Mozaiku “Shqipëria” i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, një vepër arti që prej vitesh paraqet shumë probleme, është i rrezikuar. Deri më tani asgjë nuk është bërë nga ish zyrtarë të Ministrisë së Kulturës apo dhe drejtues aktualë të këtij dikasteri. Mozaiku që ndodhet në ballinë të kësaj godine, më shumë se një vit më parë u dëmtua rëndë (për shkak të motit të keq). Pllakëzat e tij ranë në rrugë, duke krijuar hapësira boshe të dukshme në mozaik, praktikisht duke e shkërmoqur atë. Ndonëse problemet e rënda janë konstatuar prej vitesh nga specialistët duke vënë në dijeni për dëmtimin tërësor edhe Ministrinë e Kulturës, masa konkrete për të, nuk janë marrë ende. As me rastin e vizitës së Papës në kryeqytet, duket se fondet për të nuk ia kanë dalë të mblidhen dhe pse çdo muaj që kalon e bën më të rëndë gjendjen e tij, duke zvogëluar njëherazi edhe mundësitë e përmirësimit të tij.
Në muajin gusht të këtij viti me vendim të Këshillit të Ministrave, u akorduan 44 milionë e 729 mijë lekë për rikonstruksionin e Muzeut Historik Kombëtar, e gjitha kjo u bë në kuadër të vizitës së Papës në Tiranë. Ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar parashikonte rikonstruksionin e tarracës së objektit (e nevojshme), pastrimin e mureve, ndërrimin e pllakave, ndërhyrjen në zonën e Atriumit (zëvendësim pllakash), që është oborri i pasmë i Muzeut Historik, ku gjendet edhe një pishinë; u bë edhe izolimi i mureve anësorë. Por vetëm kaq. Në rikonstruksion, nuk u parashikua ndërhyrja në mozaikun e muzeut. Muzeu dhe drejtuesit e tij, pavarësisht se e kanë në trupin e tyre këtë vepër arti, nuk kanë asnjë kompetencë të ndërhyjnë në të. Ne u interesuam pranë Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore. Drejtoresha e saj, Zhuljeta Harasani na tha se gjendja e mozaikut është shqetësuese. “Për shkak të depërtimit të ujërave të shiut në të, ka rënie të teserave të mozaikut. Ka një plan për restaurim dhe ndërhyrje në të, por ende asgjë konkrete. Jemi në fazën kur po lobojmë për fonde”, thotë më tej drejtoresha.
Degradimi
Në një studim të realizuar në vitin 2010, doli në pah fakti se dëmtimet që ka pësuar gjatë viteve janë të pakthyeshme, çka do të thotë se jetëgjatësia e ka nisur prej kohësh numërimin mbrapsht. Pas fazës së identifikimit të dëmtimeve në strukturën e mozaikut, pasoi një fazë tjetër, gjatë së cilës specialistë shqiptarë e të huaj bënë një tjetër verifikim mbi jetëgjatësinë e kësaj vepre. Të gjithë ishin në një mendje, se jetëgjatësia e tij varion në dhjetë deri në 30 vite. Arsyet pse kjo vepër u shkatërrua janë të shumta, por duket se kryesorja e ka zanafillën qysh 30 vjet më parë. Duket se ai është bërë keq që në gjenezë. Sipas raportit të dalë nga ky studimi i vitit 2010, rezulton se një nga problematikat e shumta shqetësuese, e cila mendohet të jetë dhe nga më kryesoret, ka të bëjë me degradimin në një shkallë të konsiderueshme të materialit përbërës dhe lidhës, i cili për shkak të presioneve mekanike në vetë strukturën përbërëse, faktorëve ambientalë, si dhe ndryshimeve të shpeshta termike, ka arritur një shkallë të lartë degradimi. Një tjetër problematikë ka të bëjë me korrozionin në shumë vende të pakthyeshëm të zgarës metalike të hekurit, duke e bërë gati të padobishëm trajtimin e tij në mënyrë kimike. Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është realizuar në vitin 1981 nga një grup artistësh shqiptarë: Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.
Intervista/
Aleksandër Filipi tregon kohën kur së bashku me katër miqtë e tij ndërtuan veprën simbol të Tiranës. Sipas tij, njerëzimi nuk do të kishte sot gjithë këtë trashëgimi kulturore, nëse nuk do të restauronte
Filipi: Si e ndërtuam mozaikun 33 vite më parë
U ndërtua tre dekada më parë për të pasqyruar historinë e kombit shqiptar nga pikëpamja epokës komuniste. Tani, e ardhmja e mozaikut 440 m2 që ndodhet në qendrën kryesore të Tiranës duket e pasigurt. Disa e shohin atë si një simbol i diktaturës komuniste dhe duan që ajo hiqet, të tjerët e shohin atë si një pjesë të historisë që duhet të ruhen për gjeneratat e reja. Mozaiku urgjentisht ka nevojë për riparime, ndërsa është i copëtuar. Ai u ndërtua në vitin 1981, pesë artistë kanë punuar së bashku për 1 vit e gjysmë. Mbi 300.000 copa guri janë përdorur për ta ndërtuar, duke u cilësuar kështu si një nga më të mëdhenjtë në Ballkan. E ndërsa ky mozaik është ndërtuar në kohën e komunizmit, kritikët e artit thonë se është një vepër që duhet të mbrohet.
Aleksandër Filipi, një nga pesë artistët që ka bërë këtë mozaik, beson se nuk është tepër vonë për të shpëtuar atë. Në një intervistë për Dita-n, ai tregon se si u ndërtua dhe pse duhet të restaurohet.
Aleksandër, mozaiku “Shqipëria” sot tregon një gjendje të mjeruar. Ju jeni një ndër autorët e kësaj vepre arti, si e gjykoni sot këtë situatë?
Janë hedhur disa ide për t’u restauruar dhe më pas u konkludua nga specialistë të IMK, që ajo nuk mund të restaurohet dot. Ka një problem që e kemi thënë dhe para dy vitesh. Flitet për këtë vepër, por ne që jemi autorët e saj jemi në Shqipëri dhe nuk na kanë thirrur për këtë vepër. As nga Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk na kanë kontaktuar, veç një telefonate që m’u bë mua para disa muajsh, më kërkuan një preventiv dhe… kaq. Ne si autorë, atë mozaik e kemi bërë në kushtet optimale të bërjes së një mozaiku, por mozaikë të tillë që janë në kontakt me kushtet atmosferike, me diellin, shiun, etj., natyrisht që kanë dhe rreziqe për t’u dëmtuar. Në grupin tonë si autorë të mozaikut, ne kemi dy autorë që janë marrë shumë me mozaikët, Josif Droboniku dhe Agim Nebiu. Këta kanë bërë sipërfaqe mozaikësh pa fund, dhe zor se ka piktor mozaiçist në botë që të ketë bërë kaq shumë mozaikë. Dhe ata nuk i kanë bërë vetëm në Shqipëri, të dy këta punojnë në Itali dhe kanë vendosur mozaikë në kisha apo dhe institucione të ndryshme. Pra kush mund të pyetet më shumë se këta, kur janë specialistë, janë profesionistë?

A ka probleme teknike ky restaurim?
Me konsultimet që kam bërë dhe me shokët, restaurimi i veprës bëhet. Nëse ne do të angazhohemi nga shteti për këtë punë, pra për ta studiuar, parë, etj., atëherë mund të konkludojmë për veprën. Njerëzimi nuk do të kishte sot gjithë këtë trashëgimi kulturore, nëse nuk do të restauronte. Ne këta jemi dhe këtë trashëgimi kulturore kemi. Po nuk u kushtuam vëmendje, kështu do të na prishen të gjitha gjërat veprat e artit. Në Shqipëri janë restauruar mozaikë të 2 mijë viteve më herët dhe jo më ky. Mozaiku duhet të jetë, ai restaurohet shumë normalisht.
Pas tre dekadash, nëse kthehemi pas në vite, si e kujtoni punën për këtë vepër arti?
Ne, kur e ndërtuam nuk u diskutua puna e betonit, por ngjyrat e gurëve të mozaikut, pasi mendonim se mos zbardhej. Për fat firma e prodhimit ishte e mrekullueshme, dhe gurët nuk kanë pësuar ndryshim ngjyre. Ajo ishte një kompani nga Venecia, e aftë për këtë punë. Por dhe vendosja e mozaikut është një praktikë shumë e njohur. Në vitin 1981 përfundoi dhe vendosja e mozaikut në fasadë. Ne, gurët i ngjisnim në një letër dhe letrat merreshin pjesë-pjesë dhe montoheshin atje, me një procedurë të ndërlikuar, por çdo gjë u bë perfekte. Mbi suvanë e ashpër që kishte ndërtesa, u shtrua kjo suva me çimento 500-she dhe gurët u ngjitën mbi këtë, duke mbushur fugat nga brenda, më pas hiqej letra, lahej, dhe dilte figura duke u realizuar figura së prapthi në të kundërtën e imazhit, sepse kur montohej dilte mbarë. Vërtet ky mozaik me aq sa kam parë, po vijojnë të bien gurët dhe kjo dihet që krijon shqetësim për perspektivën e tij, por unë i referohem një principi të rëndësishëm. Çdo gjë ka limitet e veta të skandencave dhe do të na prishej çdo gjë, prandaj duhet investim në këtë vepër. Mozaiku tani ka marrë përmasat e një vepre që nuk është thjesht një vepër që u bë në atë kohë, sepse ajo është e tejkohshme si vepër dhe jo vetëm ilustrim për një periudhë të caktuar. Sfondin e luftërave gjatë gjithë historisë së një populli për mbijetesë e shoqëron qendra me ecjen përpara, dhe kjo nuk atakon ndonjë sistem.
Ka patur një debat për prishjen e tij, ju vetë megjithëse jeni një ndër autorët, pas kaq vitesh, si e gjykoni si vepër?
Çdo shqiptar aty e ndjen veten mirë me atë imazh që përcjell ai mozaik, tjetër gjë është më pas preferencat e tipit subjektiv për arte të ndryshme. Por veprat kanë vendin e tyre dhe nuk mund të mohohen. Ajo vepër u realizua në kohën e sistemit komunist. Qëllimi ynë ishte për të qenë një vepër e përtejkohshme dhe mendojmë se ajo e mban këtë vlerë. Edhe atë kohë kur u realizua, tentohej të kontestohej mozaiku. U tha që mungojnë atributet e punës nga njerëz që mendonin se ishin po të mençur, madje ne u trembëm, por thamë se nuk kemi bërë asgjë. Por kështu ka ndodhur dhe në botë, kur janë bërë gjëra të rëndësishme, të mëdha, përtej rutinës, ka pasur sherre, por për fat i kanë ruajtur veprat. Nga ky shembull i botës të shohim dhe ne. Çdo sistem shoqëror ka kontestim për atë që kaloi, por vepra e artit flet me gjuhë universale, me gjuhë të përjetshme.


Ai muze, duhet shembur, eshte nje shemtire e modelit sovjetik e kinez, qe nuk pershtatet aspak, me ndertimet perreth.
Shembja e pallatit te kultures dhe muzeumit kombetar, do te hapte vend, per nje ndertim dinjitoz, qe i pershtatet ndertimeve ne bulevardin deshmoret e kombit.
Une me syrin tim, jo te sprovuar, por qe kam pare shume kryeqytete te botes, mendoj se vendi qe hapet me heqjen e kesaj shemtire, (si ndertim), qe quhet muze, mund te hapet nje vend, ku me ane te tuneleve, metro, te behet ndoshta jo shume larg, nje stacion i nendheshem, hekurudhor.
Cdo kryeqytet, ka nje dalje tramvaji, ne qender.
Ne vendin e pallatit te kultures, te ndertohen nje godine, ku te perfshije teatrin e operas dhe baletit, me nje salle gjigande dhe muzeun kombetar.
Mozaiku, panvaresisht mjeshterise se autoreve, eshte jashte cdo koncepti bashkohor qe ne jetojme.
Ndoshta vete mozaiku, mund te jete i ekspozuar ne muzeum, ne pavionin e diktatures.
Dëmtimi i mozaikut,-dhuratë për 70-vjetorin e çlirimit znj. Entela? Partizanët si pjese e këtij mozaiku,duhet të venë në 70-vjetor të coptuar e të shkarravitur sipas dëshirës së kuislingëve !!? Kini bërë mirë Entela që ju tregoni njerëzve gjumin e Rustem peçit dhe të Edi Ramës në prag të festës së çlirimit? Turp,shumë turp!? Nderime Entela!