Pranvera Kola-DITA
Si shkak i grumbullimit të yndyrave dhe kalciumit për një kohë të gjatë në muret e enëve të gjakut, shumë persona përballen me pasoja të rënda shëndetësore, rrjedhojë e të cilave mund të jetë edhe goditja në tru. Kjo gjendje shkaktohet nga mbyllja e arterieve që çojnë gjakun në tru, e cila njihet ndryshe edhe si sëmundja e arterieve karotide. Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se çfarë është kjo sëmundje, faktorët që ndikojnë në zhvillimin e saj, simptomat dalluese, si dhe masat që duhet të merren për parandalimin e ndërlikimeve të saj.
Çfarë është sëmundja e arterieve karotide?
Arteriet karotide janë enë gjaku të vendosura në të dy anët e qafës dhe sigurojnë furnizimin me gjak të
kokës. Ato ndahen në arterie të brendshme karodite dhe arterie të jashtme karotide. Arteria e jashtme karotide siguron furnizimin me gjak të fytyrës dhe qafës, ndërsa arteria e brendshme karotide furnizon trurin me gjak. Ngushtimi i arterieve të brendshme karotide mund të zvogëlojë furnizimin me gjak të gjysmës përkatëse të trurit që ato furnizojnë.
Ky ngushtim i quajtur arteriosklerozë (ateroma=pllakë dhe skleroza=forcim) ndodh për shkak të formimit në brendësi të murit të arteries, së pllakës aterosklerotike. Pllaka fillon si një koleksion i butë, i lëmuar i kolesterolit dhe triglicerideve, por që me kalimin e kohës fillon të ngurtësohet dhe të kalcifikohet.
Kjo ndodh më shpesh aty ku bëhet ndarja në arterie të brendshme dhe të jashtme, si edhe kur ka rritje të presionit të gjakut, gjë e cila irriton dhe dëmton muret e brendshme të arterieve në përgjithësi dhe të arterieve karotide në veçanti. Ndërsa, arteria karotide vazhdon të ngushtohet më tej, presioni brenda arteries vazhdon të rritet. Pra futemi në një rreth vicioz (pa fillim dhe pa fund) si rezultat i të cilit, mund të kemi mpiksje të gjakut.
Një mpiksje e madhe mund të bllokojë tërësisht arteriet karotide, por edhe koagula më të vogla (copëza më të vogla të gjakut të mpiksura) mund të udhëtojnë në arteriet më të vogla brenda trurit dhe të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit me gjak në pjesë të ndryshme të indeve të trurit.
Cilët janë shkaktarët e sëmundjes së arterieve karotide?
Dëmtimi i murit të brendshëm të arterieve karotide është një proces gradual që lidhet me pirjen e
duhanit, presion e lartë të gjakut, nivelet e larta të kolesterolit dhe triglicerideve (yndyrat në gjak), si edhe diabeti i pakontrolluar.
Të gjithë këta faktorë çojnë në dëmtimin e mureve të brendshme të arterieve dhe krijimin e kushteve për formimin e pllakave ateriosklerotike. Me kalimin e kohës pllaka ateriosklerotike mund të rritet dhe të ngushtojë lumenin e arteries karotide, pra kanalin ku rrjedh gjaku.
Siç e theksova edhe më lart, futemi kështu në një rreth vicioz, pasi ngushtimi i kanalit arterial rrit më tepër presionin e gjakut, rrit turbulencën e gjakut, gjë e cila çon në dëmtime të mëtejshme arteriale dhe zmadhimin e mëtejshëm të pllakave ateriosklerotike. Po ashtu janë të rrezikuar për t’u prekur nga kjo patologji personat që janë obezë (mbipeshë), apo edhe ata që abuzojnë me alkoolin.
Cilat janë shenjat klinike?
Sëmundja e arterieve karotide në vetvete nuk ka simptoma. Ato ndodhin vetëm kur kemi zvogëlim të
dukshëm të furnizimit të trurit me gjak si rezultat i ngushtimit të arterieve karotide (ose degëzimeve më të vogla të tyre). Pra kur kemi një sulm ishemik të rastësishëm. Një sulm i përkohshëm ishemik është një grup simptomash të pashpjegueshme që në shumicën e rasteve zgjidhet vetë dhe që duhen konsideruar si një shenjë paralajmëruese e një goditjeje të afërt. Simptomat klinike në këto raste mund të përfshijnë: dobësi ose mpirje në gjysmën e trupit, duke përfshirë edhe fytyrën, vështirësi në të folur, çrregullime të pamjes, konfuzion mendor. Sa më e vogël të jetë ena e gjakut që është bllokuar, aq më të lehta janë simptomat klinike, dhe aq më shpejt zgjidhen. Ndërsa simptomat klinike priren të zgjidhen vetë në pak minuta, ato mund të zgjasin deri në 24 orë. Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse simptomat do të zgjidhen, në jo pak raste këto simptoma mund të jenë të rënda dhe duhet të konsiderohen emergjencë mjekësore dhe duhet kërkuar ndihmë e menjëhershme mjekësore.
Si diagnostikohet?
Diagnostikimi i kësaj patologjie bëhet me Eko (me ultratinguj), si edhe nëpërmjet skanerit, ose rezonanca magnetike duke injektuar edhe lëndë kontrasti.
Si trajtohet kjo sëmundje?
Trajtimi për sëmundjen e arterieve karotide duhet të individualizohet për çdo pacient dhe situatë. Nëse
arteria karotide është më pak se 50 për qind e ngushtuar, rekomandohet si fillim trajtimi medikamentoz që synon të pengojë agregimin (precipitimin dhe ngjitjen) e trombociteve (qeliza të kuqe të gjakut pa bërthamë) dhe si rrjedhim të pengojë mpiksjen e gjakut.
Po ashtu mjekimi përfshin stabilizimin e presionit të gjakut, mbajtjen nën kontroll të yndyrave në gjak, si edhe kontrollin e diabetit. Duhanxhinjtë duhet të lënë duhanin dhe duhet treguar kujdes me konsumin e alkoolit.
Në rast se arteriet karotide janë të bllokuara mbi 60 për qind, atëherë kirurgjia mbetet një opsion, por edhe ky opsion mbetet i diskutueshëm pasi në pacientët asimptomatikë (pra pa shenja klinike) mund të jetë zhvilluar qarkullimi kolateral që organizmi e krijon për të anashkaluar bllokimin e arteries karotide përkatëse. Zona e bllokuar quhet zonë nekrotike (e vdekur) dhe nuk ka kuptim kirurgjia. Qelizat e trurit nuk mund të zëvendësohen dhe nuk mund të rigjenerohen.
Humbja e furnizimit me gjak në zona të caktuara të trurit do të shkaktojë shpejt vdekje të qelizave të trurit. Rezultati përfundimtar i sëmundjes së arteries karotide është sulmi ishemik (ischemia cerebrale). Megjithatë është e pamundur të thuhet me siguri se cili individ do të ketë, ose jo shenja të ishemisë (goditjes) cerebrale.
A mund të parandalohet kjo patologji?
Parandalimi është guri i themelit të trajtimit të sëmundjes së arterieve karotide. Ashtu si të gjitha enët e
tjera të gjakut, arteriet karotide janë të predispozuara për t’u ngushtuar të individët që pijnë duhan, alkool, vuajnë nga diabeti, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e larta, apo që kanë histori të sulmit në zemër apo në tru.
Të jetosh një jetë të shëndetshme është kyçi i suksesit gjë e cila përfshin: të hahet një dietë e ekuilibruar, duke ruajtur një peshë të përshtatshëm edhe duke ushtruar një aktivitet të rregullt fizik në përputhje me situatën individuale shëndetësore. Kontrolli afatgjatë i presionit të gjakut, yndyrave dhe sheqernave, do të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së arterieve karotide. Prandaj mos hezitoni të bëni kontrollet rutinë pranë mjekut tuaj të familjes edhe pa pasur shenja klinike.
