Dëmet e shkaktuara nga duhani gjatë shtatzanisë

anazapta

Pirja e duhanit është e lidhur me shumë sëmundje, atakun e zemrës, presionin e lartë të gjakut, kancerin e mushkërive, të gojës, bronshitin, ulcerat etj, pasojat e të cilave bëhen edhe më të rënda në rastet kur cigarja konsumohet nga femrat gjatë shtatzanisë. Së fundmi edhe në vendin tonë po konstatohet një tendencë në rritje e pirjes së duhanit, madje edhe në rastet kur kanë vendosur të sjellin në jetë një krijesë të re. Për lexuesit e gazetës “Dita”, Roland Shuperka, Koordinator Kombëtar për Politikat e kontrollit të Duhanit dhe Alkoolit, tregon se cilat janë rreziqet që i kanosen femrave duhanpirëse, e veçanërisht atyre po sjellin në jetë një bebe.

Sipas Shuperkës femrat janë një objektiv madhor për industrinë e duhanit, e cila ka nevojë për të rekrutuar përdoruesit e rinj për të zëvendësuar gati gjysmën e përdoruesve aktualë, të cilët do të vdesin para kohe nga sëmundjet që shkakton duhanpirja. Studimet në vendin tonë tregojnë të njëjtën gjë, mbi 18 për qind e femrave përdorin duhan me tendencë rritjen e numrit të femrave duhanpirëse dhe uljen e numrit të meshkujve duhanpirës, arsye kjo se meshkujt po fillojnë të ndjeje pasojat e sëmundshmërisë nga përdorimi i duhanit. Veçanërisht shqetësues është përhapja  e përdorimit të duhanit në mes vajzave, e cila është në rritje. Edhe në grupmoshën 13-15 vjeç ka rritje të numrit të vajzave që konsumojnë duhan. Vajzat që ndjekin studimet e larta, konsumojnë duhan në shifrat 35 për qind, afro 2 herë më shumë se mesatarja e përdorimit të duhanit nga femrat në vendin tonë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë materialin e përgatitur nga Roland Shuperka lidhur më dëmet që cigarja lë në shëndetin e femrave, të cilat nuk duhen neglizhuar kurrsesi.

Nuk është kurrë vonë…

Gjithmonë ia vlen të lësh duhanin edhe pse shtatzënia ka filluar. Lënia e duhanit zvogëlon ndjeshëm rreziqet për nënën dhe fëmijën. Për çdo cigare në ditë gjatë shtatzënisë, pesha e fetusit zvogëlohet 15 gram. Mesatarisht, fëmijët e lindur nga duhanpirës peshojnë 200 gram me pak se fëmijët e lindur nga jo duhanpirës. Rreziku i lindjes së fëmijëve që peshojnë 2,5 kg me pak, është dy herë më e lartë tek duhanpirëset. Rreziku i lindjes së parakohshme dyfishohet nëse nëna pi duhan. Në raport me fëmijët e lindur në kohë, foshnjat e lindura para kohe kanë më shumë rreziqe për të pasur komplikacione.

 

Rreziku i vdekshmërisë foshnjore trefishohet nëse nena pi duhan gjatë shtatzënisë ose pas lindjes.

Dy arsye për të mos pirë duhan gjatë ushqyerjes me gji: “duhanpirëset kanë më pak qumësht sesa nënat jo duhanpirëse (1/4 më pak) dhe nikotina kalon në qumështin e nënës dhe më pas tek bebi. Megjithatë, më mirë të ushqehet fëmija edhe pse pihet duhan. Pse? Shumë substanca të rëndësishme për zhvillimin fizik të foshnjës gjenden vetëm tek qumështi i nënës. Ky i fundit përmban antikorpe të rëndësishme që mbrojnë foshnjën nga infeksionet. Përveç të tjerave, një foshnje e ushqyer me gji rrezikon më pak nga alergjitë. Së fundi, duke favorizuar lidhjen e afërsisë, ushqimi i gjirit është i dobishëm për lidhjet midis nënës dhe fëmijës. Fëmijët që rriten në ambiente me duhan janë viktimat e para të duhanpirjes pasive. Rreziqet? Ata vuajnë shpesh nga probleme respiratorë në vitet e para të jetës së tyre. Tek fëmijët dhe të rinjtë e moshës 15 deri 16 vjeç që thithin rregullisht tymin e duhanit, mund të dallojmë forma të ndryshme të irritimit të rrugëve respiratorë: kollë, mukozë, defiçit respirator me fishkëllima. Këta të rinj vuajnë shpesh dhe nga otiti dhe angina. Duhanpirja pasive tek fëmijët dhe adoleshentet rrit rrezikun e astmës. Rreziku që fëmijët e prindërve duhanpirës të bëhen duhanpirës dyfishohet, në raport me fëmijët e prindërve jo duhanpirës.

 

Gracka e “mild”, “light” dhe “ultra light”

Në kundërshtim me idetë e dhëna nga kompanitë e duhanit se të pish cigare të mesme (mild), të lehta (light) dhe ultra të lehta (ultra light) është më pak e rrezikshme, studimet tregojnë të kundërtën se është shumë e rrezikshme për shëndetin. Prodhuesit e cigareve dinë të manovrojnë me varësinë tonë nga nikotina. Jo vetëm që cigaret “e lehta” janë njësoj të dëmshme, por ato shpien në një lloj kanceri të mushkërive (adenokarcinom). Për të kënaqur nevojën për nikotinë, një  duhanpirëse e cigareve “të lehtë” ka tendencën të pijë më shumë, por dhe të rris numrin e të thithurave. Mos harroni : “është varësia farmakologjike e nikotinës që të shtyn ta thithësh më thellë. Kjo sjellje kompensuese nuk është pa rrezik: Ajo mbush zgavrat e mushkërive dhe bronkeve me sasira të mëdha toksike që ndodhen në tymin e duhanit. Me rrezikun e krijimit të një tumori malinj i tipit adenokarcinom në zonat periferike të mushkërive.

 

Kujdes ndaj etiketave mashtruese!

Përmbajtja e nikotinës dhe katranit e shënuar në paketat e cigareve nuk korrespondon me realitetin. Një studim i bërë me cigaret e shitura në Francë tregon se cigaret e lehta lëshojnë deri 12 herë më shumë nikotine dhe katran se shifrat që shënohen në paketa. Sipas një ankete amerikane, gati gjysma e konsumatorëve të cigareve “light” nuk e dinë se filtri i cigareve të tyre ka pore ventilimi. Këto pore taposen fortë nga gishtat e duhanpirësit, çka rrit sasinë e katranit dhe nikotinës që del nga cigaret. Të gjitha cigaret, përfshi të lehtat, përmbajnë pak a shumë të njëjtën sasi të nikotinës! Dokumentet e brendshme të industrisë së duhanit, të bëra publike falë proceseve të fundit amerikane, tregojnë se cigaret manipulojnë testet, që do të thotë se ato çlirojnë shumë nikotine tek duhanpirësit, dhe pak nikotine tek makina që përcakton përqendrimin tek tymi.

 

Cigaret dhe stresi

Shumë duhanpirës kanë përshtypjen se cigaret i ndihmojnë të përballojnë stresin. Nuk është kaq e thjeshtë. Në fakt cigarja është në vetvete një faktor stresi. Mjafton të mendosh simptomat e mungesës së nikotinës: irritim, ankth, ligështi, nevojë urgjente për të pirë duhan. Një studim i fundit e përforcon edhe më tepër: duhani shkakton ankth dhe jo të kundërtën. Duhanpirja rrit 16 herë rrezikun e një ataku paniku.

 

Duhani i vret edhe femrat, 12 faktet e hidhura që nuk duhen neglizhuar

Numri i vdekjeve  të parakohshme për shkak të duhanpirjes tek femrat  (kancer i mushkërive, sëmundje vaskulare, etj) është në rritje të vazhdueshme, ndërkohë që tek meshkujt ky proporcion po zvogëlohet. Duhani vret! Femrat duhanpirëse janë po aq të rrezikuara nga sëmundjet e lidhura me duhanin, sa edhe meshkujt duhanpirës. Përveç kancerit të mushkërive, duhanpirja rrit rrezikun e llojeve të tjera te kanceri.

  1. •Rreziku i kancerit të qafës së uterusit është dy herë më i lartë tek duhanpirëset se tek jo-duhanpirëset. Ky kancer që para së gjithash krijohet nga prania e papilloma virus (HPV), favorizohet nga prania e duhanit. Studimet tregojnë se 34 për qind e femrave tek të cilat diagnostikohet një kancer i qafës së uterusit do të vdesin në 5 vjet.
  2. •Rreziku i kancerit të gjirit është dy herë më i lartë tek femrat që pinë duhan para menopauzës.
  3. •Sëmundje të zëmrës janë më të shpeshta tek femrat duhanpirëse. Në kundërshtim me idetë se atakët  kardiakë janë vetëm shqetësim i meshkujve, studimet e fundit tregojnë se edhe femrat janë shumë të prekura. Shpeshherë sëmundjet kardio-vaskulare janë shkaku kryesor i vdekshmërisë femërore. Ndër shkaqet e këtyre sëmundjeve, përmendim moshën, duhanpirjen, ushqyerjen, hipertensionin dhe diabetin.
  4. •Monoksidi i karbonit që thithet me duhanin zvogëlon kapacitetin e thithjes së oksigjenit në gjak. Për pasojë, rrahjet e zëmrës zvogëlohen. Duhanpirëset sportistë e dinë mirë këtë fakt.
  5. •Duhanpirja dëmton muret e brendshme të arterieve dhe favorizon depozitimin e yndyrave. Muret e enëve të gjakut ngushtohen, çka korrespondon me stadin e parë të arterosklerozës.
  6. •Përveç të tjerave, duhanpirja rrit rrezikun e trombozës (arteret bllokohen). Si përfundim, kërcënohemi nga kriza kardiake dhe ataku cerebral.
  7. •Vlen të përmendet se rreziku i infarktit të miokardit rritet me numrin e cigareve të pira, edhe kur këto janë “të lehta”.
  8. •Mushkëri të shkatërruara. Tek duhanpirëset, gjejmë elastaz, një substancë që shkatërron mushkëritë. Pas shumë viteve keqtrajtim të mushkërive, tek duhanpirëset6 shfaqet emfizema pulmonare. Bëhet fjalë për një shkatërrim të pjesshëm dhe të pakthyeshëm të mushkërive. Ne atë stad, shëndeti kërcënohet shumë rëndë.
  9. •Prishje e ciklit menstrual. Duhanpirëset kanë mungesë estrogjeni (hormonet femërore). Kjo për dy arsye: nga njëra anë duhani zvogëlon sekrecionet e estrogjenit dhe nga ana tjetër vepron mbi mëlçinë duke shkaktuar shpejtimin e shkatërrimit të hormoneve. Pasojat? Duhanpirëset vuajnë më shpesh nga shqetësimet e ciklit menstrual (cikël i çrregullt, dhimbje). Mungesa e estrogjenit ka gjithashtu efekte negative tek gjiri, uterusi dhe fetusi. Menopauza vjen 2 deri 3 vjet me shpejt tek duhanpirëset se tek jo duhanpirëset. Shqetësimet lidhur me menopauzën (nxehtësia, shqetësime të kujtesës, etj) janë më të theksuara tek duhanpirëset se tek jo duhanpirëset. Tek femrat me menopauzë, duhani rrit rrezikun e osteoporozës (dobësim i masës kockore), një sëmundje që ka dhimbje dhe fraktura, në nivelin e qafës së femurit, të kyçit të duarve dhe vertebrave.
  10. •Plakje më e shpejtë. Disa minuta pas pirjes së cigares, enët e gjakut periferike që ushqejnë lëkurën kontraktohen. Qarkullimi dhe oksigjenimi i gjakut përkeqësohen. Në këtë mënyrë lëkura ushqehet me pak. Si përfundim, ajo humbet elasticitetin e saj, plaket më shpejt dhe rrudhoset më shumë, sidomos rreth buzës. Edhe njollat në lëkurë dalin më lehtë. Për ta plotësuar këtë tablo, duhani zverdh dhëmbët dhe kundërmon rrobat dhe veshjet si asnjë parfum tjetër. Kur pimë duhan marrim frymë me pak. Nëse kapaciteti respirator është 100 për qind në moshën 20 vjeçare, është 60 për qind tek 70 vjeçare jo duhanpirës, dhe vetëm 40 për qind tek duhanpirësit e kësaj moshe.
  11. •Rreziqet lidhur me pilulën kontraceptive. Pilula dhe duhani së bashku janë shume të dëmshëm. Duhanpirëset që marrin pilulën kontraceptive vënë në rrezik shëndetin e tyre, mbi të gjitha pas moshës 35vjecare. Tek to rreziku i trombozës, aksidenteve kardiake ose cerebrale rriten shumë. Këto rreziqe zvogëlohen, pa u eliminuar totalisht, me pilula me dozë të ulët që nuk përmbajnë progesterone. Përveç të tjerave, rreziku i komplikacioneve gjatë shtatzënisë është më i lartë tek duhanpirëset që marrin pilulën para se të mbeten shtatzënë. Nëna e ardhshme që pi duhan privon pjesërisht fetusin nga oksigjeni. Si? Monoksidi i karbonit kalon në gjakun e fetusit dhe mund të shkaktoj hipoksi fetale (fetusi që nuk merr oksigjenin e duhur).
  12. •Rekomandohet me rreptësi të mos pihet duhan kur merret pilula kontraceptive dhe të mos pihet duhan nga gratë shtatzënë. Nikotina kalon përmes placentës dhe absorbohet nga fetusi.

 

 Cigarja  dhe tundimi i femrave për të ruajtur elegancën

Mbipesha dhe prishja e linjave është një nga frikërat më të mëdha të femrave sot. Kjo frikë e përfolur aq shumë dhe sidomos në media ka qenë një çelës që industrialistët e duhanit e kanë shfrytëzuar shumë.  Shumë shpesh marketingu i duhanit ka përcjellë mesazhe të rrezikshëm dhe jo të vërtetë: “Duke pirë duhan do te jeni me te dobëta dhe më tërheqëse”. Në kundërshtim me këto ide, të shëndoshesh në momentin kur përballesh me lënien e duhanit nuk është e pashmangshme. Është e mundur të kufizosh rritjen në peshë duke marrë masat e duhura. Nikotina është çelësi i fenomenit të shtimit në peshë kur lëmë duhanin. Duke stimuluar sistemin nervor simpatik (motorë i aktivitetit të trupit), nikotina krijon efektin e ndërprerjes së oreksit. Në momentin e lënies, hamë pak më shumë (200 ose 300 kalori shtesë në ditë). Ky fenomen theksohet nëse kemi tendencën të kompensojmë lënien e duhanit me ngrënien e ëmbëlsirave shumë kalorive. Ndër të tjera, nikotina frenon stokimin e yndyrave dhe rrit në mënyrë artificiale shpenzimet e energjisë. Një duhanpirëse djeg rreth 200 kalori më shumë në dite së një jo duhanpirëse. Kjo përfaqëson, në momentin e ndërprerjes, ekuivalentin kalorik të një kruasanti e gjysme. “Nëse lë duhanin, do të shëndoshem…” ky është një  refren i njohur që kthehet në fiksim tek shumë femra që duan të lënë duhanin. Ajo që duhet të dinë femrat është se studimet tregojnë se  rreth 30 për qind e njerëzve që lënë duhanin nuk shtojnë asnjë gram. Ajo që duhet të bëjnë për të mos shtuar në peshë është të ndërtojnë një plan veprimi personal, i cili mund të  mund të ulë ndjeshëm shtimin në peshë. Për të qenë më të suksesshme dietologët rekomandojnë të përdorin shumë fruta dhe perime në dietën e tyre, si dhe ushqime me proteina, duke frenuar sa më shumë ëmbëlsirat dhe yndyrat. Për të kontrolluar peshën tuaj rekomandohet gjithashtu shumë aktivitet fizik. Nuk është nevoja të thyeni rekorde. Ekuivalenti i gjysmë ore aktiviteti fizik në ditë, ju jep mundësinë të digjni 1000 kalori shtesë në javë. Të ngjitni shkallët e pallatit (në vend që të përdorni ashensorin), të dalësh shëtitje mbas ditëve, të luash me fëmijët, etj janë aktivitete të lehta në dukje, por që ndikojnë pozitivisht në organizëm me kushtin që të përsëriten çdo ditë. Megjithatë ju duhet të keni bindjen se fillimisht është lenia e duhanit dhe pastaj pesha. Pasi keni lënë duhanin dhe jeni një jo duhanpirëse, jemi më të qetë për të ndërtuar një strategji për frenimin e peshës.

Qëndroni larg dietave të rrepta pasi keni lënë cigaren

Të mbash një dietë të rreptë është një veprim i  gabuar. Më e mira do të ishte të veprohej me ngadalë. Kjo do të thotë të hiqet dorë gradualisht nga ushqimet e pashëndetshme dhe të zëvendësohen nga ushqime të shëndetshme. Absolutisht nuk është e këshillueshme ndërprerja ose minimizimi i sasisë së ushqimit që hani. Megjithatë përpjekjet tuaja organizmi pas lënies së duhanit shton mesatarisht 2-5 kg. Mos u trembni. Pesha stabilizohet në përgjithësi 6 muaj pas lënies se duhanit. Mbani mend: duke lënë cigaren organizmi juaj bëhet më i shëndetshëm. Në qoftë se ja dilni të lini duhanin nuk do ta keni të vështirë të humbisni ato pak kg të fituara nga lënia e tij.

Të dhëna të duhanpirjes në vendin tonë :

• Afro 4 në 10 persona janë duhanpirës.

• 870.000 mijë duhanpirës janë në Shqipëri.

• Numri mesatar i cigareve të pira në dite është 19.7 cigare

• Duhanpirja në grup moshën 13 deri 15 vjeç është 11.7 %

• Në studentet e fakulteteve Mjekësi, Stomatologji, Farmaci dhe Infermieri është më shumë se 4 në 10 studentë pinë duhan

• 81 % e duhanpirësve fillojnë të pinë duhan para moshës 18 vjeç.

• 73 % e duhanpirësve meshkuj duan të lënë duhanin

 

 Shëndeti

• Gjysma e duhanpirësve të rregullt do të vritet nga duhani, duke humbur mesatarisht 16 vite jetë.

• Duhani shkakton të paktën një në shtatë kancere në gjithë botën

• Duhanpirja është shkaktari më i madh në sëmundjet e zemrës

• Duhanpirja shkakton impotencë seksuale mashkullore, burrat në moshe 30 deri 40 vjeç dhe që pijnë duhan kanë 50 % ulje të potencës seksuale.

• Gratë duhanpirëse rrezikojnë 4 herë më shumë në zhvillimin e kancerit të gjirit krahasuar me jo-duhanpirëset, dhe ky rrezik rritet me kohën e duhanpirjes.

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *