Depresioni në moshën e tretë, si të veprojmë?

redaktor

Me rritjen e moshës edhe çrregullimet e shëndetit mendor vijnë e bëhen më të shpeshta. Fatkeqësisht pjesa dërrmuese e këtyre çrregullimeve trajtohen në stade shumë të rënduara për shkak të neglizhimit në marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore. Mosha e tretë vuan më shumë nga këto çrregullime, ku ndër më prezentet është depresioni. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon për lexuesit e “Dita”, se cilat janë simptomat që duhet të orientojnë këtë grupmoshë drejt kujdesit të specializuar mjekësor, me qëllim parandalimin e ndërlikimeve të rënda shëndetësore që vijnë në rastet kur nuk trajtohet. Për shkak të ndjeshmërisë, trajtimi i sëmundjes tek kjo kategori zgjat më shumë në kohë se sa mund të ndodhë me pacientët e moshave më të reja. Kujdes duhet bërë edhe me monitorimin e sëmundjeve të zemrës, si dhe përdorimin e medikamenteve të ndryshme.

Mosha e tretë klasifikohet si kategoria më e shpeshtë që preket nga çrregullimet e shëndetit mendor. Duke u ndalur konkretisht tek depresioni, çfarë ndodh tek kjo grupmoshë?

Depresioni klinik tek të moshuarit është një gjë mjaft e zakonshme, edhe pse kjo nuk do të thotë se është normale. Depresioni në moshën e tretë prek rreth 6 milionë amerikanë të moshës 65 vjeç e sipër. Edhe pse është një fenomen i shpeshtë për këtë moshë, vetëm 10 për qind e pacientëve marrin trajtim për depresion. Arsyeja është se simptomat klinike tek të moshuarit kanë një larmi të madhe prezantimi. Gjithashtu, depresioni në të moshuarit ngatërrohet shpesh me simptoma anësore të sëmundjeve të shumta që shfaqen në këtë moshë, por edhe të efekteve anësore të medikamenteve që përdoren për t’i trajtuar ato. Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor në SHBA e konsideron depresionin në njerëz të moshës së tretë një problem të madh për shëndetin publik. Ndryshe nga sa ndodh tek të rinjtë, në të moshuarit sëmundja vjen shpesh si ndërlikim i patologjive të tjera mjekësore. Depresioni në këto mosha ndodh kryesisht pas një ataku në zemër, apo patologjive të tjera kardiake të cilat kërkojnë kohë për t’u rehabilituar. Zakonisht pas sëmundjeve të rënda (siç janë sëmundjet e shumta malinje) depresioni është prezent, ku gjatë këtyre sëmundjeve njeriu humbet shpresën për të jetuar dhe mendon vazhdimisht se vdekja është e afërt. Nga ana tjetër vetë depresioni në të moshuarit rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, si dhe shton në mënyrë vicioze rrezikun e vdekjes nga këto sëmundje. Në të njëjtën kohë, depresioni redukton aftësinë e një personi të moshuar për t’u rehabilituar nga sëmundja bazë. Studimet në personat e moshës së tretë që kanë vuajtur nga sëmundje të shoqëruara me kufizime fizike kanë treguar se prania e depresionit në nivel të konsiderueshëm, rrit gjasat e vdekjes nga sëmundja bazë. Po sipas studimeve, vlerësohet se edhe nëse depresioni është i butë, gjatë patologjive të zemrës rreziku i vdekjes është më i lartë se sa në pacientët që nuk kanë rënë në depresion.

te-moshuar2Referuar gjinisë, kush rrezikon më shumë nga kjo sëmundje?

Sëmundja ka një risk më të lartë tek gratë e vjetra të moshës 65 deri në 80 vjeç. Depresioni ndikon në shtimin e rrezikut për vetëvrasje, sidomos në seksin mashkull, teksa është me një predispozicion mjaft të lartë në racën e bardhë. Shkalla e vetëvrasjeve në njerëzit e moshës 80 deri ne 84 vjeç është më shumë se 2-fishi i popullsisë së përgjithshme, raportojnë studimet amerikane. Faktorë të tjerë që favorizojnë depresionin në moshat e vjetra janë gjithashtu vdekja e bashkëshortit ose bashkëshortes, vdekja e vëllezërve dhe motrave, momenti i daljes në pension, ndërrimi i vendbanimit, të ardhurat e pakta monetare, mungesa e përkrahjes sociale, etj. Duke qenë se me kalimin në moshën e tretë priten ulje të aktivitetit fizik dhe social, pra një ngadalësim apo ndryshim i stereotipisë së mëparshme, mund të çojë si nga familja, ashtu edhe nga mjekët në neglizhimin e shenjave të depresionit. Si rezultat, trajtimi efektiv për depresionin merret i vonuar duke detyruar shumë njerëz të moshuar të luftojnë në mënyrë të panevojshme me depresionin.

Çfarë duhet të kuptojmë me depresion?

Depresioni është një sëmundje që përfshin trupin, humorin dhe mendimet dhe që ndikon në mënyrën se si personi ha dhe fle, në mënyrën që ndjen dhe vepron në lidhje me veten e shoqërinë. Kjo sëmundje përbën sot shkakun themelor të aftësive të kufizuara në botë. Është e rëndësishme të theksojmë se depresioni është një sëmundje që prek njëkohësisht trupin dhe mendjen. Lajmi i mirë për depresionin është se, pothuajse të gjithë që vuajnë nga kjo gjendje mund të ndihmohen dhe të trajtohen. Prandaj është e rëndësishme të njohim shenjat dhe simptomat klinike të depresionit, si dhe në varësi të shfaqjes së tyre të kërkojmë ndihmën e specializuar mjekësore.

Cilat janë shenjat klinike?

Shenja më e shpeshtë është trishtimi, shqetësimi, mungesa e humorit, pesimizmi, mungesa e shpresës, ndjenja e fajit për gabime që mund të jenë bërë gjatë jetës qofshin këto edhe të parëndësishme, të ndjerit i pafuqishëm apo edhe i pavlefshëm. Karakteristike gjatë kësaj periudhe është humbja e interesit apo e kënaqësisë në hobi dhe aktivitete të ndryshme që dikur përbënin gëzim, duke përfshirë këtu edhe jetën seksuale. Pacientët ndjehen vazhdimisht të lodhur, kanë vështirësi në përqendrim, vështirësi në marrjen e vendimeve, çrregullime të kujtesës, pagjumësi, zgjim herët në mëngjes ose gjumi i shtuar, ulje të oreksit shoqëruar me humbje në peshë, por mund të jetë prezent edhe e kundërta, shtimi i oreksit dhe rritje në peshë. Po ashtu mjaft të shpeshta janë mendimet e vdekjes ose të vetëvrasjes, përpjekjet për vetëvrasje, shqetësim, nervozizëm, por edhe simptoma të vazhdueshme fizike që nuk i përgjigjen trajtimit me medikamente, si: “Dhimbje koke, çrregullime të tretjes ose dhimbje kronike”.

Kur duhet të kërkojmë ndihmën e specializuar mjekësore?

Natyrisht që shumë nga ne një pjesë të këtyre simptomave i gjejnë shpesh gjatë momenteve të caktuara të jetës, si strese të mëdha, lodhje të shumta, momente të dhimbshme në jetë, probleme familjare apo sociale. Por, në qoftë se këto simptoma janë në një shkallë të tillë që dëmtojnë ose prekin jetën dhe rrjedhën e saj të zakonshme është mjaft efikase biseda me mjekun e familjes fillimisht. Është ai që bën vlerësimin e duhur apo konsultimin me mjekun specialist për të përcaktuar nëse jeni apo jo duke vuajtur nga depresioni. Kjo është mjaft e rëndësishme për fillimin e hershëm të mjekimit dhe shërimin e sëmundjes. Ne thamë që pagjumësia është zakonisht një simptomë e depresionit, por studimet e fundit tregojnë se vetë pagjumësia (që mund të jetë për arsye të shumta) është gjithashtu një faktor i madh rreziku për fillimin e depresionit në mënyrë të veçantë tek të moshuarit, prandaj ekspertët rekomandojnë trajtimin me rigorozitet të pagjumësisë.

Si menaxhohet depresioni?

Sigurisht që depresioni kërkon një trajtim të rregullt dhe afatgjatë nga mjeku specialist. Natyrisht që kontakti i parë merret nga mjeku i familjes, i cili përcakton në mënyrë të detajuar rrugën që do të ndiqet. Në përgjithësi trajtimi i depresionit në moshat e vjetra kërkon një periudhe më të gjatë kohore se trajtimi në pacientët e rinj. Përveç trajtimit medikamentoz, psikoterapia luan një rol mjaft pozitiv në lehtësimin e depresionit tek të moshuarit. Ajo është gjithashtu e dobishme për njerëzit që nuk mund të marrin trajtim medikamentoz për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndaj efekteve anësore, apo për shkak të ndërveprimeve me medikamentet e tjera që marrin për patologji të ndryshme. Psikoterapia tek të vjetrit mund të trajtojë pozitivisht një gamë të gjerë të pasojave funksionale dhe sociale të depresionit. Shumica e njerëzve që vuajnë nga depresioni gjejnë mbështetje tek familja, tek miqtë apo edhe në grupet sociale të ngritura për këtë qëllim.

Përfitimet nga aktiviteti sportiv

Studimet e fundit tregojnë se aktiviteti fizik mund të jetë një pjesë e rëndësishme për zbutjen e shenjave të depresionit. Përveç përfitimeve shëndetësore që ka aktiviteti fizik, ai ndihmon në përmirësimin e gjendjes shpirtërore, në uljen e stresit, në rritjen e respektit për veten, në rritjen e energjisë dhe përmirësimin e gjumit. Aktiviteti fizik vetëm 30 minuta në ditë (në varësi edhe të gjendjes shëndetësore individuale) është i mjaftueshëm për këdo dhe rezulton me përfitime të mëdha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *