Dëmtimi i kockave është një problematikë mjaft e shpeshtë që shfaqet tek moshat e rritura.
Krahas osteoporozës që është dëmtimi më i shpeshtë i kockave tek moshat mbi 55 vjeç, një tjetër ndërlikim që duhet të marrë kujdesin e duhur në kohë është edhe patologjia që në gjuhën mjekësore njihet si sëmundja Paget.
Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se çfarë është kjo sëmundje, zonat që dëmton më shpesh, simptomat dalluese të saj, si dhe kujdesin që duhet të tregojmë në trajtimin e duhur të kësaj sëmundjeje.
Mjekja thekson se pavarësisht masave që mund të marrin kjo sëmundje nuk mund të shërohet, por mund të mbahet nën kontroll. Në vijim të shkrimit gjeni këshillat e plota që duhet të ndiqni për diagnostikimin e hershëm dhe kujdesin që duhet të tregojmë në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Çfarë është sëmundja Paget dhe nga se karakterizohet?
Sëmundja është një çrregullim kronik i kockave dhe zë vendin e dytë në patologjitë që prekin kockat tek moshat e rritura pas osteoporozës.
Sëmundja Paget karakterizohet nga çrregullimi i procesit normal të rimodelimit të kockave. Kockat normale, ashtu si gjithë indet e organizmit kanë një ekuilibër ndërmjet formimit të qelizave të reja kockore dhe absorbimit të qelizave të vjetra kockore.
Kjo marrëdhënie, e njohur si procesi: “ i rimodelimit të kockave” është thelbësore për ruajtjen e niveleve normale të kalciumit në gjakun tonë. Në kockën e prekur nga sëmundja Paget kemi një rimodelim jonormal dhe jo të sinkronizuar. Si rezultat, kocka që formohet nuk është normale por është e zgjeruar, jo shumë e dendur, e brishtë dhe e prirur për thyerje (fraktura).
Në rast se sëmundja e prek kockën vetëm në një zonë , ajo quhet e llojit monostotik, ndërsa kur preken faqet e shumta të eshtrave, atëherë ajo quhet e llojit polyostotik.
Cilët janë faktorët kryesorë të rrezikut që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje?
Fillimi i sëmundjes Paget zakonisht është mbi 55 vjeç. Pra mosha e rritur mbetet një faktor rreziku për fillimin e simptomave të kësaj sëmundjeje. Studimet tregojnë se rreth një e treta e pacientëve kanë një histori familjare të kësaj sëmundjeje. Gjithashtu, mendohet se infeksione të ndryshme virale mund të ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje tek njerëzit që janë të predispozuar gjenetikisht.
Cilat janë kockat që preken më shpesh nga kjo sëmundje?
Në shumicën e rasteve sëmundja Paget nuk shkakton simptoma klinike dhe shpesh diagnostikohet në ekzaminimet radiologjike me rrezet X që kryhen për arsye të tjera. Sidoqoftë, sëmundja Paget mund të shkaktojë dhimbje kockore, deformime kockore, fraktura (thyerje të kockave) dhe artritin.
Dhimbjet kockore të sëmundjes përqendrohen kryesisht në zonën e prekur. Kockat që preken zakonisht përfshijnë shpinën, kockën e kofshës, legenin, klavikulën, kockat e kokës dhe kockën e pjesës së sipërme të krahut. Frakturat mund të ndodhin sepse kocka e prekur nuk është aq e fortë sa kockat normale.
Me çfarë shenjash klinike shoqërohet kjo sëmundje dhe si mund ta veçojmë nga dëmtimet e tjera që prekin kockat?
Simptomat e sëmundjes Paget varen nga kockat e prekura dhe nga ashpërsia e sëmundjes. Kockat e zgjeruara mund të shtypin nervat që kanë pranë duke shkaktuar ndjesinë e shpimit me gjilpëra dhe ndjesinë e mpirjes.
Kur preken kockat e kafkës mund të shfaqet dhimbja e kokës, humbja e shikimit, humbja e dëgjimit.
Nëse sëmundja përhapët në shumë kocka të trupit mund të zhvillohet insuficienca kardiake (pamjaftueshmëria e punës së zemrës) si rezultat i rritjes së punës së zemrës (mbingarkesa).
Ndonjëherë, lëkura që mbulon kockat e prekura nga sëmundja Paget është më e ngrohtë se zakonisht. Kjo ndodh për shkak të rritjes së furnizimit me gjak në kockën “pagetike”.
Si mund të diagnostikohet sëmundja Paget?
Sikundër e theksuam edhe më lart, diagnostikimi bazohet në ekzaminimin radiologjik me rreze X, por gjithashtu edhe nëpërmjet testeve të tjera të imazhit, si: skaneri dhe rezonanca magnetike.
Skanimi i kockave është veçanërisht i rëndësishëm për përcaktimin e shtrirjes dhe të përfshirjes së sëmundjes Paget, duke na siguruar imazhin e gjithë skeletit.
Po biopsia a vlen në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje?
Biopsia e eshtrave në përgjithësi nuk është e nevojshme për të bërë diagnozën e sëmundjes paget. Ajo merret në konsideratë nëse ka dyshim për një proces malinj në kockën e përfshirë.
Shpesh në gjakun e këtyre pacientëve kemi një nivel të rritur të fosfatazës alkaline, një enzimë që vjen nga kockat, si rezultat i rimodelimit aktiv jonormal që ndodh në këtë rast.
Por kjo enzimë rezulton e lartë edhe në patologji të tjera duke e bërë të vështirë diagnozën diferenciale. E shoqëruar me ekzaminime të tjera merr shumë rëndësi në ndjekjen e ecurisë së pacientit.
Cili është trajtimi i sëmundjes Paget?
Trajtimi i sëmundjes Paget është i drejtuar drejt kontrollit të aktivitetit të sëmundjes dhe menaxhimit të ndërlikimeve të saj.
Kur sëmundja nuk shkakton simptoma klinike dhe testimi i gjakut tregon se niveli i fosfatazës alkaline në serum është normal, ose pak i rritur, nuk është i nevojshëm ndonjë trajtim specifik. Dhimbjet e kockave mund të dominohen me preparate antiinflamatore jokortizonike (Ibuprofen, Naproxen ), ose lehtësues të tjerë të dhimbjeve (Paracetamoli ).
Si trajtim kryesor i sëmundjes Paget mbeten preparatet e grupit biofosfonate, të cilat përdoren edhe në trajtimin e osteoporozës. Sëmundja Paget nuk lidhet me osteoporozën dhe dozimi i këtyre medikamenteve është i ndryshëm për secilin rast.
Këto preparate merren sipas përshkrimit që bën mjeku përkatës. Sëmundja Paget kërkon edhe mjete të shumta ortopedike sipas rastit, në varësi nga kockat e prekura, si për shembull: këpucë ortopedike ose shina të ndryshme mbështetëse.
Në cilat rastet nevojitet ndihma e kirurgjisë?
Kirurgjia mund të jetë e nevojshme për nyje të dëmtuara, thyerje, deformime të rënda, dëmtime nervore ose zgjerime të mëdha kockore. Megjithatë, është mjeku specialist ai që përcakton se në cilat raste trajtimi duhet të vijojë nëpërmjet kirurgjisë.
Nëse nuk trajtohet në kohë, me çfarë ndërlikimesh përballemi?
Ndërlikimet e sëmundjes Paget përfshijnë frakturat, dhimbjet nervore, ngrohjen e lokalizuar të lëkurës apo edhe sarkomën, një formë e kancerit të eshtrave që ndodh shumë rrallë (më pak se 1 për qind e pacientëve). Anomalitë e bilancit të kalciumit dhe të fosforit janë të zakonshme në sëmundjen Paget.
Gjatë operacioneve mund të kemi hemorragji si rezultat i qarkullimit të shtuar në kockat e prekura. Kur sëmundja prek zonën e kafkës në zonat e dëgjimit, apo të shikimit, ajo mund të çojë në humbjen e këtyre funksioneve (dëgjimi dhe shikimi).
Cila është prognoza e sëmundjes Paget ?
Prognoza në përgjithësi është e mirë, veçanërisht nëse trajtimi fillon përpara se të kenë ndodhur ndryshime të mëdha në kockat e prekura. Në përgjithësi, simptomat përparojnë ngadalë. Gjendja e përgjithshme e pacientit zakonisht nuk kompromentohet.
Trajtimi mund të kontrollojë sëmundjen Paget dhe të zvogëlojë simptomat, por nuk e shëron atë. Forma e kancerit të kockave, ndonëse e rrallë, mund të ndikojë seriozisht në shëndetin e përgjithshëm.
Duhet të dimë se sëmundja Paget nuk është e mundur të parandalohet, por me trajtimin e kujdesshëm të saj mund të shmangim ndërlikimet e formave të rënda, duke mbajtur kështu nën kontroll edhe vetë sëmundjen.
o.j/dita
