Kursimet e shqiptarëve kanë rënë ndjeshëm muajt e fundit. Rënia e depozitave është shënuar si në ato të bizneseve, edhe të individëve.
Totali i depozitave në ekonomi arriti në 939 miliardë lekë në fund të muajit qershor, duke shënuar një rënie prej 1.4 miliardë lekësh, apo 0.15%. Tkurrja ka ardhur sërish nga zbrazja e depozitave në valutë, të cilat janë zvogëluar me 3.1 miliardë lekë, apo 0.7%. Depozitat në valutë nuk arritën ta marrin veten, pasi ranë ndjeshëm me 10 miliardë lekë në maj 2013, periudhë kjo që përkonte me situatën parazgjedhore dhe shkaktoi një largim të kursimeve nga vendi, shkruan “Shqip”.
Ndërsa depozitat në lekë kanë qenë më të qëndrueshme në gjashtë muajt e parë të vitit, duke u rritur me 21 miliardë lekë, apo 4.5% në raport me fundin e 2012-s, kanë qenë kursimet në valutë ato që kanë shënuar performancën më negative. Krahasuar me të njëjtën periudhë, depozitat në valutë kanë rënë me 12.6 miliardë lekë (rreth 81 milionë euro), apo 2.7%. Kanë qenë individët ata që kanë ndikuar në këtë tendencë negative, duke zvogëluar depozitat me 11.2 miliardë lekë, për periudhën në fjalë.
Teksa individët dhe bizneset kanë tërhequr kursimet në euro, pesha e depozitave në valutë ka rënë në 47% në fund të qershorit 2013, nga 48% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
