Nëse titulli ju lë të çuditur, imagjinoni befasinë tonë kur pas kalvarit të gjatë gjyqësor për lirimin dhe rikthimin e shtëpisë së babait, u gjetëm përpara pamundësisë së ekzekutimit të vendimit të Gjykatës që ishte në favorin tonë.
Pas viteve të shumta dyerve të gjykatave në të tre shkallët, më në fund me Vendimin nr.92 dt.23.09.2014 të Gjykatës Apelit Vlorë, i cili është i formës së prerë detyrohet që z.Thoma Dhimojani të lirojë dhe të dorëzojë sipërfaqen prej 730 m2 si dhe ndërtesën dy katërshe, trashëgimtarëve të pronarit të ligjshëm, Irakli Bollano. Në vazhdimësi është marrë dhe Vendimi nr 36 dt 13.01.2015 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë “Për lëshimin e Urdhrit të Ekzekutimit” si dhe Vendimi nr 175 dt 26.03.2015 i Gjykatës Lartë Kolegji Civil për vazhdimin e ekzekutimit.
Me besim të plotë në shtetin e së drejtës që e rivuri në vend të drejtën tonë të shkelur si nga ana ligjore dhe nga ajo zakonore, iu drejtuam Zyrës së Përmbaruesit Gjyqësor z.Helidon Xhindi për ekzekutimin e vendimit. Konform të gjitha rregullave, së bashku me stafin e Përmbaruesit u paraqitëm ditën dhe orën e caktuar për kryerjen e ekzekutimit të vendimit, por u gjendëm para një reagimi nga zaptuesit e pronës të cilët penguan me forcë ekzekutimin. Kjo ndodhi në datën 17.03.2015 në prezencë edhe të forcave të Stacionit Policisë Himarë, të cilët nxorën si pretendim për dështimin e ekzekutimit mosprezencën e policëve femra. Nga data e caktuar në vijim 26.03.2015 dhe deri datën e fundit të caktuar 17.07.2015 u kryen nga Përmbaruesi Gjyqësor 6 tentativa të tjera për zbatimin e vendimit, duke njoftuar me shkrim konform procedurës: Stacionin Policisë Himarë, Drejtorinë e Policisë – Komisariatin Vlorë dhe institucionet e tjera sipas kërkesave të ligjit, por çdo tentativë dështoi për arsye të mungesës së forcave të rendit të cilat me detyrim ligjor duhej të ishin prezente në vendin e zbatimit.
Reagimet e debitorit (zaptuesit të pronës) kanë qenë të ashpra, disa herë dhe me kërcënim të jetës sonë dhe të Përmbaruesit Gjyqësor, fakte të cilat janë regjistruar dhe paraqitur policisë së shtetit, të cilët sërish nuk i kanë marrë në konsideratë.
Të befasuar nga kjo neglizhencë e strukturave të Drejtorisë Policisë Vlorë dhe Stacionit Policisë Himarë, kërkuam sqarime se përse nuk ofrohej ndihma që përcakton ligji. Kërkesave tona i janë përgjigjur në mënyrë mashtruese dhe aspak dinjitoze. Konkretisht Drejtori Policisë Qarkut Vlorë z.Jaeld Çela dhe shefi Stacionit Himarë z.Viktor Lloge, gjatë këtyre 6 muajve kanë bllokuar me çdo mjet ekzekutimin e vendimit, nuk i dimë arsyet pse kanë marrë kaq kosto të lartë mbi veten dhe kush i mbështet në këto veprime antiligjore, sepse veprojnë mjaft lirshëm dhe në mënyrë të paskrupullt. Të gjendur në këto kushte, i jemi drejtuar Portalit të Kryeministrisë si dhe me 2 shkresa Kryeministrit, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë Policisë së Shtetit, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm etj, duke i bërë me dije në mënyrë të përsëritur shkeljet flagrante të ligjit nga ana e drejtuesve të Policisë që pengojnë në mënyrë skandaloze zbatimin e vendimit të Gjykatës. Përgjigjet e ardhura nga këto institucione kanë qenë të një linje sipas klishesë së formuluar nga Drejtoria e Policisë Vlorë.
Saktësisht na është kthyer përgjigja “se forcat e policisë kanë qenë prezente ditët e caktuara për ekzekutim dhe se në shumicën e rasteve kanë munguar Përmbaruesi”?! Me gjithë mirëkuptimin e mundshme që mund të tregojë dikush për të përtypur këtë lloj argumenti të sajuar nga ana e Drejtorisë Policisë Vlorë, është e pamundur të besohet se pas kalvarit të gjatë gjyqësor dhe pas investimit kohor dhe monetar, kreditorët të jenë aq të papërgjegjshëm sa ta lënë pa mbikqyrje pikërisht momentin e zhvillimit të ekzekutimit. Përkundrazi, siç vërtetohet nga të gjitha procesverbalet e Zyrës Përmbarimore, por dhe nga dëshmitarët okularë të cilët janë të shumtë në qytetin e Himarës, ata që munguan ditët e caktuara të ekzekutimit të vendimit edhe pas njoftimeve zyrtare, duke e penguar përfundimisht atë, ishin forcat e policisë të Drejtorisë së Qarkut Vlorë dhe Stacionit të Policisë Himarë.
As një dhe as dy, por 7 data të caktuara të cilat mbeten një tentativë për rikthimin e të drejtës sonë të shkelur. Policia e Shtetit është bërë palë me zaptuesit e pronës tonë dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatës. Madje urdhri me nr protokolli A-20/8 i dt 10.07.2015 i Drejtorisë Policisë Shtetit në adresë të Drejtorisë Policisë Qarkut Vlorë për mbështetjen e Përmbaruesit Gjyqësor Helidon Xhindi në dt 17.07.2015 nuk është zbatuar duke u justifikuar me sezonin turistik. Po tani që ka 1 muaj që ka mbaruar sezoni?
Neni 131 shkronja “ f” i Kushtetutës, parashikon të drejtën për një proces të rregullt ligjor, proces i cili solli si pasojë të drejtën për rikthimin e pronës sonë, e drejtë që është kërkuar konform ligjeve dhe rregullave. Nëse ne e mbështesim mbi ligj pretendimin tonë, Policia e Shtetit mbi çfarë baze ligjore e mbështet zvarritjen e paprecedente të paraqitjes-detyrim ditën dhe orën e ekzekutimit? Argument ligjor nuk ka, mbetet ai i trajtimit me syrin e njerkës së disave, për të trajtuar me syrin e nënës personat e preferuar. Pra organi që duhet të ruajë dhe të ekzekutojë ligjin, kthehet në institucionin që themelon karshillëkun si bazë ligjore të veprimeve të tij.
Duke qenë se kemi ezauruar pa rezultat të gjithë rrugët ligjore për të ekzekutuar verdiktin e pushtetit gjyqësor, e vetmja rrugë për të rifituar të drejtën tonë të penguar mbetet kërkesa publike me anë të mediave, pushtetit ekzekutiv dhe specifikisht Kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar që brenda shtetit të së drejtës për të cilin përpiqet të ndërtojë, të lulëzojë ky rend paralel që nuk lejon zbatimin e ligjit, por pengon duke futur në qorsokak gjithë strukturën shtetërore e cila në mënyrë arbitrare bëhet pjesë e njerkokracisë në kurriz të njerëzve që i drejtohen dhe i besojnë ligjit.
Objekti në fjalë nuk përbën një pasuri marramendëse që mund t’i fuste në këtë lloj sëkëlldie institucionet e shtetit shqiptar, këtu bëhet fjalë për një shtëpi të vogël në Himarën e vjetër e cila ka vlerë të papërfillshme monetare, por ka vlera të mëdha shpirtërore. Është shtëpia 2 shekullore e katragjyshërve tanë të cilët nuk do besonin kurrsesi se pas 200 vitesh djersa e tyre do bëhej një pazar i pështirë për favorizime meskine. Por zotërinjtë zaptues (debitorë), mbështetësit e pushtetshëm të tyre dhe policia e shtetit që bën syrin qorr për zbatimin e ligjit, kanë anashkaluar një fakt tepër të rëndësishëm, i cili një ditë do t’iu kthehet në bumerang: Sado pengesa, hile apo pseudoshkresa me argumente të gënjeshtërta të bëjnë dhe të hartojnë, mbetet sërish çështje kohe sepse djersën dhe vuajtjet e të parëve tanë ne nuk e negociojmë. Koha ka treguar se sado njerka të mundohet të sabotojë, e drejta gjithnjë ka triumfuar, por në rastin tonë si epiloog, njerka antikushtetuese do ketë dhe pasojat ligjore.

Eshte e tmershme kjo qe ndodh ne vendin tone,dmth del policia mbi sistemin e drejtesise dhe nuk zbaton vendime gjykate qe qenkan tre!!Ka filluar lufta e klasave prape.Keta police mafioze e kane si monopol kete punen e ekzekutimit vendimit,nuk te lejojne te marresh polici private sepse duan leket vete.Turp Policise Shtetit qe i plasen njerezit.Shtet i kalbur