Paratë që emigrantët dërguan në atdhe përgjatë vitit 2013 pritet të kenë rënë me 23 për qind. Ndonëse deri tani janë bërë publike të dhënat për 9 mujorin 2013, pritshmëritë për gjithë vitin bëhen të ditura në programin afatmesëm të qeverisë 2014-2016. Sipas këtij raporti, përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe vështirësitë në tregjet e punës në vendet pritëse nga të cilët burojnë dërgesat e emigrantëve, Italia dhe Greqia, ndikuan drejtpërdrejt në rënien e transfertave hyrëse vitin e kaluar. Prirja rënëse e dërgesave të emigrantëve parashikohet të vazhdojë dhe përgjatë vitit 2014 dhe më pas të shënohet një rritje e lehtë përgjatë vitit 2015 dhe 2016, sipas programit të qeverisë. Si pasojë e faktorëve të lartpërmendur, në terma afatgjatë, dërgesat e emigrantëve pritet të mbeten të ulëta dhe rëndësia e tyre si burim i jashtëm financimi pritet të jetë më pak i rëndësishëm. Si pasojë e rënies së dërgesave të emigrantëve, suficiti i llogarisë së transfertave korrente pritet të ngushtohet me rreth 20 për qind për vitin 2013. Për 9 mujorin 2013, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike, në 345 milionë euro, me një tkurrje prej 32 për qind me bazë vjetore, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë.