Debati për demarkacionin,Thaçi: U besoj hartave të NATO-s e jo ekspertëve jugosllavë

Elton Tafaruci

Ekspertë, deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të partive politike janë mbledhur në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi.

Në këtë debat po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në debatin për demarkacionin tha se një takim i tillë do të rrisë edhe më shumë transparencën e këtij procesi.

“Që në fillim dua të theksoj se çështja e demarkacionit si problem shtetëror është inekzistent”, tha Thaçi. Ai shtoi se Kosova nuk ka humbur asnjë milimetër tokë nga ky përkufizim.

Thaçi lexoi pikën e 12-të të Deklaratës së Pavarësisë e cila thotë se, Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit.

Thaçi tha se Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i themeluar në vitin 2012, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese e ligjore, ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, nga çka edhe, sipas tij, ka rezultuar me Nënshkrimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, në Vjenë më 26 gusht 2015.

Duke mbrojtur vërtetësinë e Komisionit, Thaçi tha se ata kanë bërë punën duke u konsultuar ngushtë edhe me aleatët e vendit. “Unë ju besoj hartave të NATO-s e jo të ekspertëve jugosllavë”, tha Thaçi në fjalimin e tij.

Mustafa: Demarkacioni nuk do të votohet vetëm për t’u përmbushur kriteret për viza

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke folur  në debatin për demarkacionin, ka thënë se nuk është dëshmuar që asnjë pëllëmbë toke i është marrë Kosovës. Sipas tij, demarkacioni nuk do të votohet vetëm për t’u përmbushur kriteret për viza.

Në deklaratën e tij, Mustafa ka thënë se shënjimi i vijës kufitare është proces historik, pasi shndërrohet në kufi shtetëror, që forcon subjektivitetin e vendit dhe krijon kushte për marrëdhënie stabile, duke i kontribuar paqes dhe sigurisë.

Mustafa thotë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, është rast i veçantë, për shkak të mënyrës se si ishte shpallur ajo me ndihmën e komitetit ndërkombëtar, andaj sipas tij, duhet respektuar parimet, mbi të cilat është shpallur pavarësia e vendit dhe janë dhënë zotime për qytetarët dhe komitetin ndërkombëtar.

Mustafa më tej tha se kufijtë e Kosovës janë pikërisht ata që janë parashikuar në Pakon e Ahtisarit. Sipas Mustafës, me shënjimin e kufijve do të ruajnë sovranitetin dhe integritetin e fqinjëve.

I pari i vendit ka bërë të ditur se kanë biseduar me qytetarë dhe përfaqësues të agjencive të ndryshme, nga të cilët ka kërkuar që të argumentojnë nëse ndonjë pronë e tyre ka kaluar në Malin e Zi.

“Nuk guxojmë të luajmë me fatin e  Kosovës për interesa politike, as të pozitës as të opozitës. Kemi plane më të mëdha, si shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, integrimi në procese evropiane e të tjera”, tha Mustafa.

Veseli: Kjo është një ditë e veçantë për demokracinë e vendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka cilësuar mbajtjen e  këtij debati si një ditë shumë të rëndësishme për vendin, demokracinë e shtetit, për qytetarët e Kosovës si dhe për fqinjët e partnerët ndërkombëtarë.

“Vërtetë kjo ditë është e veçantë për të gjithë qytetarët e vendit. Kemi kaluar një vit të plotë i cili nuk ka qenë i lehtë me disa tema që kanë pasur të bëjnë me sovranitetin e Kosovës, me interesat e qytetarëve tanë që jetojnë në pjesë të caktuara, dhe kemi pasur të bëjmë me një marrëveshje me fqinjët tanë në Mal të Zi. Unë e konsideroj sukses të jashtëzakonshëm. Kjo është mënyra se si ne duhet të debatojmë edhe në kohët kur ne nuk merremi vesh, të ballafaqohemi me fakte e argumente”, tha Veseli .

Veseli shtoi se Kosova është e interesuar që të zhvillojë marrëdhënie të mira me Malin e Zi.

“Këtë duhet ta bëjmë për ata të cilët na besojnë, për jetën e tyre më të mirë, për mbrojtjen e identitetit të qytetarëve, por edhe të sovranitetit. Synojmë që të përçojmë mesazhin te fqinjët tanë për të treguar se sa e rëndësishme është që të kemi raporte të mira me fqinjët. Jemi të interesuar të kemi raporte të mira me Malin e Zi, i cili është njëri ndër vendet e para që njohu pavarësinë e shtetit tonë”, tha Veseli.

Përveç tyre, prezent janë edhe ambasadorët e shteteve të akredituara në Kosovë./KosovaPress

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *