Sikur të mos mjaftonin 4 derbet e fushës të sezonit të kaluar, Tirana dhe Partizani po i japin jetë edhe derbit të merkatos. Në këtë periudhë të nxehtë të vitit, dueli më i ethshëm i futbollit shqiptar vijon në tavolina, firmat dhe tratativat e merkatos. Duket që deri më tani derbin e kryeqytetit e kanë fituar të kuqtë, pasi për momentin kanë afruar tre futbollistë kontingjent bardheblu. Mbrojtësi Ditmar Bici dhe sulmuesi Sebino Plaku janë stërvitur për më shumë se një muaj në fundin e sezonit të kaluar me Tiranën, por që tashmë kanë hedhur firmën për të vijuar karrierën me Partizanin. 15 herë kampionët kanë fituar duelin me rivalët e tyre të përjetshëm në tratativën dyshe me Bicin dhe Plakun, teksa kalimi i Kalarit që luajti me Tiranën deri në fund të sezonit të shkuar duket një tjetër avantazh psikologjik ndaj bardhebluve.
Ndërkohë që derbi në merkato vijon me emra të tjerë futbollistësh që janë në axhendën e drejtuesve të të dyja klubeve. Tirana dhe Partizani pritet ti japin jetë derbit për mbrojtësin vlonjat Franc Veliu, që ka bërë të ditur largimin nga Flamurtari. Kontaktet me 27-vjeçarin kanë nisur prej kohësh, teksa ish-kapiteni kuqezinjve do të vendosë se ku do të vijojë karrierën. Gjithashtu një emër i përbashkët i dy kryeqytetasve është ai i Gilman Likës, shkodrani që dikur ka qenë pjesë e 24 herë kampionëve të vendit. Bardheblutë e kanë kontaktuar së fundmi duke i ofruar një vend titullari në formacionin e Shkëlqim Muçës, por pagesat e pa dhëna gjatë aktivizimit të tij me Tiranën duket të jenë ngërçi i arritjes së marrëveshjes. Ndërkohë Partizani e ka bërë publike dëshirën për të patur Gilmanin në radhët e veta që kur trajner ishte Shpëtim Duro, dhe me Starovën në rolin e timonierit kjo dëshirë nuk ka ndryshuar.
