Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi sot Kryeministrin Rama në vizitën e tij zyrtare në Çeki. Gjatë paradites Ministri zhvilloi një takim me homologun e tij, Ministrin për Tregtinë dhe Industrinë, z. Jan Mladek, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe mundësitë për bashkëpunime të mëtejshme në shumë fusha.
Një nga sektorët kryesorë që për Ministrin Mladek paraqet interes për kompanitë çeke është projekti i gazifikimit dhe hidrocentralet.
Ndërkohë, pas takimit që u zhvillua mes Delegacionit shqiptar dhe atij Çek u firmosën 5 marrëveshje për bashkëpunim në sektorë të ndryshëm, ndër të cilat edhe Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit, mes MZHETTS dhe Ministrisë për Zhvillim Rajonal, e cila është njëkohësisht ministria përgjegjëse për turizmin.
Marrëveshja ofron mundësinë për shkëmbime të dhënash statistikore për turizmin, bashkëpunim në fushën e promovimit, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta mes agjencive turistike dhe shkëmbime ekspertësh të turizmit mes dy vendeve.
Palët ranë dakord për krijimin e një Komiteti të Përbashkët Pune për zbatimin e kësaj marrëveshje, që do të propozojë dhe një program konkret pune për 10 vitet e ardhshme, sipas fushave dhe prioriteteve konkrete me interes të të dy palëve.
