Zlatan Ibrahimovic do të mungojë rreth 6 javë për shkak të dëmtimit të pësuar në sfidën kundër Bastias. Gjigandi suedez I është nënshtruar analizave më të detajuara që qartësojnë edhe gjendjen e 31-vjeçarit të Paris Saint Germain.
Në një komunikatë zyrtare, klubi francez thekson se Ibrahimovic vuan nga tërheqja e muskulit poshtë vertebrës së kraharorit dhe ky dëmtim kërkon rreth 6 javë kohë. Në komunikatën e kampionëve zbardhet edhe dëmtimi i mbrojtësit Gregory van der Wiel, i cili vuan nga një frakturë në vertebër por nuk dihet ende me saktësi koha e rikthimit të tij në stërvitje, por mendohet se ai do të mungojë gjatë dy ndeshjeve të radhës në kampionat.
Ndërkohë edhe Thiago Motta do të mungojë në transfertën e Evian pas goditjes që mori nga Brandao në dhomat e zhveshjes. Pak ditë më parë, trajneri Laurent Blanc humbi edhe mbrojtësin Thiago Silva, i cili u dëmtua në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Napoli.
