Deputetët dhe Presidenti

redaktor

E nderuara gazeta Dita! Në këtë shkrim do trajtoj dy probleme, për deputetët dhe Presidentin. Parlamenti i vendit tim ka 140 deputetë, afërsisht 60 deputetë për 1 milion banorë, pra besoj se në këtë pikë zëmë një nga vendet e para në botë. Këta deputetë mund të mblidhen një herë në javë në komisione (që edhe kur nuk venë, krahas rrogës së majme marrin edhe 2000 lekë). Besoj se jo vetëm ka ardhur koha, por edhe ka kaluar, që të bëhen ndryshimet në Kushtetutë që Parlamenti i ardhshëm të ketë 100 deputetë dhe këta të zgjidhen direkt nga populli dhe jo të jenë servilë të kryetarit të partisë, sipas listës emërore. Rilindësit e parë (kemi mësuar në shkollë) shitën pasurinë për të blerë Shqipërinë, ndërsa deputetët dhe qeveritarët e të dy krahëve po shesin Shqipërinë, po e shkatërrojnë atë për të vënë pasurinë. A nuk i shiti Sali Berisha toka Fazlliçit në bregdetin e Durrësit për 1 euro dhe pastaj Fazlliçi i shiti shumëfish? A nuk i shiti Lulushi (ish-ministër i Punëve të Jashtme i qeverisë Berisha) disa km2 det Greqisë? Apo së fundi, ku i gjeti gjithë ato para deputeti Bode, 2 miliard lekë që ka? Besoj se këto para nuk i vuri që kur ishte llogaritar në kooperativa bujqësore që ka punuar në kohën e komunizmit.

Duke shkurtuar 40 deputetë, paret e atyre që shkurtohen do venë për ilaçe, rrugë, kopshte, çerdhe dhe ndonjë shpërblim për pensionistët që kanë një pension qesharak. Kur Parlamenti ka më pak deputetë, ata do të merren me punë efektive, nuk do luajnë me celularë në seanca, nuk kanë kohë të zihen me grushte si rrugaçë, por do bëjnë ligje të mira dhe jo si ligji për pensionet e tyre, sikur ata bëjnë vezën e kuqe që të kenë pensione mbi 1 milion lekë.

Dhe së dyti, Presidenti i Republikës, pavarësisht se jemi Republikë Parlamentare, duhet të zgjidhet direkt nga populli dhe jo nga Parlamenti me 70+1 vota. Se po të zgjidhet nga populli do mendojë për popullin dhe jo për hallet e familjes së tij dhe për mustaqet e tij se kur duhet t’i krehë dhe kur duhet t’i rruajë. Pastaj, nuk e kuptoj pse duhet të jetë Presidenti edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të (ç)Drejtësisë (se drejtësi nuk ka).

 

Letër e nënshkruar,

Vasil Thanasi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *