Murat Zazaj, një mësues tashmë i papunë, tregon historinë e përndjekjes pas denoncimit të vjedhjes së votave në komunën Ruzhdie. Mësuesi i shkollës 9-vjeçare të komunës së Ruzhdies, prej vitesh përndiqet duke u transferuar në zonat më të largëta të qytetit të Fierit. Zazaj denoncoi vjedhjene zgjedhjeve në këtë komunë nga Partia Demokratike, çka u bë më pas arsyeja e përndjekjes dhe heqjes nga puna. “Gjatë gjithë kohës kam punuar si mësues pranë shkollës 9-vjeçare Ruzhdie. Por me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 28 qershor 2009, më kanë transferuar nga kjo shkollë për shkak të një përplasjeje gjatë fushatës elektorale me kundërshtarët politikë, sepse mbaja dhe mbaj ende pozicionin e kryetarit të PS-së për Komunën Ruzhdie. Fill pas kësaj, dhe me fillimin e vitit shkollor 2009-2010, më jepet një urdhër vendimi për lëvizje-transferimi për të kaluar nga shkolla 9-vjeçare “Ruzhdie” për në shkollën 9-vjeçare “Drenie”, e cila ndodhej mjaft larg fshatit tim. Për të arritur në shkollën e “Drenies” më duhej të udhëtoja nëpër baltë tre orë vajtje-ardhje. Nuk vonoi shumë dhe pikërisht më datë 5 prill 2010 më jepet një urdhër tjetër vendimi për lëvizje-transferimi për të kaluar nga shkolla 9-vjeçare “Drenie” për në shkollën 9-vjeçare “Pishë”, në kufi me rrethin e Vlorës. Në këtë kohë, për të arritur në vendin e ri të punës dhe për t’u kthyer në shtëpi më kushtonte 1700 lekë të reja çdo ditë. Më datë 2 shtator 2010 me vjen një tjetër urdhër transferimi për të kaluar në shkollën 9-vjeçare “Alush Grepcka” në Roskovec. Mendova se gjithçka do të përfundonte këtu. Por me fillimin e vitit të ri shkollor 2012-2013, filluan përsëri tratativat për të më lëvizur. Më datë 18 nëntor 2012, drejtori i shkollës në Roskovec më komunikoi një urdhër me gojë, që sipas tij unë duhej të lëvizja nga shkolla “Alush Grepscka” në Roskovec në shkollën 9-vjeçare “Vlosh”, që ndodhet në një zonë që nuk ka infrastrukturë rrugore, por përshkohet vetëm në këmbë 4 deri në 5 orë vajtje- ardhje. Pas shumë kërcënimesh dhe presionesh të vazhdueshme për gati një muaj rresht, urdhri me gojë u bë fakt i kryer dhe pikërisht me datë 15 nëntor 2012 mu dha një urdhër vendimi për lëvizje-transferimi për në shkollën e “Vloshit”. Por kjo shkresë nuk është në përputhje me gjeneralitetin që unë mbaj, “Murat Zazaj”, por përmban emrin “Murat Laze”, si dhe nuk është e konfirmuar nga shefi i burimeve njerëzore. Ky fakt më ka shtyrë që unë të mos e pranoj këtë transferim dhe jam paraqitur në punë në shkollën 9-vjeçare “Alush Grebcka”, pavarësisht se nuk jam pranuar nga drejtori i shkollës”, tregon Zazaj.
Ai shprehet se është ankuar në Drejtorinë Arsimore të rrethit, por i janë përgjigjur se “nuk kishin çfarë të bënin. Kishin urdhra nga lart për transferimin”.