Dëmet e rënda që shkakton plumbi në organizëm, gjendet në lodra dhe bojëra

Pranvera Kola

Plumbi është një ndër elementët më helmues që dëmton rëndë këdo. Nga ekspozimi ndaj plumbit dëmtimet më të mëdha i ndodhin trurit, mëlçisë, veshkave, sistemit riprodhues, si dhe gjakut. Ndikimet e plumbit janë më të rënda tek shëndeti i fëmijëve, grave shtatzëne, pa përjashtuar edhe grupmoshat më të rritura.

Lidhur me ndikimet që shfaqen tek fëmijët, bluzat e bardha thonë se ndodhin për shkak të faktit se sistemi i tyre nervor është ende në zhvillim dhe absorbon 4-5 herë më shumë se sa ndodh tek më të rriturit. Tek fëmijët helmimi nga plumbi shkakton paaftësi intelektuale, performancë të ulët në shkollë, si dhe probleme të theksuara me sjelljen.

Tek më të rriturit ekspozimi ndaj plumbit shton rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës, ndodhjes së ishemive cerebrale, dëmtimit të veshkave, mëlçisë, dëmtimit të sistemit nervor, etj.

Ndërsa tek gratë shtatzëna, ekspozimi ndaj plumbit dëmton shumë organe, sikundër është përmendur edhe më lart, e gjithashtu çon në pasoja të rënda sa i takon zhvillimit të fetusit.

Mjekët thonë se nuk ka një nivel të sigurt të ekspozimit ndaj plumbit, ndaj në çdo rast duhet të bëhet kujdes. Ekspozimi ndaj plumbit mund të vijë përmes frymëmarrjes së grimcave që çlirohen nga industria ose riciklimi, nga produktet që kanë në përmbajtje të tyre plumb, siç mund të jenë qeramakiat e glazuruara, ose disa produkte kozmetike.

Mund të ndodhë edhe nëpërmjet ushqimit, ose ujit të ndotur me plumb, si dhe nëpërmjet gëlltitjes se dheut, ose të pluhurit të ndotur nga boja me plumb e degraduar.

Duhet të bëhet veçanërisht kujdes në rastet kur fëmijët luajnë përtokë dhe fusin lodrat, ose gishtat në gojë, të cilat kanë përmbajtje të lartë të plumbit. Ndaj gjatë blerjes së tyre këshillohet që të shikohet nëse ka përmbajtje të plumbit në to. Po ashtu ky element mund të gjendet edhe në bojërat që përdoren për lyerjen e shtëpisë, për të cilat këshillohet që të verifikohen para se të përdoren. p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *