Deputeti i PS: Pse votova kundër importit të mbetjeve

Elton Tafaruci

Dashamir Peza, deputeti i Partisë Socialiste votoi mbrëmë kundër ligjit për importin e mbetjeve. Në një intervistë për News24, deputeti socialist sqaron edhe arsyet përse votoi ndryshe nga grupi i PS.

Pse votuat kundër ligjit për mbetjet?
Një nga presidentet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (John Quincy Adams) ka thënë:

“Gjithmonë voto për një princip, edhe pse mund të jesh vetëm, që të provosh ndjenjën e ëmbël se vota jote nuk humbet kurrë”.

Për mua tema e ambientit është një çështje madhore, është çështje koshiencës personale përtej kufirit të partive. Unë kam qenë vazhdimisht konsistent me këtë qëndrim timin dhe këtë e kam shprehur me votë edhe në tetor të 2013 por edhe në nëntor 2011.

Çfarë nuk ju bindi edhe me ndryshimet e bëra në ligj?

Unë nuk kam asnjë dyshim në vullnetin e mirë të kësaj mazhorance lidhur me ndryshimet e bëra por vazhdoj të ruaj bindjen e thellë se praktika e riciklimit të mbetjeve në mbare botën, përfshi këtu mbetjet e parrezikshme apo të rrezikshme, përmban në vetvete rrezikun e përfshirjes në këtë veprimtari të përpunuesve të paskrupullt të mbetjeve.

Problemi i tregtimit ilegal të mbetjeve të rrezikshme është gjerësisht i përhapur edhe në vetë vendet e Bashkimit Europian por dhe në mbarë botën, fatkeqësisht, vetë Bashkimi Evropian nuk ka gjetur ende mënyrat efikase për të luftuar krimin e organizuar në fushën e menaxhimit të mbetjeve, për këtë ndjehem i pasigurt për përfshirjen e Shqipërisë në këtë veprimtari.

Unë nuk besoj se ne i kemi kapacitetet e nevojshme monitoruese dhe aftësinë për të aplikuar një metodologji rigoroze në këtë aspekt. Ka edhe aspekte të tjera por besoj që edhe vetëm kjo mjafton për të votuar kundër këtij qëndrimi të ri.

A ju ka kontaktuar kush pas votimit?
E kuptoj konotacionin e pyetjes suaj. Partia Socialiste është provuar prej kohësh si forca politike më mendjehapur në drejtim të respektimit të opinionit ndryshe, nuk kam pasur as një “kontaktim” të kësaj natyre.

A do e mbështesni ju idenë e referendumit nga shoqëria civile?
Mekanizmi i demokracisë direkte, në kuptimin tim, është një procedurë që ka si qëllim t’ju lejojë qytetarëve të realizojnë vendimmarrje politike drejtpërsëdrejti nëpërmjet votës, pa përfshirjen e Parlamentit apo qeverisë.

A është vota juaj si një rebelim ndaj PS?
Nëse kjo, edhe në kuptimin më të largët, do të ishte e vërtetë, atëherë qëllimet e mia të fshehura për motive rebelimi janë po aq të dëmshme sa edhe mbetjet e kontaminuara.

Tashmë është e përhapur gjerësisht mendësia se pas një qëndrimi të shpallur publikisht fshihet patjetër një mendim i fshehur, djallëzor, pragmatist, por ju siguroj se qëndrimi im është tërësisht dhe thellësisht i lidhur me bindjet dhe formimin tim lidhur me çështjen madhore të dashurisë për tokën dhe natyrën si burimi i vetëm i jetës për njerëzit, edhe pse kjo mund te mos ju duket jo kaq interesante.

Nuk e kam përdorur ndonjëherë pozicionin e deputetit për qëllime të nxjerrjes së përfitimeve personale politike, në princip i kam neveritur gjithmonë këto lloj praktikash.

Share This Article
2 Comments
  • Te lumte Dashamir, si e ke emrin e ke edhe shpirtin. Dukesh qe vjen nga nje familje qe e duan kete vend, te paster e te begateshem. Edi Rama e beri kete veprim shume te gabuar per ti bere qefin dikujt. Ai i ka vendosur nje njolle te madhe vehtes dhe PS me kete leshim, apo favor qe ka bere. Me vjen shume keq por kishim shume besim tek Rilindja. Nuk duhej lejuar te zhvillohej industria e mbetjeve me importim te lendes se pare.

  • Kisha pershtypjen se mbi 90% e deputeteve te parlamentit shqiptar ishin njerez te ulet dhe pa vlera kulturore dhe morale. Kjo pershtypje vinte me qe ata nuk flisnin fare ose u bindeshin qorrazi shefave te tyre. Ky zoteria qenka ndryshe, jo vetem i ndershem por edhe me koncepte te qarta. Sa do te deshiroja qe te kishte mundesisht sa me shume deputet si ky dhe une te dilja i gabuar. Vetem po i lutem per nje gje z.Dashamir dhe atyre te tjereve qe mund te jene si ai: I dilni zot popullit tuaj, i hiqni nga karrikja ata bosat tuaj te perlyer se nuk eshte shume e veshtire. Ju keni popullin me vehte kurse ata kane mafien. Mafia kur je ne rrezik iken dhe te le, kurse populli kurre. Eshte vertetuar nga historia ne te gjithe boten, por me e fresketa ishte ne vitin 97,kur Berisha organaizoi gjithe llumin kunder popullit, por llumi eshte llum dhe ai nuk mund te matet me popullin. Keshtu behuni trima dhe i levizni keta bukeshkelur qe marrin votat e qytetareve dhe punojne per pasurimin e tyre. Nuk ka asnje dyshim se ligji i pleherave eshte dallavere per te bere pasuri perrallore nga mafia nderkombetare. E beri PD me Berishen kete me pare me kete synim dhe po e ben kjo mazhorance tani po me te njejtin qellim. Jane te dyja kryesite e ketyre Partive te korruptuara. Fakti qe PD eshte ne krize identiteti dhe qe nuk ka force te levizin liderat e tyre te demaskuar komplet, nuk duhet te ndodh te PS, shumica derrmuese e te ciles jane njerez shume te mire, te ndershem dhe te civilizuar. Ata e kane mundesine te ndryshojne situaten dhe askush tjeter. Nuk flas per LSI, se tashme dihet nga te gjithe qe te gjithe antaret e saj jane njerez qe jane futur atje per perfitime. Eshte misioni i asaj partie dhe cdo njeri e di se ne qofte se do perfitime te pandershme shko dhe futu tek partia e I.Metes. Pra nuk duhet te presesh asgje te mire nga ata. U bej thirrje gjithe shqiptareve te ndershem qe te mos votojne me per keta bosa te krimit dhe korupsionit te cdo partie qofshin dhe ne te njejten kohe mendoj se masa e madhe e socialisteve duhet te nderhyje sa me shpejt qe mos te ia dorezojne partine me te madhe popullore karagjozeve, te korruptuarve, hipokriteve, xhambazeve politik, puthadoreve te cdo te huaji, prepotenteve ndaj popullit, miqve te mafiozeve etj. Mos besoni shume tek fjalet e mira qe thuhen per ta nga ata qe vijne nga jashte se ata i duan ata se me ata merren vesh me kollaj. Reagoni sa me shpejt tani se do te jete shume e veshtire me vone.Mos e lejoni vendin tuaj te behet kazani i plehrave te Europes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *