyshimeve të Enver Hoxhës kundrejt Mehmet Shehut. Kushdo që lexon librin e Putos dhe atë të Hallidejit mund ta vërtetojë lehtësisht se referencat janë nga i njëjti fond arkivor (PRO-FO/371). Dallimi është se Hallideji përmend pikërisht atë dosje që Putoja nuk e ka prekur. Për më tepër, Hallideji citon për Shehun edhe një dosje të cituar po ashtu edhe nga Putoja (PRO-FO/ 371. File No. 43551); ky i fundit nuk e përmend fare Shehun edhe pse këtë dosje e ka shqyrtuar fund e krye. Pyetjet e ngritura nga Hallideji, që lidhen me këtë heshtje të Arben Putos për këto dosje, qëndrojnë.
Në poshtëshënimet e faqeve 14-15 të librit të Putos (From the Annals of British Diplomacy, 1981), jepen dosjet me numrat përkatës të marra nga fondet arkivore britanike, të ndara sipas viteve dhe sipas çështjeve që trajtojnë: “Një pjesë e mirë e këtyre dokumenteve (rreth 30-40%) ekzistojnë si fotokopje të depozituara në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Me qëllim që t’u mundësohet studiuesve krijimi i një ideje më të plotë për to, është dhënë një listë e fotokopjeve, e ndarë sipas viteve dhe numrit së dosjeve, ashtu siç figurojnë në katalogët zyrtarë të PRO-së. … Për vitin 1944 – dosjet Nr. 43549, 43550, 43551, 43552, 43553, 43554, 43555 …”
Duket qartë se dosjen që citon dhe që përmend Xhon Hallidej, studiuesi ynë e ka marrë dhe e ka kaluar në dorë. Ky fakt në vetvete nuk vërteton asgjë, por i jep legjitimitet logjikës së përdorur nga Hallidej, i cili e lidh materialin e këtyre dokumenteve britanike, me mendjen dyshuese të Hoxhës dhe me fundin e Mehmet Shehut.
Si për ironi të fatit, këtë dosje e citon edhe historiani amerikan Bernd J. Fisher (1999) në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945”. Ai i referohet një vlerësimi të Uilliam Donovanit (William Donovan) shefit të OSS-së [Office of Strategic Services], Agjencisë së Inteligjencës së SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore: “… agjentët e OSS-së raportuan në Uashington në dhjetor 1944 se Hoxha nuk ishte komunist. Uilliam Donovani, shefi i OSS-së, ishte i bindur dhe i kërkoi Departamentit të Shtetit të mbante një qëndrim më inkurajues ndaj Hoxhës, sepse, sipas Donovanit, udhëheqësi shqiptar nuk ishte as komunist e as bashkëshoqërues, dhe ishte sinqerisht i shqetësuar për të vendosur një demokraci të orientuar nga Perëndimi.” (Bernd J. Fischer. “FO 371/43554 R20087/39/G90, Halifax, 4 December 1944”, në: Albania at War, 1939–1945. Purdue University Press, 1999, f. 249).
Nëse Mehmet Shehu do të lexonte këtë dëshmi ku Hoxha mbështetet nga kreu i Inteligjencës amerikane, dhe nëse Shehu do të ishte po aq dyshues sa Hoxha, atëherë për të nuk do të kishte dyshim se Hoxha ishte i përzgjedhuri i amerikanëve (koha tregoi të kundërtën). Por, kjo dosje mbeti në hije në kohën kur Putoja e botoi librin, dhe nuk u përmend asnjë detaj i saj që lidhej me udhëheqjen komuniste dhe raportet e tyre me misionet e huaja. Mbi këtë heshtje, lidhur me këto dokumente arkivore britanike, ndërtohet hipoteza e Xhon Hallidejit dhe debati i tij me studiuesit britanikë.
Debati mes studiuesve britanikë për vdekjen e Mehmet Shehut
Xhon Hallidej e ka botuar librin The Artful Albanian: The Memoirs of Enver Hoxha (Chatto & Windus, 1986) më 1 janar të vitit 1986. Në këtë kohë ai ishte i angazhuar si anëtar bordi në revistën britanike “London Review of Books”. Në tetor të vitit 1986, pra thuajse dhjetë muaj që nga botimi i librit, ai boton në këtë revistë artikullin “Vdekja e pazakontë e Mehmet Shehut” (Jon Halliday, “The Strange Death of Mehmet Shehu”, London Review Books, Vol. 8 No. 17, 9 October 1986). Artikulli përmban thuajse të njëjtin informacion si ai në kapitullin e fundit të librit, ku analizon Mehmet Shehun, por ka edhe disa fakte të reja. Hallidej ka biseduar me disa ish-pjesëtarë të SOE-s, të cilët kishin vepruar në Shqipëri. Fjalët e tyre, të thëna në konfidencë, e kanë befasuar. Në një mënyrë a në një tjetër ata kanë shprehur simpatinë e tyre dhe shpresën që kishin të Mehmet Shehu; madje ata shkojnë edhe më tej, kur pohojnë se pas eliminimeve që kryente Enver Hoxha, ka pasur shkaqe reale dhe jo thjesht spastrime kundërshtarësh.
Nisur nga dosjet arkivore dhe dëshmitë e këtyre ish-oficerëve të inteligjencës, Hallideji ngre në artikullin e botuar në revistë, hipotezën se materialet arkivore dhe vlerësimet e britanikëve në raportet e tyre, u bënë shkak që Hoxha të godiste realisht Mehmet Shehun. Dosjet që hulumtoi Puto dhe që i solli në Shqipëri, kishin afat 30-vjeçar ruajtjeje. Një pjesë e atyre dosjeve të SOE-s, të cilat kanë afat ruajtje 75-vjeçar mund të jenë hapur nga viti 2020 e në vijim (Puto në botimin anglisht të vitit 1981, thotë se për këto dosje “Top-secret” duhet të presim deri në vitin 2018). Në to mund të ketë materiale plotësuese, lidhur me hipotezën që ngre Hallidej.
Shkrimi i Xhon Hallidejit ngjalli reagime në faqet e revistës London Review Books. Historiani Frenk Uëlbenk (Frank Walbank), dhe shkrimtari e ish-ofceri i inteligjencës, ekspert për Ballkanin e Shqipërinë, Herri Hoxhkinson (Harry Hodgkinson), kanë debatuar me shkrim lidhur me interpretimin e tij për arsyet e vdekjes së Mehmet Shehut. Duhet përmendur edhe një fakt: Hoxhkinson ka mbështetur historikisht çështjen shqiptare, duke mbajtur qëndrime të forta antisllave. Ai ka pasur korrespodencë të pasur me Edit Durhamin dhe ka mbajtur gjithashtu më 1985 edhe vendin e kryetarit të Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association). Vdiq në vitin 1994 dhe la të pabotuara shumë dorëshkrime për Ballkanin.
Diskutimi i këtyre tre studiuesve në faqet e London Review Books, zgjati nga tetori i vitit 1986 deri në fund të shkurtit të 1987-s. Ky debat ndoshta do të ishte më i vlefshëm nëse do të përfshihej si material plotësues në librin Shqiptari dinak. Në dijeninë time nuk është përkthyer ndonjëherë në shqip ky diskutim. Më poshtë sillet i plotë debati në London Review Books, lidhur me vdekjen e Mehmet Shehut dhe arsyet e mundshme që mund të jenë bërë shkak.

Xhon Hallidej: “Vdekja e pazakontë e Mehmet Shehut”
Më 18 dhjetor 1981, Radio Tirana njoftoi se kryeministri jetëgjatë i Shqipërisë, Mehmet Shehu kishte kryer vetëvrasje një natë më parë “në një moment krize nervore”. Edhe pse në vendet komuniste, përgjithësisht vetëvrasja nuk pranohet (në fund të fundit, kush do mund të dëshironte t’i largohej nga parajsës?), radioja e quajti Shehun “shoku” dhe i përmendi titujt e plotë ritualë. Gati një vit më vonë, udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, Enver Hoxha, pretendoi se Shehu kishte qenë një agjent i huaj i shumëfishtë: i Gestapos, i SIM-it (Inteligjencës Italiane), i Jugosllavisë, i KGB-së, i SHBA-së dhe i Britanisë. Këto akuza u pritën gjerësisht me tallje, si pjellë e paranojës së Hoxhës. Besueshmëria e akuzave të tij zor se u rrit nga fakti që ai pretendoi: se Shehu kishte vrarë veten pasi u kritikua ashpër për organizimin e fejesës së djalit të tij, me një grua, familja e së cilës, kishte gjoja “gjashtë apo shtatë kriminelë lufte”; dhe kështu, ai u përpoq të krijonte një skandal që do të hidhte në erë regjimin shqiptar. Në fund, disa javë para se vetë Hoxha të vdiste, në prill 1985, e përditshmja e Partisë shqiptare tha se Shehu ishte “asgjësuar”, edhe pse një zëdhënës, më vonë mohoi se kjo do të thoshte ekzekutim (duke pasur parasysh hiperbolën e brutalitetit, shprehje të tilla janë të vështira për t’u deshifruar).
Si shumica e vërejtësve të tjerë, fillimisht i hodha poshtë akuzat e Hoxhës, si fantazi dhe si diçka pa interes. Kjo, gjersa tonet e pjekura të një ish-agjenti tejet konservator të SOE-s në Shqipëri, më befasuan. Krejt befas (teksa e kisha pyetur se çfarë mendonte për Hoxhën) ai më tha: “Çuditërisht, ai kurrë nuk më la përshtypje aq shumë sa Mehmet Shehu.” Vlerësime të mëtejshme gëluan nga njerëz të tjerë të SOE-s: “në të njëjtën gjatësi vale si ne”; “më i miri fare, nga ai grup hokatarësh” (megjithatë, ky agjent gjithashtu vuri në dukje, se “Mehmeti i vjetër e humbi shòrtin”); dhe, mbi të gjitha, “i vetmi lider që mund të ishte kthyer ose mund të ishte tërhequr në Perëndim”. Dyshimet e mia u përforcuan kur një i dorës së vjetër të SOE-s, shumë mendjemprehtë (dhe shumë i djathtë) më pohoi në mirëbesim se, pavarësisht nga prirja e Hoxhës për t’u përplasur kolegët e tij, ka ekzistuar gjithmonë një shkak i mirë pas spastrimeve të njëpasnjëshme.
Cilat ishin këto shkaqe të mundshme, “të mira”? Në kohën e vdekjes së Shehut, spekulimet përqendroheshin mbi tri çështje: 1) dallimet mbi një hapje të mundshme drejt Perëndimit, pas shkëputjes së Shqipërisë nga Kina në 1977-78; 2) një mosmarrëveshje politike mbi Kosovën, rajonin e Jugosllavisë me shumicë etnike shqiptare, ku kishte pasur trazira serioze në pranverën e vitit 1981; 3) pasardhësi i Hoxhës (73 vjeç në dhjetor 1981). Asnjëra nga këto nuk dukej e mjaftueshme për të shpjeguar thyerjen mes Hoxhës e Shehut: në fund të fundit, ata kishin mposhtur shumë stuhi së bashku. Pse u prish aleanca e tyre tani, pas gati katër dekadash bashkëpunimi? Dhe gjithsesi, cila do të kishte qenë pika e ndryshimit? Thurja e lëvdatave, për “Mehmetin e vjetër”, nga agjentët e SOE-s, tregoi se një vështrim në dosjet (shumë të spastruara) të Zyrës së të Dhënave Publike (Public Records Office) mund të jetë i dobishëm. Ç’kishte thënë SOE për Shehun gjatë luftës, kur agjentët e saj ishin të lidhur ngushtë me të, ashtu siç kishin qenë me Hoxhën?
Kush ishte Mehmet Shehu? I lindur në vitin 1913, i biri i një shehu të devotshëm mysliman, ai u portretizua pothuajse në mënyrë universale, në burimet e botuara, si linja e ashpër në një regjim të një vije shumë të ashpër. Ai kishte luftuar në Spanjë, ku komandonte batalionin e katërt të brigadës ndërkombëtare “Garibaldi”, në fazat e vona të Luftës Civile. Vitet 1939-42 i kaloi në një kamp internimi në Francë, ku u bashkua me Partinë Komuniste Italiane. Me t’u kthyer në Shqipëri, u bë vrulltas komandanti kryesor ushtarak partizan. Ai u njoh botërisht, qoftë nga miku, qoftë nga armiku, si udhëheqësi ushtarak partizan më i aftë i kohës. Udhëhoqi forcat që çliruan kryeqytetin, Tiranën, nga gjermanët, në nëntor 1944. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, e në të vërtetë i vetmi vend në botë i pushtuar nga ndonjë fuqi e Boshtit, që u çlirua pa ndihmën e ndonjë ushtrie të huaj të zbarkuar në territorin e saj.
Pas luftës, Shehu u bë ministër i Brendshëm, ministër i Mbrojtjes dhe Kryeministër (1954-1981). Për më shumë se tre dekada ai ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në vend. Gjykimet ndaj tij prireshin të ishin të ashpra. Një agjent britanik, koloneli Dejvid Smaili (David Smiley), shkroi se Shehu “mburrej” se u kishte prerë fytin me dorën e tij 70 të burgosurve italianë gjatë luftës. Hrushovi shkruante në kujtimet e tij, se Tito i kishte thënë, se Shehu e kishte mbytur paraardhësin e tij si ministër të Brendshëm, Koçi Xoxen. Hrushovi i cilësoi Shehun dhe Hoxhën “më të këqij se bishat, – ata janë përbindësha”. Një artikull në revistën amerikane Collier’s në kulmin e Luftës së Ftohtë, në 1951, pretendonte se Shehu njihej në Tiranë si “kasapi”, dhe se i pëlqente të bridhte rrugëve të kryeqytetit i maskuar. Ai e përshkruante atë si “versionin e gjatë dhe thatanik Hollivudian, të një vrasësi ballkanik”. Vetë Shehu, u përpoq shumë pak për ta rrëzuar këtë imazh. Në vitin 1961, në kulmin e mosmarrëveshjes së Shqipërisë me BRSS-në, u raportua se kishte thënë në Kongresin e Katërt të Partisë: “Për ata që i presin rrugën unitetit të Partisë: një pështymë fytyrës, një grusht nofullave dhe, nëse është e nevojshme, një plumb kokës.” Vështirë të ishte kandidati kryesor i njeriut të Britanisë në Tiranë.
Gjëja e parë që doli nga dosjet që pashë ishte një mungesë: nuk kishte asnjë referencë për ndonjë akt mizor nga Shehu. Por, kjo mund të kishte ndodhur sepse vrasja e të burgosurve ishte praktikë e përgjithshme e të dyja palëve luftuese në Shqipëri. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, oficerët britanikë më të afërt me Shehun, parashikuan në atë kohë (mesi i vitit 1944) një përballje të mundshme në të ardhmen, mes tij dhe Hoxhës. Duke diskutuar mundësinë e një përçarjeje në lëvizjen komuniste, ata shkruan: “Personaliteti kryesor i përfshirë është Mehmet Shehu … Është e vështirë të thuhet nëse do të ketë ndonjëherë një përballje [me Hoxhën] apo jo. Ai është një burrë krenar dhe i fuqishëm, por edhe me ideale …” Dallimet në atë kohë preknin çështje themelore. Pikërisht në mes të luftës civile, në korrik 1944, kur Hoxha po bënte gjithçka për të shtypur kundërshtarët e tij të djathtë (Ballin Kombëtar dhe pasuesit e mbretit Zog në mërgim), oficeri britanik i mirëinformuar, majori W.V.G. Smith, i cili e njihte mirë Shehun, raportoi se “Shehu beson se ekziston mundësia e një kompromisi”. Një mendim i tillë ishte mallkim për Hoxhën.
Por dokumentet britanike shkojnë shumë më tej sesa parashikimi i një ndarjeje midis Hoxhës dhe Shehut (që deri diku mund të merret me rezervë, si një tipar standard i raporteve mbi lëvizjet komuniste, nga agjentë kryesisht të krahut të djathtë). Një raport nga selia e SOE-s në nëntor të 1944-s, pikërisht në kohën kur partizanët ishin gati për mësymjen e tyre përfundimtare për të dëbuar gjermanët dhe për të marrë Tiranën, përmbledh konsensusin (e supozuar) pas informimit të 12 agjentëve britanikë që sapo kishin lënë Shqipërinë, dhe e emërton Shehun si gjithëmbajtësin e shpresave britanike për rrëzimin e Hoxhës. Në një seksion të titulluar “Ndikimi britanik”, dokumenti pretendon (më e pamundura) se “shumica e vendit ka një pikëpamje probritanike dhe do të mirëpriste një pushtim britanik.” Më tej vazhdon: “ka qartësisht disa që vlerësojnë atë që Britania ka bërë, dhe që janë në thelb kundër politikës aktuale të Partisë, por të paaftë për të shprehur hapur pikëpamjet e tyre …” Është “e rëndësishme të merret parasysh opozita e mundshme brenda Lëvizjes dhe liderët e saj të mundshëm”. I dyti (nga pesë) emrat e renditur më pas është ai i Shehut, i përshkruar si “një njeri me ambicie personale dhe vanitoz, i cili është venë nën fre nga Partia për njëfarë kohe. Ai është padyshim figura ushtarake më e respektuar dhe më e rëndësishme brenda Lëvizjes … Është komunist, por ambicia e tij personale e tejkalon besnikërinë [sic] e tij ndaj Partisë.” Dokumenti përfundon me këto fjalë: “Duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar eliminimin e atyre elementëve probritanikë, të njohur tashmë për ne, dhe të përpiqemi t’i mbështesim këta pa rënë në sy.”
Në vetvete, kjo nuk provon asgjë përveç një mendimi dëshiror, – një mendimi dëshiror të thërrmuar në një raport të detajuar disa javë më vonë, nga një prej agjentëve më të aftë të SOE-s në Shqipëri, i Nderuari Alan Hare (më pas, kryetari i Pearson-it). Në një pasazh që diskutonte mundësinë e mbështetjes britanike për një revoltë kundër Hoxhës, Hare shkruante: “Tani, për mirë a për keq, jemi të identifikuar me zogistët [mbështetësit e mbretit Zog] në Shqipëri dhe të urryer e të pabesueshëm nga pjesa më e madhe e njerëzve, për këto arsye [sic] …”
Kjo ndodh në një seksion që ka të bëjë me FNÇ [shënim A. H. – Forcat Nacionalçlirimtare], Partizanët, dhe me titull “Krahu i djathtë i FNÇ-së dhe rëndësia e tij”. Këtu diskutohen tre grupe që mund të ngrihen kundër regjimit të Hoxhës. Kandidati kryesor në grupin e tretë është Mehmet Shehu, i cili, mendonte Hare, ndoshta do të përpiqej për mbështetje nga e majta, por mund të provonte me ushtrinë nga e djathta, gjë që do të ishte shansi më i mirë i tij. Një veprim i tillë do të kishte nevojë për mbështetje nga një fuqi e madhe, e jashtme: dhe Britania e Madhe mund të ishte e vetmja. Megjithatë, Hare vazhdon të thotë se një mbështetje e tillë nuk ka gjasa të ndodhë, dhe gjithsesi, çdo lider që merr mbështetjen britanike do të fundoset. Sjellja e Britanisë, shkruante ai, “po e bën fitimin e mbështetjes së Aleatëve, të papëlqyeshëm për njerëzit dhe konsiderohet e pasigurt nga udhëheqësit”. Hare, i cili nuk është gjë tjetër veçse realist, bën përmbledhjen: “është e qartë se në situatën aktuale politike të Ballkanit, shanset për të ushtruar ndikim politik mbi Shqipërinë me metoda paqësore, në njëzet vitet e ardhshme, janë të pakta”.
Kur arkivat britanike të kohës së luftës u hapën (pjesërisht) në vitet 1970 (30 vjet pas ngjarjeve), qeveria shqiptare dërgoi një nga historianët e saj kryesorë në Londër për të shqyrtuar dosjet. Rezultati i këtij hulumtimi u botua në Tiranë, në gjuhën angleze, në vitin 1981: From the Annals of British Diplomacy: The Anti-Albanian Plans of Great Britain during the Second World War according to Foreign Office Documents of 1939-1944 (“Nëpër analet e diplomacisë angleze: planet antishqiptare të Britanisë së Madhe gjatë Luftës së dytë Botërore në bazë të dokumenteve të Forein Ofisit të 1939-1944”) nga Arben Puto. Ky është një vëllim i studiuar mirë. Shënimet tregojnë se Puto kaloi dosjen që përmbante provat më inkriminuese të shpresave të Britanisë për Shehun. Por Puto nuk citon informacionet për Shehun, apo ndonjë gjë tjetër nga dosja, e cila përmban shumë materiale të tjera interesante.
Këtu, koha është vendimtare. Libri i Putos u shfaq në vitin 1981. Shehu vdiq në dhjetor 1981. Në janar 1982 Hoxha botoi denoncimin e tij të parë për Shehun, duke cituar disa dokumente zyrtare britanike, me të tjera akoma që do të vinin më vonë atë vit.
Ajo që ngjan se ka ndodhur, është se Puto gjeti dosjet në të cilat Shehu portretizohej si një “element probritanik”. Këto ishin dinamit. Ai duhej t’ia tregonte Hoxhës. Ky nuk mund të ishte lajm i ri për Hoxhën, i cili kishte pasur mosmarrëveshje të rënda politike mes tij dhe Shehut gjatë luftës. Por duke parë dokumentet e hartuara nga agjentë të inteligjencës britanike, disa prej të cilëve ishin aktivë në pushtimin e Shqipërisë në vitin 1949, të cilët e renditin kryeministrin tuaj si numrin 2 në listën e “elementëve probritanikë” që duhen mbrojtur dhe “mbështetur pa rënë në sy”, do të kishte mjaftuar për të shpërthyer dyshimin vdekjeprurës në një mendje kronike dyshuese.
Dokumentet britanike padyshim që nuk mund të shfaqeshin fillimisht, në librin e Putos, kur Shehu ishte ende kryeministër. Hoxha, me sa duket, shmangu përdorimin e dokumenteve derisa lindi një mosmarrëveshje e madhe politike në fund të vitit 1981, dhe më pas i përdori ato si argument vendimtar në një përballje me Shehun. Më pas, si udhëheqësi largpamës, gjithnjë vigjilent dhe shefi “demaskues”, vetë Hoxha publikoi zbulimet nga Kew [shënim A. H. – Arkivat Kombëtare Britanike, me qendër në Kew].
Në politikën shqiptare të pasluftës, çdo mosmarrëveshjeje, qoftë për politikën e brendshme apo të jashtme, i është dhënë gjithmonë një dimension i huaj (duke reflektuar si ksenofobinë tradicionale shqiptare ashtu edhe praktikën staliniste). Të gjithë kolegët e likuiduar të Hoxhës, – dhe ata janë të shumtë, – u denoncuan si agjentë të ndonjë fuqie të huaj. E kaluara poliglote dhe internacionaliste e Shehut iu dha hua zinxhirit më të gjatë të zotërinjve të huaj të supozuar. Hoxha përqeshi raportet Perëndimore dhe jugosllave se kishte pasur një shkëmbim zjarri si “një skenar i modeluar si uestern me përleshje me armë që ndodhnin në sallonet e asaj kohe!” – por, sigurisht, kjo ishte gjithashtu edhe mënyra shqiptare e të bërit të gjërave. “Mehmeti i vjetër” humbi shòrtin dhe mori një plumb kokës. Jo sepse ai në të vërtetë ishte një agjent britanik, por sepse britanikët e quajtën atë si një njeri të mirë për të udhëhequr lëvizjen për të rrëzuar Hoxhën. Dhe kjo ishte më se e mjaftueshme që Hoxha të vendoste ta zhdukte.
(Jon Halliday, “The Strange Death of Mehmet Shehu”, London Review Books, Vol. 8 No. 17, 9 October 1986).

Disktimi në “London Review Books”, lidhur me hipotezën e vrasjes së Memhet Shehut
- Letër nga Frenk Uëlbenk, 6 nëntor 1986
Sër: Vdekjet misterioze janë gjithmonë të famshme, dhe, sigurisht, është emocionuese të thuhet nga Jon Halliday (London Review Books, 9 tetor) se shkaku i vdekjes së Mehmet Shehut, në dhjetor 1981, ishte zbulimi i historianit shqiptar Arben Puto, i cili hulumtoi në Public Record Office [shënim A. H. – Arkivat Britanike], – se dokumentet e FO-së [Foreign Office] të bazuara në raportet e SOE-s e kishin përshkruar Shehun si një “element probritanik”. Ky informacion, i transmetuar te Enver Hoxha, por i papërfshirë në librin e Putos, kishte mjaftuar “për të shpërthyer dyshimin vdekjeprurës në një mendje kronike dyshuese”. “Koha”, – këmbëngul zoti Hallidej, – “është vendimtare. Libri i Putos u shfaq në vitin 1981. Shehu vdiq në dhjetor 1981. Në janar 1982 Hoxha botoi denoncimin e tij të parë për Shehun, duke cituar disa dokumente zyrtare britanike, me të tjera që do të vinin më vonë, atë vit.”
Por nëse datat janë kaq të rëndësishme (dhe ato janë), nuk është edhe aq gjë e mirë që të rrëmbehesh me deklarata të tilla të paqarta, si: “arkivat britanike të kohës së luftës u hapën (pjesërisht) në vitet 1970 (30 vjet pas ngjarjeve)”, dhe sapo dikush bëhet më specifik, shfaqet para syve një pamje krejt tjetër. Në fakt ishte vetëm versioni anglisht i librit të Arben Putos që doli në vitin 1981. Një botim gjermanisht kishte dalë tashmë në vitin 1980, në të cilin parathënia mban datën prill 1976.
Te “Hyrja” e tij, Putoja shpjegon se në përgjigje të presionit të historianëve (ndër të tjera gjëra) ishte bërë një njoftim në Dhomën e Përfaqësuesve, në vitin 1971, se do të hiqej dorë nga rregulli 30-vjeçar për dokumentet e FO-së për Luftën e Dytë Botërore, dhe, se ai dhe një koleg, mbërritën në Londër në verën e vitit 1972, dy muaj pasi kjo gjë hyri në veprim. Rrjedhimisht ata u lejuan të shihnin, dhe në një masë të madhe të fotokopjonin, materialin që mbulonte vitet deri në fund të 1944-s. Ky trajtim liberal, i paimagjinueshëm në Tiranë, qartësisht që e mahniti dyshen, por zoti Puto e hedh tutje këtë, duke e cilësuar si mjet për tërheqjen e turistëve! Një raport paraprak i gjetjeve të tyre u shfaq te revista Nëntori, nr. 12 (1972), dhe nr. 1, 2 dhe 3 (1973). Nga kjo rezulton, se nëse zoti Hallidej ka të drejtë kur mendon se Putoja i dha Enver Hoxhës informacionin në lidhje me Shehun, të nxjerrë nga arkivat e FO-së, kjo duhet të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 1972. Në këtë rast, çështja ngec në vetvete: përse, pavarësisht nga “mendja e tij kronike dyshuese”, dhe “shpërthimi vdekjeprurës”’ që shkaktuan këto dokumente, Hoxha heshti në mefshtësi dhe nuk ndërmori asnjë veprim për nëntë vite të tjera? Kam frikë se koha e vdekjes së Shehut është ende e pashpjegueshme.
Frank Walbank, Cambridge
(“Letters”, London Review Books, Vol. 8 No. 19, 6 November 1986)
- Letër nga Herri Hoxhkinson, 6 nëntor 1986
Sër: Sugjerimi i Xhon Hallidejit se Mehmet Shehu u eliminua, në bazë të nënkuptimeve të rastësishme të nxjerra nga thashethemet diplomatike, nuk i jep hakun durimit të ftohtë, koherent, karakteristik të Enver Hoxhës. Siç e bëjnë të qartë kujtimet e tij, në fund të luftës, statusi i Hoxhës në Partinë Komuniste Shqiptare ishte shumë i rrezikuar (pavarësisht titujve të tij të lartë), nga rivalitetet e brendshme partiake, nga komunistët prestigjiozë të kthyer nga mërgimi dhe nga armiqësia e një Titoje që përgatitej ta fuste Shqipërinë në Federatën Jugosllave. Që aty e tutje, strategjia e Hoxhës ishte ajo stalinistja, për t’ia nënshtruar të gjithë pushtetin shtetëror atij të Partisë, dhe të gjithë pushtetin e Partisë, atij të vetë sekretarit të përgjithshëm të saj. Eliminimet e njëpasnjëshme të titistëve, të teoricienëve rivalë, të armiqve personalë dhe të udhëheqësve ushtarakë autonomë të mundshëm, më në fund lanë, si fokus alternativ potencial të pushtetit, policinë dhe kompleksin e politikës së jashtme, që ishin ende në duart e partnerit dhe rivalit të tij të vjetër, Mehmet Shehut.
Për sa kohë që Hoxha qëndronte pa mëdyshje në një pozicion të ushtrimit të autoritetit të përgjithshëm të drejtpërdrejtë, kjo situatë mund, dhe ndoshta, duhej të pranohej. Por, për disa vite Hoxha vuajti nga ajo që rrëfimet e pasvdekjes e përshkruan “dëmtim mendor”, i cili është përdorur për t’iu referuar parkinsonit. Në këtë kontekst, masa për të shkatërruar Shehun ka të gjitha shenjat e një sulmi parandalues, të ngritur me ngut kundër të vetmit njeri që ishte në gjendje, dhe në dukje gati, që të pretendonte të drejtën e tij për trashëgimì. Një lexim i tillë, tenton të konfirmohet nga fakti i çuditshëm se Shehu nuk u denoncua si “spiun”, për disa muaj pas vdekjes së tij: domethënë, deri sa, pasojat e të ashtuquajturit konspiracion të tij të mund të zbardheshin dhe bashkëpunëtorët e tij të mundshëm të bëheshin të padëmshëm. Nëse, duke marrë në konsideratë paaftësinë e tij, iniciativa është marrë nga Hoxha personalisht, ose, si duket, me miratimin e tij, nga një grup mbrojtësish dhe bashkëpunëtorësh që e ndjenin veten të kërcënuar, – është çështje së cilës Xhon Hallidej nuk i drejtohet.
Harry Hodgkinson, London NW1
(“Letters”, London Review Books, Vol. 8 No. 19, 6 November 1986)
- Letër nga Xhon Hallidej, 20 nëntor 1986
Sër: I jam mirënjohës Frenk Uëlbankut për letrën e tij informuese në numrin e fundit, në lidhje me artikullin tim për Mehmet Shehun (Letters, 6 November). Shpesh është e vështirë të zbulosh të vërtetën për atë që ndodh në Shqipëri, dhe akoma më e vështirë ta konfirmosh me autoritet. Unë u përpoqa të paraqes një hipotezë (“Ajo që ngjan se ka ndodhur është …”), e cila nuk zhvlerësohet nga informacioni i zotit Uëlbank, – shumica e të cilit [shënim A.H. – informacionit të Hallidejit] është i qasshëm në vëllimin From the Annals of British Diplomacy, të Arben Putos. Dihet, se Puto dhe një koleg i tij vizituan arkivat britanike në vitin 1972. Pika kryesore e z. Uëlbank është: “nëse zoti Puto i dha Enver Hoxhës informacionin në lidhje me Shehun, të nxjerrë nga arkivat e FO-së, kjo duhet të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 1972”. Kjo kritikë do të ishte e vlefshme vetëm nëse do të mund të vërtetohej se informacioni për Shehun është zbuluar nga studiuesit shqiptarë në vitin 1972. Nuk besoj se është kështu.
Argumenti i z. Uëlbank është se studiuesit shqiptarë botuan një raport “paraprak” në një revistë shqiptare në vitet 1972-73, dhe se botimi gjerman i vitit 1980 i librit të Putos ka një parathënie të datës 1976. Botimi në gjuhën angleze gjithashtu përmban një parathënie të datës 1976. Por, ka gjithashtu një “Hyrje” (pa datë), që, nisur nga dëshmitë e brendshme, nuk mund të jetë më e hershme se viti 1980. Për më tepër, parathënia e botimit në gjuhën angleze, e vitit 1981, thotë se versioni i librit është i ndryshëm nga raporti i revistës së 1972-1973. Fakti, se dihet, që kërkimet janë kryer në vitin 1972, dhe se vëllimi i vitit 1981 ka një parathënie të vitit 1976, nuk i vendos datën zbulimit të informacionit për Shehun. Pas kryerjes së një hetimi sa më të kujdesshëm që ishte e mundur, unë krijova besimin, dhe vazhdoj ende të besoj, se përpjekja kërkimore shqiptare nuk përfundoi në vitin 1972, pasi u bë një vizitë e mëvonshme në arkivat britanike (që përputhet me kohën që sugjerova), dhe se ky hulumtim i mëvonshëm ishte vendimtar në zbulimin e informacionit që çoi në vdekjen e Shehut.
Nëse z. Uëlbank do të kishte të drejtë, do të duhej të gjente një përgjigje për një nga pyetjet e mëposhtme; ose: a) si guxuan studiuesit shqiptarë të heshtnin mbi informacionin për Shehun (nëse e zbuluan në vitin 1972), ose: b) si mund të mos reagonte Hoxha ndaj një informacioni të tillë për një kohë shumë të gjatë (ka një ndryshim të madh mes nëntë vjetësh dhe disa muajsh). Kjo enigmë, paraqet më shumë probleme se sa hipoteza ime. Më tej, edhe pse z. Uëlbank ka shumë të drejtë kur thotë se “në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1971 do të hiqej dorë nga rregulli 30-vjeçar për dokumentet e FO-së për Luftën e Dytë Botërore”, lexuesit e pakujdesshëm nuk duhet ta marrin këtë me kuptimin që të gjitha dokumentet e FO-së mbi Luftën e Dytë Botërore u publikuan në vitin 1972. Shumë prej tyre u mbajtën të fshehta (dhe mbahen ende të fshehta), si brenda dosjeve individuale të nxjerra, si në dosje të tëra. Dosjet e pikasura për t’u bërë publike në vitin 1972, përmbajnë shumë heqje, të cilat janë regjistruar për t’u mbajtur mbyllur, ndonjëherë për 50 apo edhe për 75 vjet. Vlen të theksohet gjithashtu, se disa nga provat dokumentare të cituara nga Hoxha kundër Shehut, nuk vijnë nga dosjet e FO-së, por nga dosjet e Zyrës së Luftës (War Office). Disa ish-anëtarë të SOE-s në Shqipëri më treguan për dokumentet kyçe në lidhje me SOE-n dhe Shqipërinë, të cilat nuk ishin paraqitur në dosjet e FO-së në PRO (Public Records Office) në vitet 1984-1986.
Sa i përket letrës së zotit Hodgkinson, në të njëjtin numër reviste, jam i sigurt se ish-operativëve tanë të inteligjencës do t’u thuhet se raportet e tyre kualifikohen si “nënkuptime të rastësishme” dhe “thashetheme diplomatike”. Kam pasur dyshimet e mia në lidhje me mendjemprehtësinë e disa agjentëve britanikë ndonjëherë: megjithatë, nuk mund ta besoj se Hoxha do të kishte menduar se raportet e SOE-s ishin vetëm “nënkuptime” dhe “thashetheme”.
Zoti Hoxhkinson pohon se unë “nuk i jap hakun durimit të ftohtë, koherent, karakteristik të Enver Hoxhës”. Kurrë nuk i kam nënvlerësuar këto veçori, ashtu siç mendoj se kjo shfaqet gjerësisht në vëllimin që kam redaktuar së fundi, “Shqiptari dinak: Kujtimet e Enver Hoxhës” (The Artful Albanian: The Memoirs of Enver Hoxha), në të cilin trajtoj me hollësi edhe eliminimet e njëpasnjëshme të Hoxhës ndaj rivalëve të tij, realë dhe të pretenduar, dhe akuzat e tij ndaj Shehut, të cilat i cilësova si një përrallë. Zoti Hoxhkinson më qorton që nuk trajtova çështjen, nëse nisma për të hequr qafe Shehun erdhi nga Hoxha personalisht, apo nga të mbrojturit dhe bashkëpunëtorët.
Në vëllimin tim diskutoj çështjen e trashëgimisë, për të cilën duhet të ketë pasur debat (më 1981 Hoxha ishte 73 vjeç dhe Shehu 68). Një arsye se pse nuk e trajtova këtë çështje të veçantë në artikullin tim, është se nuk kam absolutisht asnjë mënyrë për të ditur përgjigjen e pyetjes, por arsyeja kryesore, është se ajo nuk lidhet me pikën thelbësore që po përpiqesha të nxirrja: se ekziston një copëz prove e rëndësishme në enigmë, e cila është e disponueshme, e dokumentuar, dhe e cila ishte injoruar në masë të madhe, – që do të thotë, se dokumentet britanike të asaj kohe flisnin për Shehun si një element të mundshëm probritanik në një luftë anti-Hoxha. Kjo është shumë e sigurt. Është e sigurt gjithashtu, se disa nga këto dokumente ranë në sy të autoriteteve shqiptare dhe personalisht të Hoxhës, ashtu siç duket edhe nga shkrimi i tij i botuar. Nuk është e sigurt se kur, autoritetet shqiptare dhe Hoxha, morën vesh për këto dokumente. Nga hetimet që kam mundur të bëj, nuk besoj se kjo ka ndodhur në vitin 1972, por ka ndodhur shumë më vonë. Dhe, pavarësisht nga theksimi i zotit Hoxhkinson mbi durimin e Hoxhës, nuk ka asnjë rast, me sa di unë, që Hoxha të ketë heshtur mbi informacione që hedhin dyshime për besnikërinë e një kolegu të lartë, për ndonjë periudhë nëntëvjeçare.
Jon Halliday, London, SW5
(“Letters”, London Review Books, Vol. 8 No. 20, 20 November 1986)
- Letër nga Frenk Uëlbank, 18 dhjetor 1986
Sër: Në përgjigjen e tij ndaj letrës sime, Xhon Hallidej (Letters, 20 November) ka ndryshuar qëndrimin e tij. Tani ai na thotë se beson që ka pasur një vizitë të dytë, të pavërtetuar, në PRO-në [Arkivat] e Londrës dhe, se pikërisht me atë rast, u zbuluan provat fatale për Shehun. Ai nuk na thotë, nëse këtë vizitë e ka bërë Arben Puto dhe kolegu i tij, apo dikush tjetër. Nëse kjo është bërë nga dikush tjetër, libri i Putos, i shkruar shumë më parë, pushon së qeni i lidhur me vdekjen e Shehut dhe ne jemi në sferën e spekulimeve. Por, qartazi, Hallidej mendon ende se këto kanë lidhje, sepse thekson faktin se ai [libri] ndryshon nga artikujt e revistës Nëntori të viteve 1972-1973. Në të vërtetë ashtu është, por vetëm në korrigjimin e gabimeve të vogla dhe shtimin e referencave. Përndryshe kësaj, ai pretendon se mbështetet në thelb (im wesentlichen) te ata artikuj. Dhe ai [version] nuk ka asnjë material arkivor më të vonë se viti 1944. Versioni gjermanisht, ashtu si ai anglisht, përmban një hyrje si dhe një parathënie, që datojnë më 1976. Atë hyrje Xhon Hallidej e daton “mbi dëshmitë e brendshme” në vitin 1980, por ai nuk tregon se çfarë dëshmie është ajo. Personalisht, do të habitesha shumë, nëse, si botimi anglisht ashtu edhe ai gjermanisht, nuk do të ishin përkthime të drejtpërdrejta të një origjinali shqip, për të cilin ishte i rëndësishëm viti 1976.
Askush nuk do të habitej kur të mësonte se dosjet e PRO-së për Shqipërinë janë seleksionuese. Por, duke qenë se ne shqetësohemi për atë informacionin që ato përmbajnë, jo për atë që hiqet, mangësitë e tyre (për historianin) nuk kanë ndikim te vdekja e Mehmet Shehut. Lidhur me këtë, formulimi i ri i Xhon Hallidejit më duket edhe më hipotetik, dhe jo më bindës se ai i vjetri.
Frank Walbank, Cambridge
(“Letters”, London Review Books, Vol. 8 No. 22, 18 December 1986)
- Letër nga Xhon Hallidej, 8 janar 1987
Sër: Letra e dytë e Frank Uëlbankut (Letters, 18 December 1986) vetëm sa turbullon ujërat. Ai vë në dukje katër pika. Së pari, se pretendimi im që ka pasur një vizitë në PRO nga një ose më shumë studiues shqiptarë pas vitit 1972 dhe, konkretisht, pak para vdekjes së Shehut, në 1981, është “i pavërtetuar”. Së dyti, se duke e bërë këtë pretendim, unë “ndryshova qëndrim”. Së treti, se nuk kam arritur të paraqes prova për një pretendim rreth datës. Së katërti, se, duke refuzuar të pranoj pikat e tij spekulative dhe të paargumentuara, unë mbetem “në sferën e spekulimeve”.
Së pari, mund të përsëris vetëm atë që shkrova më parë: më thanë, dhe, pasi kontrollova sa më kujdesshëm që munda, besoj se pas vizitës së vitit 1972 nga Putoja dhe një koleg, shqiptarët bënë kërkime të mëtejshme në PRO pak para vdekjes së Shehut. Së dyti: pretendimi se kam “ndryshuar qëndrim” duke iu referuar vizitës së dytë shqiptare në PRO. Që kur, ofrimi i informacionit shtesë është “ndryshim qëndrimi” i dikujt? Uëlbanku vazhdon të pretendojë se nëse kjo vizitë është bërë nga dikush tjetër përveç Putos, gjë që unë nuk e sugjerova kurrë, “Libri i Putos, i shkruar shumë më parë, [kështu thotë Uëlbanku – por shih më poshtë], pushon së qeni i lidhur me vdekjen e Shehut dhe ne jemi në sferën e spekulimeve.”
Ai vazhdon duke pohuar se “Hallidej mendon ende se këto kanë lidhje, sepse thekson faktin se ai [libri] ndryshon nga artikujt e revistës Nëntori të viteve 1972-1973.” Ky është një mishmash. Unë i përmenda artikujt e viteve 1972-1973 te Nëntori (një revistë shqiptare) vetëm ngaqë Uëlbanku i përmendi ato. Ato nuk ishin të lidhura me çështjen qendrore, – dhe ende nuk janë. Aq më pak t’i kem “theksuar” ato: kjo është megalomani e Uëlbankut. Thjesht sa u tregova i mirësjellshëm duke iu përgjigjur referencave të tija të parëndësishme ndaj këtyre artikujve dhe ndaj një botimi në gjermanisht të librit të Putos.
Kjo më shpie te kritika e tretë. Thashë se nga provat e brendshme, hyrja e botimit në gjuhën angleze nuk mund të ishte shkruar para vitit 1980. Uëlbanku më qorton për mosdhënie provash. Nëse do të kishte lexuar hyrjen e shkurtër do ta dinte se çfarë thuhet në të. Ajo mbyllet me fjalët: “Kanë kaluar disa vite dhe në bazë të rregullit 30-vjeçar janë vënë në dispozicion dokumentet e viteve 1945, 46, 47 dhe 48, ndërsa ato të 1949-ës, do të mundësohen këtë vit.” “Këtë vit” duhet të jetë viti 1980, pasi, në parim, dokumentet dalin më 1 janar të vitit pas skadimit të 30 viteve. (Meqë ra llafi, duhet theksuar se viti 1980-81 ishte një periudhë kyçe për hulumtimin shqiptar, pasi vinte 30 vjet pas përpjekjeve angloamerikane për të pushtuar Shqipërinë dhe për të përmbysur Hoxhën.)
Çështja se kur u shkrua hyrja nuk është një bishtnim i vogël, nga momenti që Uëlbanku e mbështeti argumentin e tij origjinal qartësisht mbi pretendimin se gjithçka ishte në dispozicion të regjimit shqiptar që nga viti 1972. U përpoqa të tregoj se meqenëse kishte materiale pas vitit 1972 në vëllimin e Putos, argumenti qendror i Uëlbankut shembet. Në fakt, është Uëlbanku ai që ndryshon qëndrimin e tij. Në letrën e tij të parë (Letters, 6 November 1986) ai pretendon prerazi se gjithçka duhet të ishte zbuluar që në vitin 1972. Tani, në letrën e tij të dytë, ai sugjeron se viti 1976 “ishte i rëndësishëm”. Edhe një herë, ai zvarritet kuturu te botimi në gjermanisht dhe te artikujt e vjetër shqip. E gjithë kjo është qesharake. Në artikullin tim origjinal nuk u bazova fare, e madje as nuk përmenda, një botim gjermanisht të librit, apo artikuj të viteve 1972-73 në shqip. Në fakt, Uëlbanku duhet të pranojë tani, se është ai që ka hyrë në sferën e spekulimeve, madje edhe me materialin që ka zgjedhur të ofrojë. Ai shkruan: “Personalisht, do të habitesha shumë, nëse, si botimi anglisht ashtu edhe ai gjermanisht [i librit të Putos], nuk do të ishin përkthime të drejtpërdrejta të një origjinali shqip, për të cilin ishte i rëndësishëm viti 1976”. Ç’kuptim tjetër mund të ketë kjo, përveç atij ku ai nuk ka kontrolluar versionet e ndryshme mbi të cilat po mbështet argumentin e tij?
Në çdo rast, e gjitha kjo është e palidhur. Ajo çka unë thashë ishte: në vitin 1981 shqiptarët botuan një rrëfim të mirëhulumtuar të makinacioneve britanike në Shqipëri gjatë luftës (deri në fund të 1944); menjëherë pas daljes së këtij vëllimi, kryeministri Mehmet Shehu u raportua se kishte kryer vetëvrasje (dhjetor 1981); fill pas kësaj, Hoxha e denoncoi atë si një agjent të shumëfishtë, dhe citoi dokumente nga PRO-ja, të cilat tregonin se Shehu ishte zgjedhur nga britanikët si një udhëheqës i mundshëm i një lëvizjeje anti-Hoxha; disa nga këto dokumente, që ishin origjinale, edhe pse nuk tregonin se Shehu ishte agjent britanik, më dukeshin të mjaftueshme për të shpërthyer dyshime serioze në mendjen e një njeriu si Enver Hoxha. Thashë se kishte shumë pak gjasa që udhëheqja shqiptare të mos kishte vepruar me shpejtësi në lidhje me këto dokumente. Unë sugjerova një lidhje midis zbulimit të këtyre dokumenteve dhe vdekjes së Shehut.
Kjo hipotezë u forcua nga informacioni se Putoja, autori i librit origjinal, ishte kthyer në PRO pak para vdekjes së Shehut. Uëlbanku shkruan: “Askush nuk do të habitej kur të mësonte se dosjet e PRO-së për Shqipërinë janë seleksionuese.” Kjo, vërtetë që e ndryshon qëndrimin e tij. E nxora në pah këtë pikë, vetëm sepse Uëlbank citoi (pa mospranim) një deklaratë të qeverisë britanike se “dokumentet FO-së” për Luftën e Dytë Botërore u vunë në dispozicion në vitin 1972. Implikimi i qartë i argumentit të tij ishte se i gjithë materiali i SOE-s dhe materialet e tjera mbi Shehun, duhet të kenë qenë në dispozicion të Putos në vitin 1972. Por, siç e theksova, ky supozim është i pavërtetë dhe mendova se ishte e nevojshme të paralajmëroja lexuesit mbi faktin se nuk ka asnjë mënyrë që të gjitha dokumentet e FO-së, e aq më pak, të gjitha dokumentet e SOE-s, të ishin në dispozicion më 1972-shin. Është pak si shumë për Uëlbankun, që të përpiqet ta portretizojë sqarimin tim për vërejtjen e tij të gabuar, si një banalitet.
Për t’u rikthyer te teza ime kryesore. Ka disa prova në PRO, të cilat më duket se janë të rëndësishme për vdekjen e Mehmet Shehut (dokumentet që e renditin Shehun në mesin e “elementëve probritanikë” dhe si një udhëheqës të mundshëm të një lëvizjeje anti-Hoxha). Në vitin 1981 shqiptarët botojnë në anglisht vëllimin e Putos, bazuar në regjistrat e PRO-së. Në dhjetor 1981 Shehu vdes, gjoja duke kryer vetëvrasje. Në vitin 1982 Hoxha zbulon disa të dhëna nga PRO-ja për Shehun.
Referencat e Uëlbank-ut, për një botim gjerman të Putos dhe artikujt e hershëm në shqip, janë të parëndësishme si për hipotezën time origjinale, ashtu si edhe për çështjen kryesore, – që është se Shehu mori të tatëpjetën jo më 1972, por shumë më vonë. Z. Uëlbank dështon plotësisht për t’iu përgjigjur çështjes së ngritur nga unë se nuk ka asnjë provë të çfarëdoshme, – dhe prova dërrmuese kundër, – mbi mundësinë që Hoxha të qëndronte joaktiv ndaj informacioneve të tilla si ato të raporteve të SOE-s. Është e paimagjinueshme që Hoxha t’ia lejonte vetes përshkrimin e Shehut si “një udhëheqës i lavdishëm”, siç bën në një libër të botuar në dhjetor 1979 (Me Stalinin, botimi i parë, faqe 96) ndërkohë që do të kishte në zotërim dokumente të SOE-s, të cilat sugjeronin se Shehu mund të ishte personi i duhur për ta rrëzuar (edicioni i vitit 1979 i librit Me Stalinin, natyrisht, u tërhoq më vonë dhe një botim i dytë u botua më 1982, pa lavdërimet për Shehun).
E vetmja gjë që mund të them është se nuk e di se çfarë ka ndodhur në Tiranë. Hipoteza ime, të paktën pati meritën e të mbështeturit në fakte të verifikueshme: dimë që shqiptarët gjetën disa gjëra mbi Shehun në PRO; dimë se ata i përdorën ato; dimë se Hoxha ishte jashtëzakonisht dyshues. Zoti Uëlbank do të donte që të besojmë se Hoxha e mbajti në heshtje informacionin e PRO-së për nëntë vjet, duke lavdëruar Shehun. Thjesht, nuk besoj se kjo është e mundur dhe, për më tepër, nga mënyra se si shqiptarët e cituan materialin e PRO-së, është e pamundur të besohet se ai nuk luajti një rol në ndarjen Hoxha-Shehu, dhe në vdekjen e Shehut më 1981. Letra e dytë e z. Uëlbank është pa lidhje.
Jon Halliday, London SW5
(“Letters”, London Review Books, Vol. 8 No. 1, 8 January 1987)
- Letër nga Frenk Uëlbank, 22 janar 1987
Sër: Më vjen keq që diskutimi për vdekjen e Mehmet Shehut është bërë i gjatë dhe i ashpër. Përmbledhja e Xhon Hallidejit në numrin tuaj të fundit, mbi atë që ai tha fillimisht, errëson pikën që më bëri të ndërhyja, në radhë të parë. Kujtdo që i intereson t’i referohet artikullit origjinal (LRB, 9 tetor 1986) do të shohë se ai i referohet veç një vizite të vetme shqiptare në Londër, se ai thotë se në këtë vizitë kërkimet e Putos “kaluan dosjen që përmbante provat më inkriminuese të shpresave të Britanisë për Shehun” (nëntor 1944 sipas asaj që jep Hallidej), dhe se nuk shfaq njohuri për ndonjë botim të mëparshëm të materialit në librin e Putos, sesa botimi në anglisht i vitit 1981. Qëllimi i letrës sime të parë ishte thjesht që të tregoja se ekzistenca e artikujve shqip të viteve 1972-3, një botim gjerman i vitit 1980 dhe (siç e supozova më vonë) një botim shqip ndoshta i vitit 1976 (data e vendosur te hyrja në gjermanisht), ul ndjeshëm rëndësinë e botimit në anglisht të dokumenteve të viteve 1939-44, në vitin 1981, si një tregues për vdekjen e Shehut, më vonë po atë vit. Vetëm në përgjigje të letrës sime, z. Halliday përmendi “vizitën e dytë”. Nëse ky nuk është ndryshim qëndrimi, nuk e di se ç’është.
Teksa z. Halliday paraqet tanimë çështjen e tij, ne duhet të supozojmë se: a) ajo që ai e quajti fillimisht “prova më e keqe kundër Shehut”, u fsheh nga FO-ja në hapjen e dokumenteve të vitit 1972; ose b) ishte aty gjatë gjithë kohës, por Putoja dhe të tjerët nuk arritën ta dallonin; ose c) më shumë prova që inkriminonin Shehun, gjendeshin në të dhënat e vitit 1945 e në vazhdim dhe u publikuan mes viteve 1972 dhe 1980. Të dy variantet, “a” dhe “b”, janë të mundshëm, por më duket si shumë e pamundur të ngjasin. Për sa i përket “c”-së, meqenëse z. Hallidej ka punuar në PRO dhe unë jo, ai ndoshta mund të na thotë se si qëndron kjo gjë.
Sigurisht që unë nuk do të përjashtoja një vizitë të dytë rreth vitit 1980, edhe pse kjo mbetet hipotetike. Ngjarja e tij sigurisht që nuk vërtetohet nga përmendja e publikimit të dokumenteve që mbulojnë vitet 1945-1949 në hyrjen në anglisht të Putos, sepse ashtu siç duket, kjo nuk thotë asgjë më shumë sesa ç’mund të deduktohet prej rregullit të hapjes së dokumenteve 30-vjeçare. Nëse në vëllimin në anglisht përfshihen dokumente më të vonshme se dhjetori i 1944-s (pavarësisht titullit të tij), a mund të na tregojë z. Hallidej se cilat janë këto dhe të paktën të zgjidhet kësisoj kjo punë? Deri tani, pavarësisht pretendimit të tij të përsëritur se në vëllimin e Putos ka “material pas vitit 1972”, ai nuk e ka bërë këtë. Ndërkohë, nuk fitohet asgjë përmes përqeshjes së argumenteve si “qesharake”, “mishmash” apo “pa lidhje”, dhe as nuk e kuptoj se në ç’mënyrë të çuditshme mund të jem viktimë e “megalomanisë”.
Frank Walbank, Cambridge
(“Letters”, London Review Books, Vol. 9 No. 2, 22 January 1987)
- Letër nga Herri Hoxhkinson, 19 shkurt 1987
Sër: Unë hezitoj të dërgoj një letër tjetër në lidhje me pyetjen torturuese lidhur me fundin e parakohshëm të Mehmet Shehut, por zelli i Jon Halliday (Letters, 8 January) e tejkalon dijen, në shprehjen e mosbesimit se një udhëheqës ballkanik do të heshtte karshi provave komprometuese kundër një rivali për nëntë vjet. Megjithatë, në rastin në fjalë, intervali mund të ketë qenë deri dyzet vjet. Në rini, Shehu ndoqi Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Kjo shkollë kishte filluar të zhvillonte atë brez profesionist, me mendje liberale dhe të shkolluar teknologjikisht, për të cilin Shqipëria kishte aq shumë nevojë, i cili mund ta bënte pushtimin komunist sa të parëndësishëm aq edhe shumë të pamundur. Shehu hyri në frymën e këtij institucioni, siç dëshmon vjersha e gjatë që shkroi (në anglisht) në revistën studentore Laboremus të janarit 1931. Titulli i saj ishte “What matter?” dhe fillonte: What matter; What sect you be; What matter if only; Your heart is free; Of hate and boast; [Ç’rëndësi ka; Çfarë sekti je; Ç’rëndësi ka veç nëse; Zemra juaj të jetë e lirë; Nga urrejtja dhe mburrja], e kështu me radhë.
Përmendte Muhamedin dhe Krishtin si mentorë, por jo Karl Marksin, për të cilin, asokohe, poeti ndoshta nuk kishte dëgjuar kurrë. Drejtues i shkollës ishte i ndjeri Herri Fulc (Harry Fultz), i cili më vonë punoi në operacionet shqiptare me Zyrën e Shërbimeve Strategjike të SHBA-së [US Office of Strategic Services].
Në mënyrë të pashmangshme, propaganda e Hoxhës e paraqiti Shkollën Teknike si një vend rekrutimi për “spiunazh” të kapitalizmit: dhe në këtë mënyrë, nëse ishte e nevojshme, çdo ish-student mund të përgojohej si një armik publik për t’u asgjësuar. Ndoshta është e vërtetë po të thuhet se të gjithë studiuesit e dikurshëm, tani janë ose në mërgim, ose në botën tjetër.
Shehu shërbeu më pas në Luftën Civile Spanjolle, dhe si rezultat ishte i vetmi shqiptar me njohuri dhe përvojë të konsiderueshme të luftimit modern. Ishte ai që udhëhoqi betejat e fundit të çlirimit, kundër trupave gjermane që tërhiqeshin; prandaj ai pati mundësinë dhe prestigjin për të ndërtuar për vete një themel pushteti, në dukje të sigurt, në Shqipërinë e pasluftës. Nga fundi i viteve shtatëdhjetë, duke pasur parasysh moshën e Hoxhës dhe natyrën e sëmundjes së tij, çështja e pasardhësve doli menjëherë në rendin e ditës; dhe bashkë me të edhe rivaliteti i grupeve të zëvendësuesve rreth dy burrave, e mbi të gjitha, ai i grave të tyre politikisht ambicioze: Nexhmije Hoxha, e cila kohët e fundit është prononcuar për çështje ideologjike dhe Fiqirete Shehu, e cila tani po vuan një burgim 25-vjeçar. Njëra nga palët vendosi se kishte ardhur koha për një goditje parandaluese. Sidoqoftë, misteri i vërtetë nuk është arsyeja se përse Shehu u asgjësua në vitin 1981, por se si arriti të mbijetojë qysh prej 1944-s.
Harry Hodgkinson, London NW1
(“Letters”, London Review Books, Vol. 9 No. 4, 19 February 1987)

Ne anglezet pordhace, por se mos vetem ne, amerikanet nen stilin tone,me pas edhe gjermanet, kemi mbledhur te dhena per cdo figure te njohur ne Shqiperi qysh nga koha e perandorise osmane! Kete e bejme edhe ne vende te tjera! Pra, jemi si ata urithet qe germojne e germojne te nxjerrin ndonje te dhene per cdo figure intelektuale, sidomos per ata qe nisin karrierat politike e administrative! Pasi i mbledhim gjithe te dhenat mbi te gjithe keta persona, rrime e i studjojme, se nuk dime si ta justifikojme rrogen! Per te justifikuar rrogen bejme raporte e i dergojme tek eproret tane. Keta lexojne vetem rreshtat e pare dhe rreshtat e fundit, ku jepet permbledhja! Dhe na rrahin shpatullat, bravo!
Keshtu sic ka vajtur kjo pune, tani ne anglezet, amerikanet e vjeter, gjermanet, francezet, italianet, etj. mmerremi vetem me mbledhjen e informatave te te huajve ne vendet e tyre dhe ne vendet tona. Ndersa te huajt bejne ato pune qe me pare i benim ne anglezet, amerikanet, gjermanet, etj. Ne gjurmojme sot edhe komentet neper internet, sepse pas 11 shtatorit kemi punesuar personel te mjaftueshem ne punen urithore! Ditet me te gezuara tonat jane kur ne zbulojme ndonje te pakenaqur nga sistemi yne demokratik perendimor, dhe menjehere ne raportojme per rrezikun nga keta agjente te fshehur! Keshtu marrim shtesa mbi page! Ndaj ju lutemi, na shani sa me shume ne internet, se na shtohet rroga!
mehmet shehun e vrane, nje vrasje oborri.
nderroi pushteti ne beograd (vdiq tito), u nderruan
edhe ne tirane (ca me vrasje, sa ja hoqen vetes, ca
dolen armiq dhe enver serbi u helmua).
Te besh “shkence” sllavo-komuniste pa thene keto
qe jane thelbi i muhabetit, me mire rri ne shpi e
mos fol, o shoku shkencetar
PËRGËZIME AUTORIT!
Ky është një punim i mirëfilltë, një kërkim shkencor me vlera. Kuptohet, të tilla punime mund të realizohen nga shkencëtarë të mirëfilltë, të cilët fatin e tyre nuk e shohin të lidhur me parti-rat “shqiptare”, e as në “frontet” e stisura bukur nga “shqiptarët” e sotëm(e të djeshëm)-lexo:-ballistë e komunistë.
Nga sa thonë ata anglezët, del se ai “diktatori i poshtër”, nuk ia paska futur kot.
Për këtë, mjafton vetëm fakti që nuk ka dalë ende, asnjë ekspert kriminalistike shqiptar, i cili të thotë:-“Shkrimi në letrën që la Mehmet Shehu, nuk është i tij”.
Nuk ka dalë e nuk do të dalë kurrë një ekspert i tillë, sepse shkrimi ishte i dorës së Mehmetit.
Autori e ka kryer këtë punë të mundimshme, për të dhënë mesazhin e duhur, që: -Shqiptarët gjithnjë janë ngrënë me njëri-tjetrin, e armiqtë e tyre “i kanë marrë hakun” vetëm njërit. Domethënë, ngrënie kokash me regji të mirëstudiuar nga “fqinjët” dhe nga “aleatët”. Ende sot, për turpin e shqiptarëve, vazhdon mes tyre kjo ngrënie kokash, por në forma të tjera, kuptohet.
Dhënia e këtij mesazhi(për ata që kanë sy dhe veshë, e që nuk janë të shitur), ka qenë qëllimi i realizimit të këtij punimi, të cilin autori e ka realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, si askush tjetër deri më sot.
Por ne, nuk na pëlqejnë të vërtetat e thëna nga të huajt. Sepse ne nuk mundemi të përtypim faktin, që ushtria gjermane u largua nga Shqipëria më datën 29 Nënto 1944, e jo më datën 28.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë gjermane, e shpalli me Urdhër-Dite, largimin e forcave të tiju nga vendi ynë.
Por “shqipot”, kanë paturpësinë t`i thonë gjermanëve: JO!
Përgëzime autorit, doemos gazetës, e cila të tilla punime serioze, do ishte mirë që t`i anonçonte në faqen e parë…
Or shoku kjo eshte propogande ruse -kujt po i rruhet per Mehmetin apo Enverin se jane me te zinje se Ballaba Pasha-a thua Mehmeti na ishte nje desident edhe duhet ngritur- Ai ishte njesoj si Enveri apo Hasbiu apo Xoxe …ku eshte ketu dicka per falje apo rehabelitim keta duhen shpallur armiq te popullit -shkrim ketu apo aty diku ne Angli ska rendesi e vrau apo vrau veten …une kam respekt per dajin e tij Bashkimin i vetmi nga blloku qe meriton respekt …te tjerat Lapsus e lavdi per regjimin monist te sllaveve ne shqipni…te jesh komunist por te duash vendin tend eshte nder, po te jesh komunist e te vrases vellain tend kjo nuk e di se si ta quaj …
Le ta pastrojne te tjeret Mehmetin.Per ne ka qene nje kriminel qe u vu ne sherbim te Dushan Mugoshes.Pa Mehmet Shehun nuk merrte pushtet Enver Hoxha.
Le ta pastroje Xhevua,qe e ka nga fshati.
MEHMET SHEHU ISHTE KASAPI I ENVERIT BASHKEFAJTOR NE TE GJITHA KRIMET E TIJ
Ky KASAP komunist fanatik vriste njerez per qef njashtu sic vrau katunaret e Lushnjes dhe u preu koqet vetem sepse nuk deshen te hynin ne Brigaden e Cubave te tij killera dhe vrastare, kur ne ne burg mesuam per vrasjen e Mehmet Kasapit pime nje gote raki kumbulle qe e kishte nje kosovar dhe ngritem dolli me fjalet:
NJE KRIMINEL STALINIST ME PAK
prandaj:
Kjo dacibao e gjate me plot llogje llafoqyli me konspiracion qesharak si estrade enveriste qe publikon gazeta DITA per zbulimin e Arben Putos kur demaskoi te Enveri Poliagjentin britanik, Mehmet Shehu duket si propagande bolshevike alla Peter Lluckas me gjithe Lukunine e bedelave te blere nga Partia e Punes,
sepse:
MEHMETI REALISHT ISHTE NJE KASAP KOMUNIST GDHE FANATIK KATUNAR DRU ME PRE QE NUK PATI GUXIMIN I PARI TE VRISTE ENVER SATANANE SIC BERI MARSHALLI ZHUKOV NE KREMLIN
qe:
E meritoi plotesisht ate fund te turpshem
Për hir të vërtetës!
Këta studjues britanikë përtypin dhe ripërtypin datat kur janë deklasifikuar informacionet deri tek më i fundit në vitet 1972-1973 dhe mendojnë se M. Shehu e pësoi nga informacioni i deklasifikuar britanik që e “quante atë njeri të mirë për të udhëhequr lëvizjen për të rrëzuar Hoxhën”. Supozimet dhe hamendjet që përmbajnë informacionet e deklasifikuara me shkurtime janë nxjerrë nga marrdhëniet e udhëheqjes shqiptare me misionet e huaja, thonë ata.
Duket qartë nga portretizimi që i bëjnë ata dy personazheve historikë se objekti i tyre nuk ishte M. Shehu por E. Hoxha, karakteri i tij gjakftohtë, i duruar, koherent apo shpërthyes për të kuptuar datën e vdekjes së M. Shehut. Enigma e tyre e parë është pse E. Hoxha priti 9 vjet për tu marrë me M.Sheun, nuk e gjejnë dot mbasi mendonin se kjo nuk kishte ndodhur herë tjetër më parë. Enigma e dytë është se heshtja për 9 vjet bën të pashpjegueshme “kohën e vdekjes së Shehut.” Bëjmë pyetjen se kur duhej të vdiste ai që të ishte e shpjegueshme për ta? Xhon Hollidej mendonte se E. Hoxha nuk i shihte informacionet britanike vetëm si “nënkuptime” dhe “thashetheme”. Enigma e tyre e tretë është: “Sidoqoftë, misteri i vërtetë nuk është arsyeja se përse Shehu u asgjësua në vitin 1981, por se si arriti të mbijetojë qysh prej 1944-s” Kuptohet se ishte i rrezikuar nga dekonspirimet e hamendësuara se “Shehu ishte njeri i britanikëve e se kjo do të çonte në çarje ndërmjet Shehut dhe Hoxhës”. Supozime pa fakte. Faktin e dha vetë M. Shehu me flijimin e tij.
Studjuesit britanikë patën mirësinë të pohojnë se “pas eleminimeve që kryente Enver Hoxha ka pasur shkaqe reale dhe jo thjesht spastrime kundërshtarësh.” ose “ka ekzistuar gjithmonë një shkak i mirë pas pastrimeve të njëpasnjëshme deri më 1981.” Dhe kjo, pa dyshim ka një domethënie vetërrëfyese edhe për përpjekjet britanike për të rekrutuar agjentë në shërbim të tyre. Në fakt, sipas dokumenteve, reagimi i parë i E.Hoxhës kur vinin informacione me supozime ose nënkuptime pa fakte ishte vigjilenca për të ruajtur unitetin në udhëheqje dhe në parti.
Studjuesit britanikë nuk patën parasyshë faktorin kryesor në gjithë këtë histori, arritjet e mëdha dhe përparimin e Shqipërisë me punën e përbashkët nën udhëheqjen e Enver Hoxhës. Drejtësia, besnikëria dhe atdhedashuria e tij e përkushtuar e kishin bërë atë udhëheqës të dashur e të paprekshëm popullor. Po kështu edhe për vetë Mehmet Shehun i cili sipas një programi demokratik që mbante në kasafortë punonte dhe priste rastin e tij. Po ai e njihte mirësinë E. Hoxhës si shok lufte, pune dhe jete dhe nuk mund ta dëmtonte udhëqësin e popullit për asnjë arsye. Veç kësaj, as ai dhe askush tjetër nuk mund të merrte mbi vete një turp të till para fisit, shqiptarëve dhe historisë. Ai zgjodhi vetëflijimin sa burrnor aq edhe besëprerë ndaj E. Hoxhës dhe Shqipërinë se e la në duar të dyshimta që e rrënuan atë, pastaj dhe e dogjën për ta grabitur. Po të hapej Mehmeti te Enver Hoxha mund të gjente përkrahje si gjithmonë dhe së bashku do të gjenin një zgjidhje më të mirë me idenë e E. Hoxhës të hapjes me Perëndimin dhe Shqipëria do të ishte sot në një nivel të mirë demokratik dhe ekonomik. Mesa duket kjo nuk ishte në dorë të M. Shehut ose zullumi i tij ishte fatal e i papranueshëm. Kasandra.
Nuk i heq asnke presje komentit Tuaj