Fushata kundër Shqipërisë, deputeti britanik kritikohet si ksenofob

Elton Tafaruci

Deputeti laburist në Britaninë e Madhe, Chuka Umunna, një mbrojtës i fortë i nismës për të mbajtur Britaninë në BE, është kritikuar si ksenofob pasi u tall me Shqipërinë.

Sipas “The Sun”, ai postoi online një foto me një poster të fushatës së tyre.

Në poster shihet flamuri shqiptar mbi “Buckingham Palace”.

“Fushata për t’u larguar nga BE kërkon që ne të braktisimin tregun e vetëm dhe të bëhemi si Shqipëria. Seriozisht”, thuhet në poster.

Gazeta britanike shkruan se deputeti e fshiu mesazhin pasi komentuesit i thanë se është e turpshme që të fyesh një shtet.

“Çfarë ka Shqipëria? Ksenofob je ti,” i shkruan dikush.

“A është qasja më e mirë e fushatës suaj që të thuash gjëra negative për një tjetër vend europian”, i shkroi një komentuese.

“The Sun” shkruan se ky veprim i deputetit laburist duket se nuk do i bëjë përshtypje të mirë ish-liderit të Partisë Laburiste, Tony Blair, që është këshilltar i qeverisë shqiptare.

Në fakt sot, deputeti laburist Chuka Umunna e ka nisur ditën duke i bërë jehonë deklaratave të Edi Ramës.

Ai shkruan se Rama thotë se modeli shqiptar i tregtisë me BE-në nënkupton tarifa, mungesë aksesi në marrëveshjet e tregtisë së jashtme dhe më pak prosperitet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *