Deputetët e Partisë Socialiste të Tiranës, Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Ledi Shamku, Eduard Shalsi, të kryesuar nga kryetari i kësaj partie për kryeqytetin, Sajmir Tahiri janë takuar sot me anëtarët e shoqatës së para dhe tetra plegjikëve, të cilave u kanë shpërndarë një sasi ndihmash ushqimore me rastin e festave të fundvitit. Deputetët socialistë janë pritur ngrohtë nga para dhe tetraplegjikët, të cilët kanë theksuar se PS është e vetmja forcë politike që i ka mbështetur ata në kërkesat e tyre legjitime.Gjatë fjalës së saj deputetja, Eglantina Gjermeni, e garantoi këtë grup shoqëror se me ardhjen në pushtet të PS do të shfuqizohet ligji dhe ndihma do tu rikthehet.
“Do të donim që me këto pako simbolike, t’ju jepnim një mesazh urimi, për t’u thënë që jemi pranë jush, për t’ju thënë që të gjithë kemi nevojë të gëzojmë dhe nga ana tjetër për t’ju dhënë mesazhin që mbështetja dhe bashkëpunimi me ju nuk do të përfundojë këtu.
Pak kohë më parë ne bëmë një prezantim të programit “Për një Rilindje Shqiptare”, për individët me aftësi të kufizuara dhe në mënyrë të veçantë për paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Aty janë përcaktuar disa angazhime, mes të cilëve më kryesori është shfuqizimi i ligjit, i cili ju pret juve mundësinë për të marrë ndihmë për energjinë elektrike, ndihmë që për ju është jetike. Kryetari i PS-së ka premtuar që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë, ky ligj do të shfuqizohet dhe ndihma do ju rikthehet. Ndërkohë që të tjera angazhime konkrete janë marrë prej nesh dhe ju siguroj që jemi të vendosur t’u qëndrojmë deri në fund”.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, i cili i ka garantuar para dhe tertaplegjikët për mbështetjen që do të kenë nga kjo forcë politike si sot në opozitë edhe nesër në qeverisje.
“Jemi shpirtërisht me ju sot në opozitë dhe ju garantoj edhe në emër të kryetarit të PS-së, Edi Rama, edhe në emër të kolegëve të tjerë deputetë, se siç jemi sot shpirtërisht me ju në opozitë, pas 23 qershorit të vitit të ardhshëm, kur ne të fitojmë zgjedhjet do jemi akoma më shumë në mbështetjen tuaj, jo vetëm për t’ju gjendur financiarisht, por edhe për t’ju përfshirë si forcë aktive e shoqërisë në qeverisjen e punëve të këtij vendi”, ka deklaruar Sajmir Tahiri.
Më pas të rinjtë socialistë kanë ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave të cilat konsistonin kryesisht në mallra ushqimore të shportës bazë si dhe pije freskuese. Shpërndarja u bë në bazë të listave të shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve dhe prej tyre përfituan 200 anëtarë të kësaj shoqate.