Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut, seanca e 9
(Vijon nga numri i kaluar)
Në përfundim të seancës së 9-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, zhvilluar pasditen e 23 gushtit të vitit 1983, ndryshimi i disa deponimeve të të akuzuarve për ‘Tradhti të lartë ndaj Atdheut’, bën që të ndërhyjnë Aranit Çela, kryetar i trupit gjykues dhe Rrapi Mino, Prokuror i Përgjithshëm e përfaqësues i akuzës në këtë gjyq. Duke iu referuar dëshmive në hetuesi dhe në seancat e para të gjykimit, Çela e Mino e akuzojnë Peçinin si ‘personi më i afërt dhe më i besuar i krye agjentit Mehmet Shehu’, të cilit i ishte besuar një nga detyrat më delikate, ajo e rekrutimit të funksionarëve të lartë si ‘pjestarë të grupit armiqësor të vënë në shërbim të agjenturave të huaja’. I vënë përballë këtyre akuzave e dëshmive të të arrestuarve të tjerë( Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Gani Kodra, etj…), Llambi Peçini e pranon ‘aktivitetin e poli agjentit Mehmet Shehu në shërbim të Partisë e Shqipërisë’, por e mohon qënien e tij si personi më i afërt dhe më i besuar i Mehmetit, e që ka rekrutuar dhe anëtarë të tjerë të grupit. Në kundërshtim të akuzave dhe si provë të distancimit nga Mehmet Shehu, Peçini sulmon dhe hetuesit e çështjes. “Prokurori nuk ka të drejtë në konkluzionet e tij lidhur me cilësimin tim si armik e si i besuar i Mehmet Shehut. Shumë nga ato që shkruhen në procesverbalin e hetuesisë, nuk qëndrojnë, pasi dëshmitë janë marr në kushte jo ligjore. Unë kam qëndruar në hetuesi 15 muaj, e prokurori nuk ka ardhur. Unë nuk jam pyetur nga hetuesit asnjëherë gjatë kësaj kohe”- deponon Peçini në këtë seancë.
(Vijon seanca e 9)
Llambi Peçini:- Jo nuk thotë kështu aktakuza. Akuza thotë kështu: Është Llambi Peçini një ndër ata që i ka dhënë OZN-ës jugosllave sekrete shtetërore, deri në dosjet e kuadrove të ndryshëm për interesat e tyre agjenturore. Unë nuk ju kam dhënë asnjë material jugosllavëve si agjent i tyre. Ata merrnin ç’të kërkonin në Sigurimin e Ushtrisë….
Kryetari(Aranit Çela):- Ata, ç’i donin jugosllavët këto, i kishte marrë malli ti kishin në muze atje?
Llambi:- Po mirë, po është vërtetuar që unë i kam bërë me qëllim armiqësor?
Kryetari:- Ti, atë, nuk e pranon. Unë të them këtë: Ç’i donin jugosllavët këto, për muze!?
Llambi:- Po tani, ju, flisni sot….
Kryetari:- E di xhanëm, po flasim, se sot po bëhet gjyqi, nuk u bë dje.
Llambi:- Nuk është punë gjyqi. Edhe unë sot flas ndryshe, se ne në atë kohë nuk dinim…
Kryetari:- Partia e Punës së Shqipërisë nuk ka thënë i çelni derën Mehmet Shehut, zgjidhni palltot jugosllavëve….
Llambi:- Nuk ka pasur asnjë gjë, as jepja këto, as jo. Porosia qe që jepni gjithçka.
Kryetari:- Të është thënë që këta janë këshilltarë, janë ndihmësa, do të mësojnë, do të bëjnë konferenca….
Prokurori:- Jo futini ju të gjitha, as për Platformën nuk tha njeri.
Kryetari:- T’u dërgosh Platformën sovjetikëve?!
Llambi:- Po mirë, çfarë ka….
Prokurori:- Nuk ka qëllim armiqësor këtu?
Llambi:- Unë s’kam pasur asnjë qëllim armiqësor
Kryetari:- Unë po të them ty i pandehur këtë që, jugosllavët përse i donin këto? Si ta merr mendja ty tani?
Llambi:- Kryetar i gjykatës. Unë tani e kuptoj mjaft mirë përse i kanë dashur jugosllavët.
Kryetari:- Përse i donin?
Llambi:- Po për interesat e tyre agjenturore. Por ama atëherë. Një herë, unë nuk i kam bërë me qëllim armiqësor them.
Kryetari:- Mirë, këtë nuk e pranon, domethënë me qëllim armiqësor….
Llambi:- Nuk e pranoj.
Kryetari:- Janë dhënë, por pa qëllim armiqësor.
Llambi:- Pa qëllim armiqësor.
Kryetari:- Por ama këto do i shfrytëzonin jugosllavët, këtë e dinë dhe kalamajtë…
Llambi:- Po, tani e dinë dhe kalamajtë.
Kryetari:- Po më përpara pse, para 20 vjetëve, përse?
Llambi:- Jo para 20 viteve, po i thonë para 35 viteve…
Kryetari:- Po, para 30 ose 35 vjetësh, përse i donin jugosllavët?
Llambi:- Atëherë nuk e di, atëherë ne ishim me Jugosllavinë, ishim miq…..
Kryetari:- Po përse i donin?
Llambi:- Atëherë bërtisnim Enver-Tito-Stalin….
Kryetari:- Mirë. More, këtë agjenturën tonë, përse e donin?
Llambi:- Cilën! Po ishte gabim. Po nuk dinim ne të punonim, ku dinim ne të punonim.
Kryetari:- A, mirë.
Llambi:- Kush na mësoi ne, ne punonim me modelin e jugosllavëve. Pastaj, pasi erdhën materiale nga Bashkimi Sovjetik, punonim me ato të sovjetikëve.
Kryetari:- Edhe t’u jepnim Platformën pastaj sovjetikëve!
Llambi:- Të përgjigjet kush e ka dhënë Platformën. Edhe unë po them, që gjithë punën e Sigurimit të Ushtrisë, e kishim ndërtuar sipas modelit jugosllav. Pra, deri në vitin 1948, kohë në të cilën filluam të punojmë sipas modelit sovjetik. Tani aty thuhet, në faqen 60, ka prova të pa diskutueshme se qenkam vënë në shërbim të shteteve kapitalisto-revizioniste, se paskam kryer vazhdimisht e në mënyrë aktive detyrat e porositë e ngarkuara prej tyre, siç thuhet në faqen 60. Në qoftë se hetuesia paska pasur prova, pse nuk më janë dhënë mua?
Kryetari:- S’je dakord.
Llambi:- S’jam dakord.
Kryetari:- Ashtu. Po të kishe për të pyetur ne, ne nuk të japim asnjë përgjigje.
Llambi:- Nuk më janë dhënë këto dokumente, nuk më janë dhënë këto materiale.
Prokurori:- Shoku kryetarë dhe shokë gjyqtarë! Nga provat që ka grumbulluar hetuesia, pjesërisht, dhe nga ato që dëgjuam dhe në seancën e sotme që do të vazhdojnë, ky proces, edhe për Llambi Peçinin, na del e provuar që Llambi Peçini është një agjent i përhershëm i rekrutuar nga tradhtari Mehmet Shehu. Dhe jo vetëm i rekrutuar drejt për drejt nga tradhtari Mehmet Shehu, po për një kohë shumë të largët, duke shfrytëzuar ato veset e tij dhe punën që kishte bërë më përpara, i ka shërbyer me besnikëri tradhtarit Mehmet Shehu. Edhe në aktakuzë, shoku kryetar, thuhet që është vënë në shërbim të agjenturave të tjera. E thotë aktakuza për arsye se provohet nga prova që në vitin 1972 dhe 1973, ka marrë takim me agjenturën amerikane. A nuk është ky shërbim që i bëhet, dhe një vënie në shërbim të agjenturës së huaj! Është tjetër problem, e pranon apo s’e pranon sot i pandehuri Llambi Peçini. Por provat flasin këtu, në këtë drejtim, se çfarë del dhe çfarë do provohet. Tjetër është, që Llambi Peçini është përdorur nga poli agjenti Mehmet Shehu si rekrutues për agjentë të tjerë. E kemi dëshmitarin gjallë, të pandehurin Gani Kodra, të cilin e ka vënë në shërbim Llambi Peçini, nuk e ka vënë njeri tjetër. Domethënë, i pandehuri Gani Kodra është vënë në shërbim të Mehmet Shehut jo drejt për drejt nga Mehmet Shehu, por nëpërmjet të pandehurit Llambi Peçinui. Tani problemi shtrohet, shoku kryetar, që përse i ndryshoi këto thënie ky. Ajo që thotë i pandehuri Llambi Peçini është krejtësisht një shpifje që bëhet ndaj organeve të hetimit. Se ashtu si për të tjerët, edhe për këtë proces gjyqësor janë zbatuar të gjitha rregullat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale. Edhe kjo provohet me prova, që midis të tjerave, edhe me Gani Kodrën që u pyet sot këtu, edhe me persona të tjerë që do të pyeten, edhe me ata që janë pyetur në hetuesi. Bile, i pandehuri Llambi Peçini ka shërbyer edhe si këshilltar i tradhtarit Mehmet Shehu për personat që do të futen si anëtarë të organizatës kundër revolucionare……
Llambi:- Paskam qenë zëvendës i Mehmet Shehut unë, pse nuk thua ti!?
Prokurori:- Në këtë punë, deri diku, edhe zëvendës i Mehmet Shehut ke qenë. Për arësye se futja në organizatën kundër revolucionare e Llambi Ziçishtit, është bërë pasi e pandehura Fiqret Shehu, mori pëlqimin e Mehmet Shehut, i raportoi për atë gatishmërinë, predispozicionin armiqësor të llambi Ziçishtit. Por, para se ta fuste në këtë organizatë kundër revolucionare, pyeti Mehmet Shehun. Mehmet Shehu, para se të jepte miratimin tha, se ‘do të pyes Llambi Peçinin’. Pra, Llambi Peçini ishte një ndër këshilltarët më të afërt që pyetej se kush do të futej në këtë organizatë kundër revolucionare….
Llambi:- Ku ka dalë kjo?
Prokurori:- Këtë do ta nxjerrim nesër, ka dalë në hetuesi.
Llambi:- Pse nuk më është thënë mua në hetuesi….
Kryetari:- Është një atribuim që bën Fiqret Shehu.
Prokurori:- Por jo vetëm me provat shoku kryetar. Por dhe me analizën logjike të tyre, ne arrijmë në këto që bën Llambi Peçini, që janë jo vetëm shpifje, për arsye se gjysmën e procesverbalit e pranojmë, gjysmën tjetër s’e pranojmë. Përse e bën një gjë të tillë i pandehuri Llambi Peçini. E bën për arsye shoku kryetar, që ti largohet tradhtarit Mehmet Shehu. Të largohet, që ai është agjent i tij, një, të largohet dhe se ai i ka shërbyer këtij tradhtari dhe në lidhje me agjenturat e huaja. Se kur vjen puna për të shpjeguar gjëra të tilla, që janë në të njëjtin proces, që u referohen të tjera veprimtarive armiqësore, siç është problemi i arrestimeve, problemi i kontigjenteve e probleme të tjera, nuk i mohon. Edhe për sa i përket asaj veprimtarisë së hershme që ka qenë me të pandehurin Kadri Hazbiu në Sigurimin e Ushtrisë, nuk i mohon. Por kur vjen puna drejt për drejt për të treguar aktivitetin prej spiuni në shërbim të Mehmet Shehut dhe agjenturave të tjera, kësaj i largohet. Po megjithatë, shoku kryetar dhe gjyqtarë, ne nga provat që do të dëgjojmë, do të provohet me siguri kjo akuzë….
Llambi Peçini:- Me lejë shoku kryetar. Prokurori i Përgjithshëm tha që këto janë gënjeshtra e shpifje, se veprimet e hetuesisë kanë qenë të rregullta, e njerën e tjetrën. Unë nuk po flas për veprimet e hetuesisë për të pandehurit e tjerë, por flas për veten time. Edhe në qoftë se prokurori i Përgjithshëm thotë se kanë qenë të rregullta veprimet e hetuesisë ndaj meje, prokurori i Përgjithshëm nuk di gjë. Unë kam 15 muaj në dhomat e izolimit, nuk erdhi një herë…..
Kryetari:- Ky është një mendim i yti Llambi Peçini…..
Llambi:- Nuk erdhi një herë. Dhe kur erdhi, erdhi pas 6 muaj e tre ditë…
Kryetari:- I pandehuri Mihallaq Ziçishti, ke ndonjë pyetje?
Mihallaqi:- Jo.
Kryetari:- Nuk ke. Gani Kodra, ke ndonjë pyetje?
Ganiu:- Jo.
Kryetari:- Nuk ke. Ali çeno, ke ndonjë pyetje?
Aliu:- Jo.
Kryetari:- Nuk ke. Ti Xhavit Ismailaga?
Xhaviti:- Jo.
Kryetari:- Nuk ke. I pandehuri Feçor Shehu, ke ndonjë pyetje?
Feçori:- Nuk kam.
Kryetari:- Nuk ke. I pandehuri Kadri Hazbiu ke ndonjë pyetje?
Kadriu:- Jo nuk kam, kam për të sqaruar gjëra.
Kryetari:- Po, do sqarosh atë çështje që tha ai, dakord… Seanca e sotme mbyllet. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Prokurori i Përgjithshëm tha që këto që them unë Llambi Peçini, janë gënjeshtra e shpifje, se veprimet e hetuesisë kanë qenë të rregullta. Unë nuk po flas për veprimet e hetuesisë për të pandehurit e tjerë, po flas për veten time. Edhe në qoftë se Prokurori i Përgjithshëm thotë se kanë qenë të rregullta veprimet e hetuesisë ndaj meje, Prokurori i Përgjithshëm nuk di gjë. Ata, veprimet, nuk kanë qenë të rregullta, ligjore. Unë kam 15 muaj në dhomat e izolimit, e nuk jam pyetur asnjëherë”
SOM 2
“Prokurori Rrapi Mino deklaron në seancë: Llambi Peçini është një agjent i përhershëm i rekrutuar nga tradhtari Mehmet Shehu. Dhe jo vetëm i rekrutuar drejt për drejt nga tradhtari Mehmet Shehu, po për një kohë shumë të largët, duke shfrytëzuar ato veset e tij dhe punën që kishte bërë më përpara, i ka shërbyer me besnikëri tradhtarit Mehmet Shehu. Ka qenë Peçini personi që rekrutonte anëtarët e tjerë të grupit armiqësor që drejtonte Mehmeti”
SOM 3
“Në akuzë është shkruar se materialet sekrete janë grumbulluar me urdhër të Kadri Hazbiut nga kolonel Llambi Peçini se do shkonin për studentët në shkollën e KGB-së në Bashkimin Sovjetik. Unë s’kisha lidhje as me kuadrin, as me shkollën. Prandaj mua më është thënë nga Kadri Hazbiu që ti bëja këto dhe duhet të ketë pa tjetër edhe njerëz të tjerë që e dinë këtë. Se janë mobilizuar disa njerëz edhe për ti grumbulluar e përkthyer këto dokumente nga shqip në rusisht”
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Llambi Peçinit:- Ja e vërteta e takimit të Mehmet Shehut me Titon në vaporin ‘Kuin Elisabet’ gjatë udhëtimit për në OKB në New York.
-Feçor Shehu kundër Fiqret Shehut: Unë u arrestova dhe akuzohem nga shpifjet e armikes Fiqret Shehu e fëmijëve të saj.
-Si dënoheshin pa faj, internoheshin dhe bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit ish-tregtarët, bejlerët dhe fëmijët e tyre.
te gjitha jane rrena qe deshmitaret ne fjale kane thene gjate torturave,asgje ska baza dhe shtypi i trajton si te verteta per te shitur gazeten