Johanna Deimel, zëvëndësdrejtoreshë e Organizatës së Evropës Juglindore, bashkëautore e librit “Urë mbi ujëra të trazuar. Roli i ndërkombëtarëve në Shqipëri” thotë në një intervistë për radion gjermane Deutsche Welle që mendon “se përfshirja e ndërkombëtarëve në krizat politike të vendit po shkon drejt një limiti”.
Më poshtë pjesë nga intervista e saj:
DW: Çfarë mendoni për shfaqjet publike të aktorëve ndërkombëtarë në Shqipëri?
Deimel: Ne jemi fokusuar në përfshirjen e ndërkombëtarëve që në vitin 2008 dhe deri në shtatorin e këtij viti. Ajo çka kemi kuptuar është se në Shqipëri ka një perceptim se ajo është një ndër vendet më të rëndësishme në botë ku ndërkombëtarët kanë diçka për të thënë dhe duhet të kenë diçka për të thënë. Ne rekomandojmë shumë fuqimisht që kjo kakofoni e aktorëve ndërkombëtarë duhet të shkojë drejt një fundi dhe ata duhet të japin vetëm mesazhe të qarta. Kam ndjekur zhvillimet në muajt dhe javët e fundit dhe kuptoj se ka një lloj përpjekjeje të kombinuar të udhëhequr nga BE-ja dhe ka zëra të fortë, mesazhe të forta dhe të gjithë që shkojnë në të njëjtin drejtim.
I njëjtë ka qenë edhe mesazhi i Sekretares së Shtetit amerikan Hillari Klinton, Filip Gordonit e kështu me radhë, që kanë dhënë një mesazh shumë të qartë: Ju lutemi politikanë shqiptarë, përmbushni kriteret dhe prioritetet kyçe, implementoni ato reforma për të cilat keni rënë dakord dhe ecni përpara! Tani shoh një trajektore më të drejtë dhe më pak kaos në deklarata të ndryshme të lëshuara nga aktorët ndërkombëtarë në terren dhe në media.
Pjesë e raportit tuaj ka qenë edhe sistemi gjyqësor, dosjet “Gërdeci”, video-skandali Meta-Prifti dhe viktimat e 21 Janarit. Si e shikoni pozicionimin e ndërkombëtarëve përballë këtyre dosjeve, veçarërisht deklaratat e dhëna prej tyre pas vendimit të gjykatave?
Deimel: Në raportin tonë ne e quajmë këtë “kurthi ligjor”. Që do të thotë se për të gjitha këto vendime gjykatash, ndërkombëtarëve iu desh të binin në grackë pasi njohën dhe pranuan këto vendime, edhe pse ato nuk përputheshin jo vetëm me moralin, por edhe me logjikën gjyqësore se cili duhet të ishte vendimi i vërtetë. Pati ndërhyrje të elitës qeverisëse gjatë këtyre proceseve gjyqësore, si dhe ish-ministrat Mediu, Basha dhe Meta “iu fshehën” drejtësisë duke shfrytëzuar imunitetin. Mendoj se është shumë e rëndësishme që këto çështje të zgjidhen në një mënyrë shumë transparente, Gërdeci është ende në shqyrtim. Kam parë sërish përpjekje përmes amnistisë ose tentativa për të ndaluar prokurorinë, sepse familjarët e viktimave duan të rihapin çështjen kundër Mediut, tashmë që ligji për imunitetin ka kaluar dhe se imuniteti mund të hiqet. Sa për çështjen e 21 Janarit, është nga ato çështje ku kërkesat duhen plotësuar dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë janë shumë të qartë në mesazhet e tyre në lidhje me këtë çështje.
Zonja Deimel, në muajin dhjetor Komisioni Evropian do të publikojë vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. A mendoni se Shqipëria është gati për të qenë pjesë e BE-së, pavarësisht përmbushjes së reformave?
Deimel: Do të jetë shumë, shumë, shumë e vështirë. Unë dhe kolegët e mi besojmë se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, pavarësisht të gjitha mangësive që vendi i ka ende dhe po përballet çdo ditë, statusi i vendit kandidat është mjeti i vetëm që të mbajë në vijimësi procesin e reformave. Vetëm në këtë mënyrë hapen hapësira për aktorët e shoqërisë civile, dhe hapen horizonte të reja horizontale dhe jo vetëm vertikale, për të ecur përpara. Por… Ajo çka unë shikoj është shumë kriticizëm dhe skepticizëm përreth. Holanda, për shembull, ishte shumë e qartë kur tha se vendi nuk është ende gati. Dhe ne të gjithë e dimë se Këshilli i Evropës ka 27 vota, dhe sikur vetëm njëri prej tyre të mos votojë në favor të Shqipërisë, statusi nuk do të merret. Dhe më duhet të them që masa e kritikëve është gjithnjë e në rritje.
nuk jemi gati
ambasadoret kane ngrene nga corba e pushteti