Zoti Kryeministër !
Unë, Ylli Gogo Nushi, e ndiej urgjentisht të nevojshme t’ju informoj ju për sa më poshtë vijon:
Me vendim të formës së prerë për shkak se mua ligji nuk më jep të drejtë ankimore – Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë më 11.01.2013 ka hedhur poshtë kërkesën time drejtuar atij organi me anën e së cilës unë kërkoja pezullimin e vendimit të marrë po prej asaj gjykate me anën e të cilit urdhërohej Zyra Përmbarimore për të më nxjerrë mua familjarisht – forcërisht nga banesa ku jetoj prej vitesh në qiell të hapur në zbatim të aktit normativ “Për lirimin e shtëpive të ishpronarëve”. Në lidhje me sa më sipër dua t’ju sqaroj:
1 – Me vendim të marrë nga ana e Gjykatës së Tiranës , përpara vendimit të dt. 11.01.2013, sipas kërkesës së bërë nga Enti Kombëtar i Banesave, urdhërohem të liroj banesën ku banoj. Pasi u njoha nga Zyra Përmbarimore, brenda afatit ligjor, më dt. 31 dhjetor 2012, iu drejtova Gjykatës së Tiranës me një kërkesë ankimore me anën e së cilës i parashtroja asaj gjykate që, pasi të administronte provat e nevojshme, ta deklaronte të pavlefshëm vendimin e marrë për të nxjerrë familjen time nga banesa, për arsye se apartamenti ku unë jetoj jo vetëm s’ka qenë kurrë pronë ish pronarësh, siç bëhet fjalë në aktin normativ, por mbi të gjitha sepse ndërmjet palëve në mirëkuptim me njëra tjetrën pasi unë i dorëzova ishpronarëve shtëpinë ku banoja deri në vitin 1997, është nënshkruar një akt marrveshjeje, sipas së cilës është rënë dakort që: Pasi shteti të më akordonte mua kredinë përkatëse dhe unë të shlyej detyrimin tim sipas aktmarrëveshjes, apartamenti ku unë banoj aktualisht do të kalojë në pronësinë time. Pra, në rastin konkret akti normativ nuk ka aspak forcë ligjore ndaj meje, sepse banesa ku unë banoj dhe kërkohet të lirohet nga Enti nuk ka qenë ndonjëherë e shpronësuar dhe zgjidhja juridike nëse ndonjëra prej palëve ka pretendime nuk mund të bëhet veçse mbi bazën e legjislacionit në fuqi si në çdo rast tjetër të kësaj natyre.
2 Siç vura në dukje më sipër, unë kërkesën time e bëra brenda afatit ligjor, por për shkak se gjatë ditëve të para të fillim vitit gjykata nuk kryente asnjë hedhje shorti, si edhe për shkak se zyra përmbarimore më kishte vënë si afat të ekzekutimit të vendimit dt. 15 janar, u detyrova të bëja një “sigurim padie”, me anën e së cilës siç u shpjegova dhe në fillim të kësaj ankese, gjykata megjithëse u vu në dijeni për një shkelje flagrante ligjore, jo vetëm nuk reagoi, por mbylli sytë ndaj realitetit dhe në vend që të urdhëronte pezullimin e vendimit i hapi rrugë një vendimi krejtësisht antiligjor. Pra, u bë bashkëpunëtore me një mashtrim ligjor të bërë nga Enti i Banesave, i cili nëse do të vihet në zbatim do të shkelte rëndë në mënyrë flagrante të drejtën njerëzore të një familjeje të tërë.
Nga sa theksova mësipër unë kam qenë dhe jam i bindur plotësisht se e drejta ka qenë dhe vazhdon të jetë me mua dhe zgjidhja e kësaj çështjeje s’ka nevojë as për përmbarim dhe as për policë, por për një shqyrtim objektiv nga gjyqtarë me ndërgjegjje të lartë juridike. Qofsha i gabuar, por kam mendimin se gjithë ky nxitim i panevojshëm dhe ky veprim kaq absurd dhe antiligjor, është i paramenduar për të mos më lënë hapësirë për të marrë sadopak frymë vetëm sepse unë jam i biri i Gogo Nushit. Për mua ky vendim është haptas i kundraligjshëm, një vendim politik të cilin me përbuzje refuzoj ta zbatoj. Refuzoj ta zbatoj jo për kapriço, por sepse unë jam në shtëpinë time dhe detyrimi im i vetëm është zbatimi me rigorozitet i aktmarrëveshjes.
Me profesion unë jam jurist, madje për disa vite kam qenë edhe gjyqtar dhe e di mirë se ç’do të thotë të japësh një vendim te padrejtë. Është njësoj sikur një mjek t’i japë pacientit të tij një ilaç që në vend ta shërojë e helmon, e vdes atë.Te tre fëmijët e mi që nuk e kanë jetuar kohën time, por që jetojnë me parimet e demokracisë së vërtetë, janë aktualisht para një dileme për jetën. Ju lutem që me kompetencën që iu jep ligji, të ndërhyni pranë Entit të Banesave për anulimin e Aktit që nxjerr ndaj meje në kundërshtim flagrant me ligjin, mbasi unë nuk jetoj në shtëpi të shpronësuar, por me kontratë qeraje të rregullt dhe nuk jam aspak subjekt i Akti Normativ Nr.3 të Qeverisë i kthyer tashmë në ligj.
Ylli Gogo Nushi
Tiranë, më 12.01.2013
Botuar sot ne DITA (Foto: Nje vajze duke u perlotur, gjate aksionit policor per zbatimin e aktit normativ te qeverise per lirimin e banesave per ish-pronaret, ne godinen e cerdhes numer 46 prane 21 Dhjetorit. LSA)
Nuk ju mjaftoi që i grabitët dhe i mbajtët shtëpitë e pronarëve të vërtetë për më se 65 vjet, duke i degdisur ata nëpër burgje, kampe përqendrimi apo në kasolle e bodrume të ndryshme, por edhe sot që qeveria mezi mori një vendim të drejtë për ta, protestoni. Ikni dhe merrni shtëpi me qira, ashtu siç bën gjysma e popullsisë së këtij vendi.