Nëse gjykata do të dënojë ish-ministrin e Arsimit dhe njëherësh deputet i Partisë Demokratike, Myqerem Tafaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, atëherë, ai duhet të dorëzojë mandatin, pavarësisht masës së dënimit, që mund të përkthehet edhe në gjobë.
Gjykata e Lartë pritet të japë vendimin përfundimtar për këtë çështje në 14 prill.
Nëse ish-ministri Tafaj, shpallet fajtor, atëherë mandati i deputetit do t’i kalojë të renditurit në numrin 13 të listës shumëemërore të PD-së për qarkun e Tiranës, Visar Zhiti.
Shkrimtari i njohur, më parë ka qenë deputet i PD-së, por ka mbajtur dhe postin e ministrit të Kulturës në muajt e fundit të qeverisë “Berisha”.
Vitin e kaluar, Zhiti ishte në qendër e kjo për shkak të propozimit që bëri qeveria “Rama” për ta emëruar si ambasador në Selinë e Shenjtë, në Vatikan.
Pavarësisht se ky propozim gjeti bekimin e dy partive PS-së dhe PD-së në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, ai hasi kundërshtimin e prerë të Presidentit të vendit, Bujar Nishani.
Kreu i Shtetit nuk dëgjoi as thirrjet me peshë në radhët e opozitës, siç është ajo e ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli, e cila do të shprehej në Komisionin e Politikës së Jashtme, se emri i Zhitit do t’i bënte nder Shqipërisë.
Refuzimi për të dekretuar ish-ministrin e Kulturës solli një përplasje të ashpër dhe madje një luftë institucionale ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bujar Nishani.
Rama do të deklaronte se emri i Zhitit do t’i bënte nder shtetit shqiptar për ta përfaqësuar në arenën ndërkombëtare dhe se kreu i shtetit, me refuzimin e tij, do ta ridënonte për së dyti atë.
Por presidenti do t’i përgjigjej “flakë për flakë” qëndrimit të kryeministrit.
Ky qëndrim i kreut të shtetit krijoi një krisje jo të vogël mes demokratëve./E.T
