Derbi i tretë, skuadrat me probleme mungesash

redaktor

Derbi i kryeqytetit do të rikthehet për herë të tretë në këtë kampionat dhe të dyja skuadrat do të kërkojnë të marrin fitoren e dytë përballë njëra-tjetrës. Partizani fitoi 1-0 në ndeshjen e fazës së parë, ndërsa Tirana u përgjigj me të njëjtin rezultat në takimin e kthimit, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Sot në mbrëmje luhet takimi i fundit, por objektivat ende nuk kanë ndryshuar. Të kuqtë e drejtuar nga Marcio Sampaio janë në luftë për vendin e dytë dhe kualifikimin në Europa League, ndërsa bardheblutë e Gugash Maganit ende luftojnë për mbijetesë, ndonëse tani janë shumë më lart në renditje, ndërkohë që një rival, Bylisi, është larguar, për shkak të dënimit të marrë nga FSHF. Do të jetë derbi i parë për Sampaion si trajner i Partizanit, pasi portugezi e mori drejtimin dy ditë pas humbjes së fazës së dytë, çka solli edhe dorëheqjen e Likës. Trajneri i të kuqve ka bërë të ditur se skuadra e tij do të luajë vetëm për fitore, për t’u plotësuar dëshirën mijëra tifozëve, si dhe për të mbajtur gjallë shpresat e Europa League, që do të ishte një sukses për skuadrën e sapokthyer në Kategorinë Superiore. Lajmi i keq për Sampaion është se përsëri nuk do të ketë në dispozicion Migen Memellin, i dëmtuar dy javë më parë. Sulmi është reparti më problematik i të kuqve dhe mungesa e pogradecarit vetëm sa i shton problemet. Nga fronti përballë, Magani shfaqet besimplotë se bardheblutë do të arrijnë të triumfojnë dhe të largohen përfundimisht nga zona e ftohtë. “Nëse fitojmë, me 70 për qind e kemi të sigurt mbijetesën”, deklaroi dje trajneri peqinas. Ashtu si Sampaio, edhe Magani do të ketë një mungesë serioze, pasi nuk luan Sulejmani Ndikumana. Sidoqoftë, Magani i injoron mungesat nga të dy kampet, duke thënë se kjo përballje mjafton që lojtarët të jenë të motivuar në maksimum dhe të japin gjithçka në fushë, pa vënë re se kush mungon.

 

Ndeshja VIP

Derbi midis Partizanit dhe Tiranës është përherë i nxehtë dhe kjo vihet re edhe te tifozët, që për këtë ndeshje përgatiten në mënyrë speciale. Si për ta nxehur edhe më tepër, të dy klubet kanë thirrur tifozë edhe nga kampet kundërshtare në politikë. Partizani ka ftuar kryeministrin dhe kryetarin e PS, Edi Rama, ndërsa Tirana kryebashkiakun dhe kryetarin e PD, Lulzim Basha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *