Java e derbit për Partizanin nis me ankthin për gjendjen e Sebino Plakut. Sulmuesi rrezikon seriozisht të humbasë klasiken me Tiranën.
Lojtari, i dëmtuar në gju në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Tërbunit, mungoi në stërvitjen e djeshme, ndërsa punoi i diferencuar në palestër. Largimi mes dhimbjeve nga fusha përpara fundit të pjesës së parë të sfidës me Tërbunin tregoi se dëmtimi është mjaft serioz. Stafi i të kuqve konstatoi ënjtje të gjurit dhe vazhdon ta monitorojë situatën e Plakut.
30-vjeçari është kthyer në një element mjaft të rëndësishëm për Partizanin dhe një titullar i padiskutueshëm përkrah Xhevahir Sukajt. Për këtë arsye, gjendja e tij do të mbahet nën kontroll deri pak orë përpara derbit, me shpresën se Plaku do të luajë kundër Tiranës.
Në këtë situatë, trajneri Sulejman Starova po shqyrton aktivizimin e Stevan Raçiç. Serbi, që mungoi gjatë javës së kaluar, i është bashkuar normalisht përgatitjeve të ekipit. Gjithsesi më parë Raçiç duhet të fitojë besimin e stafit teknik, që po i llogarit me kujdes alternativat. Një kandidat për repartin ofensiv mbetet edhe italiani Emanuele Morini.
Ai që rrezikon të mungojë në sulm është edhe Astrit Fazliu, që ka vijuar stërvitjen e diferencuar, ashtu si edhe mbrojtësi Renato Kalari.
Në javën e supersfidës së kryeqytetit, Partizanin e pret edhe formaliteti në Kupë përballë Korabit të Peshkopisë, pas suksesit 5-0 në ndeshjen e parë.
