Diabeti i sheqerit, tensioni i lartë në gjak, infeksionet urinare, sëmundjet e trashëguara, si dhe keqformimet e lindura janë përgjegjëse për shtimin e sëmundjeve kronike të veshkave, të cilat shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë
Pranvera Kola
Veshkat preken nga një shumëllojshmëri sëmundjesh dhe çrregullimesh, që mbartin pasoja të rënda shëndetësore. Nëpërmjet një manuali të përgatitur, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik Jeta Lakrori ka detajuar komplikacionet më të shpeshta që prekin veshkat, për të cilat kërkohet mbajtja e një kujdesi të veçantë.
Sipas shpjegimeve të bëra, në shumicën e sëmundjeve të veshkave sulmohen njësitë e filtrimit të veshkave (nefronet) dhe dëmtojnë aftësinë që veshkat kanë për të eliminuar mbeturinat dhe lëngjet e tepërta. Nuk ka asnjë shkak të vetëm të sëmundjes kronike të veshkave. Disa forma të sëmundjes mund të jenë të trashëguara, ndërsa të tjerat janë të fituara.
Komplikacionet më të shpeshta të veshkave i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Kalkuloza renale është termi që përdoret në rastet e pranisë së gurëve në sistemin urinar. Madhësia dhe përbërja e tyre është e ndryshme dhe mund të shkaktojnë dhimbje të forta. Meshkujt preken më shpesh se femrat.
Infeksionet e traktit urinar shkaktohen nga prania e shtuar e bakterieve në urinë. Infeksionet janë më të shpeshta te femrat sesa te meshkujt. Glomerolunefriti është një grup i sëmundjeve që shkaktojnë inflamacion dhe dëme në njësitë e filtrimit të veshkave.
Më tej, insuficienca renale zhvillohet kur veshkat nuk janë më të afta të rregullojnë balancën e ujit dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak. Insuficienca renale është e formës akute (fillim i menjëhershëm dhe humbje e përkohshme e funksionit të veshkave) dhe mund të jetë pasojë e traumave, hemorragjive, përdorimit të disa medikamenteve, gjendjeve skeptike etj, si dhe forma kronike e insuficiencës renale e cila është një ulje graduale e funksionit të veshkave në vite.
Keqformime të lindura që ndodhin tek një fëmijë që zhvillohet në mitrën e nënës së tij. Për shembull, mund të ndodhë një ngushtim që parandalon rrjedhjen normale të urinës. Kjo shkakton infeksione dhe mund të dëmtojë veshkat. Dëmtimet e veshkave nga diabeti i sheqerit dhe tensioni i lartë i gjakut. Shkaku i sëmundjeve të veshkave, shpesh mbetet i panjohur, por sëmundjet kryesore të veshkave që sot janë shndërruar në një problem të shëndetit publik, vijnë nga faktorë të ndryshëm, siç mund të jetë diabeti i sheqerit dhe tensioni i lartë në gjak, glomerulonefriti, sëmundjet e trashëguara, si: sëmundja e veshkave polikistike,keqformime të lindura, lupusi dhe sëmundje të tjera që ndikojnë në sistemin imunitar të trupit, pengesat e shkaktuara nga probleme, si: gurët në veshka, tumoret apo një gjëndërr e zgjeruar prostatës tek burrat dhe infeksionet urinare të përsëritura.
Sipas shoqatës shqiptare të nefrologjisë, shkaktarë të sëmundjeve të veshkave janë: glomerulonefriti (24.4%), infeksione të traktit urinar(31%), nefropatia diabetike, kalkuloza renale, HTA, etj. Këto sëmundje cilësohen si vrasës të heshtur, mbasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave, që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave si dializa apo transplanti.
Roli i veshkave
Ato kanë role të shumta biologjike: rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak, si: sodiumi, potasi, fosfori dhe kalciumi; eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë; prodhojnë disa hormone, siç është “rëninen” që ndikon në presionin arterial, nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D. Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, pasi shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë.
Kategoritë e riskuara
“Personat mbi 50 vjeç, pacientët që vuajnë nga diabeti, pacientët që vuajnë me tension të lartë të gjakut, njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave, njerëzit me sëmundje kardiovaskulare, njerëzit me mbipeshë apo të dhjamosur, si dhe duhanpirësit janë kategoritë më të riskuara për t’u prekur nga sëmundjet kronike të veshkave. Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim: “Ndryshime të urinimit, si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj, shfaqje të edemave (ënjtjeve) në këmbë, duar apo fytyrë lodhje, mungesë përqendrimi etj. ”