Mungesat e shumta në formacion të reflektuara me rezultate të dobëta vazhdojnë ta përndjekin Tiranën në këtë pjesë të dytë të sezonit. Në 5 ndeshjet e fundit bardheblutë kanë grumbulluar vetëm dy pikë nga 15 të mundshme, duke rrëshqitur në vendin e pestë me katër pikë më pak se Kukësi dhe Teuta, që mbeten rivalët për vendin e tretë.
Edhe në ndeshjen e shtëpisë me verilindorët në kuadër të javës 27-të të Superiores, që do të zhvillohet të dielën në orën 17:00 me ndriçim artificial, Daja nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Karan të dëmtuar, si dhe Gilman Likën të pezulluar. Lajmi i mirë për bardheblutë është rikthimi në stërvitje i japonezit Fukui, që pritet t’i lërë pas problemet shëndetësore deri në fundjavë.
Bashkë me grupin në seancën e djeshme është përgatitur edhe Erion Vucaj, por nuk dihet nëse Daja e ka në planet e tij për ndeshjen e radhës. Vazhdon stërvitjen i diferencuar me pjesën tjetër të ekipit Gentian Muça, mungesa e të cilit është ndier shumë në kampin bardheblu. 28-vjeçari nuk mund të riaftësohet për përballjen direkte me Kukësin për vendin e tretë, por shpresohet që të japë kontribut pas ndërprerjes së shkurtër të kampionatit për ndeshjet e Kombëtares. Titullar ndaj verilindorëve pritet të aktivizohet Elis Bakaj, i cili mund të shlyejë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës.
