Dëmtimi i Marchettit, Berisha rikthehet titullar te Lazio

Dita

Te Lazio vjen momenti i Etrit Berishës. Portieri shqiptar me shumë mundësi do të aktivizohet titullar në 2 ndeshjet e fundit të këtij viti ndaj Udineses në Kupën e Italisë dhe Interit në Serinë A. Dëmtimi muskulor që pësoi Federico Marcetti në momentin e festimit të golit të avantazhit në sfidën mes bardhekaltërve dhe Sampdorias ka bërë që ky i fundit të humbasë dy sfidat e radhës.

Sipas të gjitha gjasave portieri titullar i Lazios do të rikthehet në fushë vetëm në vitin 2016, duke i dhënë kështu mundësi Berishës të tregojë vlerat e tij në 2 ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën kryeqytetase. 26-vjecari nga Prishtina i cili ka luajtur në 8 ndeshje si titullar gjatë këtij sezoni mes kampionatit dhe Europa Leagues ndaj Sampdorias hyri në fushë për herë të 9-të teksa zëvendësoi Marchettin në minutën e 82-të .

Në fakt në takimin e raundit të 1/8-ave të Kupës së Italisë mes Lazios dhe Udineses, Berisha pritej të aktivizohej që nga fillimi edhe në rast se Marchetti nuk do të ishte dëmtuar, pasi në Europa League dhe Kupën e Italisë portieri titullar i bardhekaltërve është pikërisht gardiani i kombëtares kuqezi.

Por me dëmtimin e Marchetit, 26-vjecari do të ketë mundësi të zbresë në fushë që nga minuta e parë edhe në një stadium mitik si San Siro të Dielën në mbrëmje në sfidën ndaj kryesuesve të Interit. Përballë zikaltërve Berisha ka kujtime të mira pasi sezonin e kaluar në Olimpico i priti një penallti argjentinasit Mauro Icardi.

Nëse paraqitet mirë në këto dy sfida Etrit Berisha mund të fitojë më shumë besim në sytë e stafit teknik të Lazios dhe duke parë që Marchetti po bën shumë gabime në këtë sezon, portieri shqiptar mund të bëhet numri 1 i Lazios edhe në kampionat.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *