“Vlera” sot matet më shumë me parà se sa me dobinë që ajo sjell. Ky “mjet” i huazuar nga kultura post – moderne Perëndimore ku PARAJA shpesh kthehet në PERËNDI, është një tjetër faktor që ndikon negativisht. Sot, mendohet se me parà mund të bësh çdo gjë, madje mund të bëhesh kryetar, kryeministër dhe president.
Një shembull i shkëlqyer kundër këtij modeli të mbrapsht moral e qytetar, është presidenti BARAK OBAMA, i cili, po përpiqet të rikuperojë modelin e merituar të liderit e presidentit dhe kulturën e të jetuarit; njeriu si bir i natyrës dhe jo produkt teknologjik industrial. Për të bërë këtë Baraku nuk sforcohet, nuk predikon as nuk shtiret, e bën natyrshëm sepse është vërtetë i ri e për një politikë të re, me formim internacional, fëmini afrikane, rini indoneziane, pjekuri amerikane e frymë evropiane, mysliman e protestant në gen, i krishterë në shpirt e laik në mendje, me program në kokë e ideal në zemër, autsider, e jo fëmijë “i llastuar” e i rritur neper zyrat e partisë e as “i rekomanduar nga i ati e shokët e babait” si shumë homologë të tij në Amerikë, Europë e Shqipëri.
Shqipëria, ndonëse me dëshirë në Amerikë e këmbë në Evropë, si ish pjesë e hemisferës lindore komuniste, dhe si trashëgimtare e totalitarizmit, është e prirë për ta përqendruar pushtetin në një dorë “të fortë”. Politikanët me ambicie për lider e kryetar qeverie, harrojnë ose e injorojnë faktin se Demokracia është diçka më shumë se një formë qeverisje, ajo është kulturë të jetuari, para së gjithash është një lloj jete shoqërore eksperiencash vazhdimisht në komunikim; një mënyrë jetese që bën të nevojshme pjesëmarrjen në formimin e vlerave që rregullojnë jetën shoqërore të njerëzve.
Letër e nënshkruar: Xhovalin Delia