Dërgohet për gjykim dosja e grupit të trafikut të C4, mes tyre 2 ushtarakë

redaktor

Prokuroria e Tiranës dërgoi dje për gjykim çështjen në ngarkim të 4 personave të pandehur për trafik të eksplozivit C4, ku dy nga të arrestuarit janë edhe ushtarakë. Në operacionin e 19 majit 2014, të dyshuarve iu kapën rreth 97 kilogram lëndë plasëse C4, që dyshohej se përdorej edhe për atentate nga grupet kriminale.

Organi i akuzës bëri me dije se nga hetimi është faktuar përfshirja e 2 oficerëve të ushtrisë dhe dy të tjerëve në këtë aktivitet kriminal. Kurse dje u dërguan për gjykim të arrestuarit Ilir Dhimo, 37 vjeç, oficer ushtrie, Pëllumb Daci, 48 vjeç, po ushtarak, Emiledi Taku, 27 vjeç dhe Artur Çelo, 40 vjeç.

Mbrëmjen e 19 majit, policia e Komisariatit nr. 2 kapi në rrugën “Marie Logoreci”, të dyshuarit Ilir Dhimo dhe Artur Çelo, që po shisnin lëndën plasëse tek Emiled Taku, një sasie rreth 9 kg eksploziv në tetë kallëpe dhe të paketuar. Fillimisht Taku dhe Çelo janë takuar te rruga “Hoxha Tahsim” në një lokal dhe më pas janë ndarë. Çelo ka takuar më vonë Pëllumb Dacin dhe Ilir Dhimon dhe më tej është rikthyer në lokal tek Emiledi.

Pas pak momentesh ka ridalë sërish për të takuar dy të tjerët. Çelo dhe Dhamo kanë shkuar tek shkolla “Hasan Prishtina”, ku ky i fundit kishte shtëpinë dhe ka dalë prej andej me qese në dorë, të cilën e ka transportuar me një motoçikletë. Janë kthyer te lokali ku i priste i dyshuari Taku, blerësi i lëndës eksplozive, por në këtë moment ka ndërhyrë policia dhe i arrestoi të katërt.

Gjatë kontrollit të banesës së Ilir Dhimos janë sekuestruar 7 arka druri me ngjyrë gri, me mbi 37 kg materiale luftarake, fitil zjarrpërcjellës, 551 kapsolla të ndryshme detonatore dhe 97 kg eksploziv. Ilir Dhimo ka qenë oficer me gradë kapiten, efektiv në Ministrinë e Mbrojtjes, me profesion xhenier, nga 2002 dhe më pas.

Kurse Pëllumb Daci ka qenë zv/komandant i batalionit të armatimit dhe municionit dhe merrej me transferimin e municioneve. Kështu është siguruar edhe materiali luftarak që më pas trafikohej. Eksplozivi shitej me 2000 lekë të reja për kilogram, kapsollat me 20-30 lekë, 2000 lekë topi i fitilit përcjellës.

Ata kanë mohuar të kenë shitur tek grupet kriminale, por tek firmat e guroreve apo te INUK për shkatërrim ndërtimesh pa leje. Kurse Emiledi kishte kërkuar një sasi tritoli me 100 mijë lekë dhe se e donte për guroren e një të afërmi të tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *