Komisioni i posaçëm parlamentar për zbatimin e marrëveshjes mazhorancë-opozitë, i njohur ndryshe si komisioni i ‘Dekriminalizimit,’ shtyu për të hënën mbledhjen e parashikuar mesditën e sotme. Sipas burimeve nga komisioni, me kërkesë të anëtarëve të PS-së u ra dakord që mbledhja e ardhshme të mbahet më 14 shtator.
Të enjten, para fillimit të seancës plenare, u mblodh Konferenca e Kryetarëve, qe vendosi përfshirjen në programin e punës të Kuvendit të dy nismave ligjore, projektligjit ‘Për dekriminalizimin” dhe disa shtesave dhe ndryshimeve në Kushtetutën e Shqipërisë, të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan përfshirjen e nismës së tyre ligjore në kalendarin trejavor të parlamentit, për t’i hapur rrugën miratimit brenda shtatorit. Por, sipas procedurave, fillimisht drafti u përfshi vetëm në programin e punës.
Në shkurt 2015 Kuvendi vendosi ngritjen e komisionit të posaçëm për zbatimin e marrëveshjes maxhorancë-opozitë, e miratuar më 24 dhjetor në parlament, çështje kryesore e së cilës është dekriminalizimi i parlamentit dhe administratës publike, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, etj.
