Peripecia e një qytetari kuksian, e ilustruar me dokumente. Akuzat e tij për përvetësimin e një shtese pallati dhe një histori mbi 12 vjeçare. Gazeta është e hapur për prononcimin e palëve të tjera.
E nderuar DITA. Unë quhem Sali Gera, nga qyteti i Kukësit. Ju lutem merrni parasysh botimin e denoncimit të mëposhtëm, të mbështetur në dokumente e fakte të pakundërshtueshme, që dëshmon jo thjesht sesi mund të grabitet banesa e njerëzve të thjeshtë, por edhe sesi drejtësia në këtë vend ka probleme jashtëzakonisht të rënda.
Në vitin 2003, ne banorët e pallatit 10, lagja 5 në Kukës: Petrit Katroshi, Sali Gera, Muharrem Zeneli dhe Shaqir Beqiri, i bëmë një kërkesë për zgjerim banese bashkisë Kukës. Kishim nevojë dhe vendi ishte i përshtatshëm për shtesë pallati. Kërkesën tonë e noterizoi noteri Bexhet Gjana më 2.7.2003. KRRT e bashkisë me vendimin nr 26 të 17 korrikut 2003, miratoi studimin urbanistik për shesh ndërtimi 62 m2.
Në pikën 3 të këtij vendimi thuhet: “Destinacioni kryesor i shesh-ndërtimit është ambient banimi”.
Me vendimin Nr 37/17 më 27 gusht 2003, këshilli bashkiak miratoi sheshin e ndërtimit për ndërtimin e objektit “shtesë pallati me sip. 62 m2”, ku në pikën 3 thuhet: “Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen banorët e pallatit 10, lagja 5 Kukës”.
Në vijim u miratua nga KRRT e bashkisë destinacioni i sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane, dhe leja e ndërtimit.
Në zbatim të vendimit nr.47 datë 16.02.2004 të KRRT-së së bashkisë Kukës, sekretaria teknike e Urbanistikës dhe KRRT mriatojnë gjithashtu destinacionin e sheshit dhe kondicioneve urbane për shtesën e pallatit tonë.
Ky është momenti i makinacioneve abuzive dhe kriminale të Bexhet Gjanës, i veshur me cilësinë e noterit publik. Duke shfrytëzuar detyrën dhe në bashkëpunim me miq të tij në bashkinë Kukës, si dhe me noteren e rrethit Has, Farie Derri, duke shtyrë në faj dhe shtetas të tjerë, të mashtruar e të paguar, ka manipuluar provat dhe ka mohuar të vërtetën.
Kjo sepse leja e ndërtimit nga KRRT Kukës me nr.47 e datës 16 shkurt 2004 nuk u lëshua në emër të banorëve të pallatit, por të shoqërisë “Laci” shpk, e cila nuk kishte asnjë lidhje, porosi apo kontratë me ne, banorët që kërkuam lejen e ndërtimit.
Pas këtyre akteve ishte noteri Bexhet Gjana, i cili në fshehtësi kishte lidhur kontratë sipërmarrjeje me shoqërinë “Laci” për ndërtimin e shtesës së pallatit 10, në një kohë që asgjë nuk e legjitimonte atë të bënte një kontratë të tillë. Rezultoi se ai kishte interes për të ndërtuar një zyrë noterie, pasi pallati 10 ndodhet shumë pranë prokurorisë dhe gjykatës së Kukësit.
Në vijim të falsifikimeve të tij, Bexhet Gjana më dt. 17.06 2005 ka bërë një akt tjetër fiktiv, një kontratë shitblerjeje, dhe në cilësinë e blerësit të truallit për shtesën e pallatit 10, i blen bashkisë Kukës tokën. Këtu, bashkia Kukës ka bërë një kontratë në kundërshtim të hapur me ligjin, për të drejta pasurore që ajo nuk i kishte, duke i shitur Bexhet Gjanës një pronë e cila në ZRRPP nuk është regjistruar në emër të bashkisë, ndërsa blerësi nuk ishte banor i pallatit 10.
Në këtë pikë iu drejtova gjykatës së rrethit gjyqësor Kukës me padi ndaj seksionit të Urbanistikës së bashkisë, që ajo të detyrohet të dërgojë dokumentacionin e plotë të shtesës së pallatit 10, lagja 5, në ZVRPP Kukës për të bërë regjistrimin provizor të saj. Gjykata e Kukësit rrëzoi me vendimin 630 të 24 dhjetorit 2009 kërkesën time dhe të Bexhet Gjanës. Apeli i Shkodrës me vendimin 145 të 6 prillit 2011 e njohu Bexhet Gjanën si pronar të gjithë shtesës së pallatit 10, duke përfshirë dhe pjesën korresponduese që i takon banesës sime. Unë bëra rekurs në Gjykatën e Lartë, duke parashtrur shkeljet e rënda ligjore dhe shtrembërimin e së vërtetës nga gjykata e Apelit Shkodër, e cila në mënyrë të paramenduar kishte futur në përbërje të trupit gjykues gjyqtarin e sjellë enkas për këtë çështje nga gjykata e Krimeve të Rënda, Fehmi Petku.
Me dokumente kemi vërtetuar se ky gjyqtar kishte detyrimin ligjor të mos pranonte gjykimin e kësaj çështjeje, sepse motra e tij është bashkëshorte e xhaxhait të Bexhet Gjanës, për çka flasin nenet 72/2 dhe 73 të kodit të procedurës civile. Për këtë arsye Gjykata e Lartë me vendimin 178 datë 7.3 2013 prish vendimin e Apelit Shkodër.
Unë sqaroi se Bexhet Gjana, me vendimin nr.14 datë 15 shkurt 2013 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Kukës është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 8 muaj heqje lirie, vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli Shkodër. Kjo sepse ai ka falsifikuar dhe përdorur dokumente themelore që janë baza e zgjidhjes në themel të çështjes, siç është akti i përfundimit të ndërtimit, akti i kolaudimit, akti për marrjen e lejes së shfrytëzimit etj, të gjitha të falsifikuara. Por Gjykata e Apelit Shkodër, në seancën e datës 20 mars 2015 nuk i mori fare në konsideratë provat e mia, duke bërë për të dytën herë pronar Bexhet Gjanën, përfshirë dhe të pjesës takuese të banesës sime, me dokumente të falsifikuara.
Gjykata e Kukësit, me vendimin nr.97 të datës 2 dhjetor 2013 e ka deklaruar fajtor Bexhet Gjanën në bazë të nenit 150 të kodit penal, me gjobë 150 mijë lekë, lënë në fuqi nga Apeli i Shkodrës, pikërisht për pronën time.
Por historia vazhdon. Unë ngrita një çështje civile ndaj Bexhet Gjanës, ku ai paraqiti një deklaratë që mbante datën 5 qershor 2004, ku gjoja unë paskam hequr dorë nga pronësia e ndërtimit të shtesës takuese të apartamentit tim, si dhe heq dorë nga çdo lloj pretendimi për njohje apo regjistrim pronësie në emrin tim të shtesës takuese të truallit përkatës. Kjo deklaratë ishte noterizuar tek noteria e Hasit, Farie Derri, pas dy vjetësh, në 2006. Sapo u vura në dijeni, kam paraqitur kallëzim penal në prokurorinë e Kukësit, ku prokurori Agron Gjana me kurajo e integritet vërtetoi fajësinë e të akuzuarve nga ana ime. Por prokurorin e detyruan të jepte dorëheqje nga mbrojtja e akuzës në gjykatë, sepse nuk pranoi një akt ekspertimi privat të blerë shtrenjtë nga Bexhet Gjana. Tre herë ishte provuar shkencërisht nga Policia Shkencore Tiranë se firma e deklaratës qe falsifikuar, por eksperti privat thoshte të kundërtën!!!
Çështjen time e mori prokurori Xhevahir Lita, dhe në marrëveshje me gjyqtarin Isuf Shehu bënë të pamundurën për të shpëtuar nga përgjegjësia penale Bexhet Gjanën, derisa ja arritën qëllimit. Ky gjyqtar nuk e solli solli asnjëherë në gjykatë noteren e Hasit, përpara së cilës unë paskam firmosur se heq dorë nga të drejtat e mia! Kjo se ajo pretendonte se ka qenë sëmurë gjatë gjithë vitit!
Historia e banesës sime është e gjatë. Aty përfshihen gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, por edhe njerëz me integritet në profesion.
Konkluzioni është që kam bërë mbi 250 seanca gjyqësore për një shtesë apartamenti që më takonte me ligj. Aktualisht, ministri i Drejtësisë me urdhrin 291 të datës 30 maj 2014 ka vendosur heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit të noterit për Bexhet Gjanën, si fajtor për “falsifikim dokumentesh”. Ai ndërkohë ka ngritur katin e parë të zyrës së vet, ndërsa banorëve të tjerë të pallatit ua ka blerë banesat dhe kam mbetur vetëm unë. Kam hapur derë në shtesën që më takon, e cila është karabina, por përmbarimi ka ardhur 10 herë bashkë me policinë.
Kjo është një histori që nis me kërkesën logjike dhe të ligjshme për një shtesë pallati këtu e 12 vjet më parë, dhe ka vazhduar me një mijë makinacione e poshtërsi, pikërisht nga noteri që na përgatiti kërkesën e shtesës! Në përballjen mes të mirës dhe të keqes në drejtësi, unë me sytë e mi i kam parë të dyja aspektet, për shkak të fatkeqësisë që më ka rënë mbi krye nga veprimet e një mashtruesi e maskarai, dhe zgjatimeve të tij në prokurori e gjykata. Por deri tani, ende ka fituar poshtërsia.
A more kuksjane!Kudo njesoj eshte vendi kriminel me emrin shqiperi!Vetem kamikazet bejne pune ne ate vend asgje tjeter.Shtet aty nuk ka dhe nuk do kete!Prandaj mblidhuni se bashku kapini te gjithe ata qe mendoni se kane te bejne me ate pune dhe hidhini prej shkembinjve te kukesit.Pastaj paguni te gjithe se bashku te korruptuarit e tjere dhe dilni nga burgu.Rruge tjeter ska.Dokumentacjoni nuk pi uje ne vendin me kriminel te planetit.Prona mbrohet vetem ne menyre private kur kete gje duhej ta bente i ashtuquajtuiri shtet qe ne shqiperi mender nuk ekziston.
E pastaj qeveria jone thot ‘pse nuk vin investitoret!
deklarata jote ka shume shtremberime me lidhjet qe ben me palet sepse un i njoh te gjith emrat qe ke permendur dhe asnje lidhje midis palve seshte e sakte qe ke deklaruar