Remitancat kanë qenë një nga dërgesat kryesore që mbanin gjallë ekonominë e vendit tonë. Nga viti në vit kjo dërgesë ka rënë dhe një tregues i qartë, jo vetëm nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë është dëshmi e saj, por dhe studimet e ndryshme të bëra në raport më tregues të tjerë të ekonomisë së vendit tonë. Kështu Open Data ka bërë një hulumtim mbi raportin që ekziston mes dërgesave të emigrantëve dhe eksportit të vendit tonë. E nëse në vitin 2002, remitancat ishin sa dyfishi i vlerës së eksporteve në vitin 2012 kjo vlerë e dërgesave të emigrantëve nga jashtë përbën vetëm 50% të vlerës së eksporteve. Në një shtrirje kohore dhjetë vjecare, treguesit krahasimor në këtë dy drejtime flasin qartësisht për rënie të dërgesave të emigrantëve (për shkak të krizës që po kalojnë vendet ku ata punojnë dhe jetojnë) dhe nga ana tjetër janë tregues që eksporti ka pësuar rritje për shkak të fasoneve (pra me material porositës, si e vetmja mundësi që shqiptarët këto kohë kanë si shans punësimi për të siguruar minimumin jetik). Kështu në harkun kohor 2002 – 2007 remitancat qëndrojnë në vlerë më të lartë se eksportet duke dëshmuar një ekonomi të dobët prodhuese që bazohej tek dërgesat e shtetasve pjesë e tregut të punës jashtë vendit. Në vitin 2008 kjo diferencë ka ndryshuar dhe ky mund të regjistrohet si viti i parë në të cilin vlera e mallrave dhe shërbimeve të shitura jashtë vendit qëndron më lart se vlera e parave që ekonomia vendase përfton nga dërgesat e emigrantëve. Kjo diferencë lëkundet përsëri në vitin 2009 ku remitancat shënuan një vlerë më të lartë se të ardhurat nga eksporti. Tre vitet e fundit shënojnë një rritje në vlerë për eksportet duke krijuar edhe një diferencë progresive eksport kundrejt remitancave me vlerë pozitive. E nëse gjatë këtyre viteve luhatja ka qëndruar në këto nivele, në tre vitet e fundit, pra 2010-2012 eksportet janë shumë më të mëdha në vlerë krahasuar me remitancat. Gjatë këtyre tre viteve remitancat kanë qenë thuajse konstante, ndërsa eksportet janë rritur nga një miliard e njëqind e shtatëdhjetë e dy milion euro në vitin 2010 në një miliard e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy milion euro në vitin 2012, kjo për shkaqet e shënuara më lart. Remitancat janë dërgesa të emigrantëve që punojnë jashtë vendit, ndërsa eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave/shërbimeve të shitura/kryera jashtë vendit. Të dyja këto vlera kanë rëndësi për ekonominë kombëtare dhe standardin e jetesës në vend që këto vitet e fundit po shënon gjithnjë e më shumë vështirësi jo në mbajtje të tij, por deri në ekzistencën e minimumit jetik.
