Deputeti i PD-së, Genc Pollo deklaron se ekziston një listë me 130 emra si të dyshuar për vepra të ndryshme penale dhe që janë aktualisht në administratën publike. Në këtë listë, PD, thotë se ka denoncuar që në vitin 2014 edhe emërimin në administratë të Klemend Balilit, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit” e që sot është në kërkim ndërkombëtar.
“Nga nëntori i 2013, e deri ditët e fundit, PD për shkak të informacionit që mbledh ka denoncuar një për një me emër e mbiemër personat që janë denoncuar në poste kyçe të administratës dhe numri i denoncimeve ka shkuar tek 60-65. Janë 130 persona të emëruar nga qeveria Rama-Meta, drejtorë, shefa sektori e deri tek specialistë. Janë 130 për të cilët ne kemi dyshimin që kanë bërë vepra penale në Shqipëri dhe jashtë vendit. Duke përgatitur këtë letër, plasi Eskobari i Sarandës dhe na rezulton që Balili ka qenë i 11 në listë dhe është denoncuar nga Ristani në vitin 2014. Lista është me emrat e 130 persona për të cilët ne mendojmë dhe dyshojmë se janë persona të ngjashëm me Balilin”, tha Pollo.
Deputeti demokrat tha se opozita ka kërkuar nga dikasteret përkatëse që të sigurojë formularët e vetëdeklarimit për këta persona.
Ndërkohë, ministrja Harito tha se nuk mund të verifikohej për momentin nëse ka patur dorëheqje të pazakonta nga administrata shtetërore në prag të përfundimit të afatit të vetëdeklarimit.
