Nasho Bakalli
Dje. Cili ishte urimi që armiqtë e Shqipërisë iu bënë dhjetoristëve, në vitin 1990, me rastin e ngjizjes të sistemit të ri politik qeverisës në Shqipëri? Bëhuni të fuqishëm dhe populli do t’iu respektojë. Bëhuni të fortë me çdo rrugë: para; influencë politike; dhunë brutale policore; vrasje, terrorizëm; lidhje miqësore; femra; me çfarëdo lloj mjeti qoftë veçse bëhuni fuqiplotë. Mos gjalloni të çarmatosur, ndryshe do shuheni. Nuk mjafton të jeni të mëvetsishëm, sikurse nuk mjafton të kurvëroni me të gjithë. Mjafton vetëm të mësoni si t’i bëni të tjerët të varen prej jush. Kur të tjerët ta kuptojnë se ua dini pikat e dobëta, atëherë, ata do të ua kenë frikën dhe kështu do të bëheni të pushtetshëm; do të ndjeheni sundimtarë të vërtetë. Dhe, një pjesë e dhjetoristëve e vunë këtë urim “vëth në vesh”.
Sot. 1) Dhjetoristët aktivë në politikën e madhe e kanë braktisur ndjenjën e përkatësisë shqiptare, madje, edhe atë të një race superiore. Ata kanë bindjen se i përkasin njerëzimit! 2) Janë të tjerë njerëz ata që veçantinë e tyre e shpërfaqin publikisht si shenjë refuzimi të pjesshëm apo të plotë të natyrës tyre njerëzore (përfaqësuesit e fesë). 3) Populli mban mbi vete shenjat e një prej racave, të cilat pikasen në trupat e shqiptarëve në mënyrë të atillë saqë çdokush mund t’i shohë.
Megjithë problematikën që kanë, të marra së bashku, komunitetet e sipërshënuara, çështja më e rëndësishme që preokupon botën shqiptare – ku vlon qarkullimi i lirë i ideve dhe njerëzve – është mungesa e dallimit midis elitave politike humane dhe elitave politike barbare. Barbar nuk është ai politikan që dallohet totalisht nga ai human, kësisoj puna do të ishte e kollajtë, por është ai politikan tek i cili kashtiset gjithçka. Le të përziejmë, për shembull, të gjitha ngjyrat e natyrës në një telajo, dhe ngjyra që do të përftojmë nuk do të jetë as më shumë e as më pak po veçse “barbare”. Kështu janë shkartisur, 25 vitet e fundit, edhe në sistemin e drejtësisë: profesionistë, politikanë, intelektualë, plepistë, policë, marangozë, sekretarë, ftues, bodigardë, dhëmbëtarë, etj. Më çfarë mjetesh? Korruptive. Me ç’qëllim? Për të mbrojtur interesat oligarkike për pushtet të politikanëve, dhe për pasurim vetjak. Prandaj edhe jurispudenca, si praktikë, në Shqipëri, është “barbare”.
Dhe “përplasja” midis pozitës dhe opozitës, për Saimir Tahirin, shkaktohet jo nga ekzistenca e diferencës kulturore, por nga “fshirja e diferencës”. Që do të thotë se “përplasja” vjen jo nga pozicioni i opozitës për të qenë i ndryshëm nga pozita, por nga dëshira “mimetike” e opozitës; nga humbja e diferencës te vetë opozita. Si rregull, këshillohet që: diferencimi strukturor i mendimeve dhe sjelljeve – si në dimensionin vertikal ashtu edhe në atë horizontal – të shprehet nëpërmjet fërkimeve, ndarjeve, dhe ndeshjeve në marrëdhënie simbiotike (me interes të ndërsjelltë e të dobishëm midis dy organizmave që jetojnë së bashku) midis atyre që kanë një pozitë (qeverisë), dhe asaj (opozitës) që rivalizon për ta arritur atë pozitë.
E pritshmja. Një rend i ri i gjërave, zëvendëson tjetrin. Ndër shekuj çështja kryesore të cilës i janë kushtuar pothuajse të gjithë shqiptarët ishte: ringritja e Shqipërisë. Janë bërë aq e kaq sakrifica, po ringritja e Shqipërisë nuk është arritur. Sepse në vendin tonë ka mbizotëruar barbaria politike, juridike. Gjithsesi. Unë besoj se Reforma në drejtësi do ndihmesojë ringritjen e Shqipërisë. Besoj sepse reforma u ndërmor nga qeveria, parlamenti, dhe mbështetet nga mbi 90% e qytetarëve. Dhe nga ndërkombëtarët, kryesisht SHBA. Ky masivitet po garanton edhe sigurinë politike në vend. Si e garanton? Duke mos e kërcënuar; duke e lejuar qeverinë dhe parlamentin të kryejnë plotësisht funksionet kushtetuese përkatëse, dhe të bëjnë politikë gjithashtu. Politika po zhvillohet në pajtim me ndjenjat atdhedashëse të masave të gjëra popullore, dhe me interesat e tyre ekonomike. Ajo po kthehet në kapital për identitetin kombëtar shqiptar, në vlerat e të cilit besojmë. Ndërkohë mosbesuesit – ata që urimin, shënuar në krye të këtyre radhëve, e mbajnë vëth në vesh – po e çojnë jetën në luksin pakufi të korrupsionit. Deri kur kështu? Derisa “Vettingu” të kopsitë dosjen personale për secilin mosbesues. Po si shumë po vonon kjo punë? Eh, po ustallarët e Vettingut dinë se politikën s’duhet ta shkruash me nxitim, dhe financat me padurim. Që do të thotë se shifrat duhet të jenë fare të sakta. Çfarë ka filluar të përmbajë secila dosje? Fjalime, betime, dekorata, heroizma, persekutime, burgosje, CV- të politikanëve, gjyqtarëve, biznesmenëve, etj.,? Jo. Aspak. Dosjet po mbushen me fatura financiare; kontrata shitblerje; certifikata pronësie; vërtetime depozitash bankare në lekë, valutë të huaj, dhe metale të çmuara; deklarata huadhënie, huamarrje, dhurimi; etj., etj. Vetëm bazuar në fakte materiale Vettingu do të mund t’ua ndalë vrapin Al Capone-ve të diktaturës të proletariatit mbetur të tillë dhe në postdiktaturë; edhe, subjekteve kriminale – produkte të vet postdiktaturës. Kjo goditje pritet t’i pastrojë elitat politike, ekonomike, ushtarake, gjyqësore, shoqërore shqiptare, dhe do ti barazojë ato me standardet e elitave të shteteve euroatlantike. Kjo goditje do ta shembë “Agjëtarizmin”, sistemin politik qeverisës në Shqipëri, dhe do t’i hapë plotësisht udhën rishoqërizimit të shqiptarëve në punë, dhe nëpërmjet punës të begatshme për të gjithë. Kjo e fundit do të vendosë demokracinë; do kthejë lavdinë e kohëve të shkuara; dhe do mbrojë kudo dhe pa asnjë ekuivok interesat tona strategjike, dhe të aleatëve.
