Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi dje për gjykim kërkesën ndaj ish-gjyqtarit të Pogradecit, Dhimitër Pojanaku, i akuzuar për veprën penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve”. Sipas organit të akuzës, ky është rasti i parë që Gjykata për Krime të Rënda do të gjykojë një çështje korrupsioni, pas ndryshime të Kodit të Procedurës Penale në prill 2014. Pojanaku u arrestua në prill të këtij viti, pas kallëzimit të bërë nga një qytetare e Pogradecit, ku Pojanaku, ka marrë ryshfet 45 mijë lekë të reja, për një çështje civile. Denoncuesja, një tregtare, i detyrohej një borxh të konsiderueshëm një pale tjetër dhe çështja gjyqësore ishte në dorë të Pojanakut. Për ta mbyllur si çështje, gjyqtari nëpërmjet avokates ndërmjetëse kishte kërkuar 45 mijë lekë. Gjatë operacionit të dorëzimit të parave në mënyrë të kontrolluar nga prokuroria dhe policia, u bë edhe arrestimi i 58-vjeçarit. Ky i fundit u mbrojt në gjykatë duke thënë se ato para ishin për qiranë e një objekti dhe jo ryshfet. Pojanaku u arrestua në muajin prill të këtij viti në zyrën e tij, pak çaste pasi mori 20 mijë lekë të reja dhe këshilloi tregtaren B. R., që disa ditë më pas t’i sillte edhe pjesën e mbetur. Gjyqtari dhe qytetarja janë takuar në një prej lokaleve të Pogradecit, më 13 prill. Më tej, Këshilli i Lartë i drejtësisë, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, i hapi rrugën hetimeve ndaj gjyqtarit dhe e largoi nga detyra.
