Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj mori pjesë në inaugurimin e zyrës së komunikimin me zgjedhësit për qarkun Korçë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri si ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë Florian Rauning, deputetë të mazhorancës dhe të opozitës, Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, si edhe Kryetari i Agjencisë austriake për zhvillim në Shqipëri Heinz Habertheuer.
Në fjalën e saj përshëndetëse në këtë aktivitet, Nënkryetarja e Kuvendit znj. Leskaj theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj zyre, duke shtuar se nëpërmjet këtyre do të arrihet një komunikim më i afër i deputetëve me zgjedhësit. “Unë dua të kujtoj që të gjithë ne kur shkojmë në parlament ndihemi shumë keq që tek dera e parlamentit, jashtë janë dhjetëra njerëz të cilët vijnë nga rrethet dhe presin për të takuar deputetët. Ndërkohë që me hapjen e këtyre zyrave mundësohet që pikat e takimit, oraret e takimit, kalendarët e takimit të bëhen këtu, duke ia kursyer njerëzve edhe shpenzimet edhe kohët e të gjitha vështirësitë e tjera që burojnë nga mungesa e kontakteve dhe vështirësisë për të pasur kontakte permanente dhe me një axhendë të caktuar. Natyrisht kjo është njëra anë e funksionit të kësaj zyre, është njëra anë e rëndësishme që ka të bëj me komunikimin. Pjesa tjetër ka të bëj me faktin që kjo qendër do të jetë një qendër shumë aktive, e cila do të zhvillojë në mënyrë, unë shpresoj intensive, aktivitete me aktor të ndryshëm të shoqërisë civile”,- tha ndër të tjera znj. Leskaj.
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Florian Rauning theksoi në fjalën e tij se OSBE ka qenë një partnere e ngushtë me Kuvendin dhe se hapja e këtyre zyrave do të mundësojë një komunikim më intensiv ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve. “Prezenca e OSBE-së ka qenë një partnere e ngushtë e Kuvendit të Shqipërisë për një dekadë tashmë dhe kemi punuar së bashku për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e këtij institucioni. Deputetët duhet t’i dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë ata siç duhet dhe t’u përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe në mënyrën e duhur. Sa më shumë të dijë publiku për aktivitetin e parlamentit, aq më mirë ai mund të shprehë preferencën e tij dhe t’u kërkojë llogari përfaqësuesve të tij. Sa më shumë deputetët të dinë për nevojat dhe shqetësimet e elektoratit, aq më mirë mund t’u përgjigjen nevojave të tyre. Për këtë arsye, ky hap kaq i prekshëm që po merret sot nga Kuvendi, së bashku me bashkinë e Korçës, Prezencën e OSBE-së dhe Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim, për të hapur zyra të komunikimit me zgjedhësit në Korçë është kaq i rëndësishëm. Këtu, qytetarët jo thjesht mund të takohen me deputetët e zonës së tyre, por gjithashtu mund të mësojnë më shumë për mënyrën se si funksionon Kuvendi dhe se si ata mund të komunikojnë dhe bashkëveprojnë me të. Këto zyra do të ofrojnë një vend ku qytetarë të ndryshëm, përfshi këtu të rinjtë, gratë dhe grupet në nevojë, mund të gjejnë informacion dhe të angazhohen në mënyrë aktive në procesin ligjvënës.”,- theksoi ndër të tjera në fjalën e tij Rauning.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo në fjalën e tij pohoi rëndësinë e komunikimit ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurit duke shprehur bashkëpunimin maksimal në këtë projekt. “Edhe unë si kryetar bashkie jam i zgjedhur, pra kam ardhur në këtë pozicion nëpërmjet votës së qytetarëve të Bashksië së madhe të Korçës, ashtu sikurse deputetët janë bërë pjesë e parlamentit të Shqipërisë pikërisht përmes votës popullore dhe e kuptoj sa të rëndësishme janë në fakt kontaktet e drejtë për drejta që duhet të kenë me zgjedhësit që të ndajnë me ta probleme, shqetësime apo problematika të tjera të ndryshme”,- u shpreh Filo.
Pjesë e panelit të diskutantëve ishin edhe dy prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gjergji Papa nga opozita dhe z. Ilirian Pendavinji nga mazhoranca, ku të dy theksuan rëndësinë e këtij procesi të komunikimit ndërmjet zgjedhësit dhe deputetët, që do të mundësoi edhe një rritje të performancës së Parlamentit.
“Është një punë që po vazhdohet në Kuvendin e Shqipërisë për të pajisur me zyra në terren në çdo qark për të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Siç e shihni, Korça i paraprin këtij projekti dhe besoj që ky është fruti i bashkëpunimit shumë të suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë, OSBE-së, bashkisë së qytetit dhe agjencisë austriake për zhvilli. Unë dua të falënderoj z. Rauning për ndihmën dhe mbështetjen që ka dhënë në këtë drejtim. Një falënderim kam për agjencinë austriake për zhvillim, për financimin që i bëri këtij projekti dhe nuk mund të lë pa përmendur, një falënderim dhe mirënjohje për bashkinë e qytetit të Korçës e cila ka qenë gjithmonë e gatshme që në fillim të këtij projekti, me një predispozicion maksimal për sigurimin e ambienteve”,- tha Papa.
Ndërsa Pendavinji theksoi se : “Hapja e zyrës së komunikimit me qytetarët është një event shumë i rëndësishëm për qarkun e Korçës, pasi siç e theksoi edhe kolegu Papa, të gjithë ne kemi pasur vështirësi me komunikimin me qytetarët. Ndërkohë me hapjen e kësaj zyre do të jetë e mundur që qytetarët të japin opinionet e tyre, të paraqesin problemet e tyre, sugjerime për jetën tonë parlamentare, legjislative, shqetësimet që ata kanë për pjesën në komunitet në rajonin e Korçës dhe gjithashtu ne do të jemi të detyruar që ti dëgjojmë të gjitha sugjerimet që do të na japin për të rregulluar punën këtu dhe për të përmirësuan sjelljen tonë dhe komunikimit me ta”.
Pas përfundimit të diskutimeve, u bë edhe nënshkrimi i memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë së Korçës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
