Prindërit e një studenteje 21-vjeçare janë dënuar nga një gjykatë e Ohajos që të mos kontaktojnë me vajzën e tyre për një vit. David dhe Xhuli Irland, të fiksuar pas kontrollit të jetës së vajzës së tyre, kishin instaluar në celularin dhe laptopin e saj një mikroqark spiunimi
Janë të shumtë prindërit që ankohen se fëmijët nuk u japin informacion të mjaftueshëm mbi atë që bëjnë gjatë ditës dhe për personat që frekuentojnë. Por një çift amerikanësh e pagoi shtrenjtë fiksimin ndaj së bijës. Në fakt, pas një kalvari të gjatë persekutimesh nga prindërit e saj, 21-vjeçarja Obri Irland, vendosi t’i denoncojë prindërit e saj për ‘përndjekje’ dhe në fund arriti ta fitojë çështjen. Prindërit e saj janë ndaluar nga një gjykatë në Ohajo që t’i afrohen së bijës më shumë se 500 metra, vizitat në universitet janë rreptësisht të ndaluara dhe nuk kanë të drejtë të kontaktojnë në asnjë lloj forme me të, për mëse një vit.
David dhe Xhuli Irland, pas plot tre vjet ndjekjesh dhe vizitash surprizë në kolegjin e së bijës, kishin arritur në kufijtë e të pabesueshmes. Obri nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se prindërit e saj mund të arrin deri aty sa të vendosnin në telefonin dhe kompjuterin e saj një mikroqark për të spiunuar të gjitha detajet e mundshme të lëvizjeve të saj dhe bisedave që zhvillonte me miqtë.
“Ndihesha si një qen nën një zinxhir të ngushtë, mbytës! Ishte e sikletshme dhe frustruese të shihja prindërit vazhdimisht në universitet, pyesnin për mua, kërkonin informacione dhe më ndiqnin pothuajse kudo”, shprehet ajo.
Pas një zënke të dhunshme me të ëmën, Obri kishte vendosur të ndërpriste çdo kontakt me prindërit e saj “shtypës”, e për këtë arsye i kishte drejtuar një kërkesë universitetit ku ndiqte studimet, ku kërkonte që prindërve të saj të mos u lejohej hyrja aty. Përgjegjësit e universitetit, duke parë gjendjen dëshpëruese në të cilën ndodhej studentja e tyre, punësuan roje për të ndaluar çiftin Irland që të futej në universitet.
David dhe Xhuli, si kundërpërgjigje, vendosën të ndërprisnin pagesën e studimeve të vajzës dhe u përpoqën ta largonin nga universiteti, duke thënë se vajza e tyre kishte probleme mendore. Kur ende nuk ishte vendosur gjë mbi fatin e vajzës, ajo zbuloi në aparatin e saj celular, e më pas në laptop mikroqarkun që informonte prindërit për të gjithë veprimtarinë e saj. Në këtë pikë, studentja nuk duroi dhe iu drejtua gjykatës.
Juria, pasi shqyrtoi rastin e paprecedentë të ‘persekutimit’ të Obri Irlandit nga prindërit e saj, i dha të drejtë. Kështu, për një vit David dhe Xhuli do të duhet të respektojnë vendimin e gjykatës dhe të qëndrojnë larg së bijës. Ndërsa universiteti ku studion vajza, vendosi ta lejojë atë të përfundojë vitin e fundit të studimeve pa kryer asnjë pagesë./Dorina Gjuzi