Raporti i institutit “Data Centrum” mbi dhunën në familje dhe policinë shqiptare në 5 qarqe: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë e Vlorë
Dhuna në familje klasifikohet të jetë ende një ndër fenomenet që trondit rëndë themelet e familjes dhe shoqërisë shqiptare. Pavarësisht punës së bërë deri më sot dhe ndërgjegjësimit për të evidentuar rastet e dhunës situata është ende kritike, pasi në pjesën dërrmuese të rasteve dhuna merr zgjidhjen e heshtur brenda mureve të shtëpisë, duke lënë të hapur shtegun e ripërsëritjes. Gati gjysma e popullatës urbane e rurale në qarqet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës dhe Shkodrës pohojnë të kenë përjetuar një nga format e ndryshme të dhunës në ambientet e tyre familjare.
Ky fakt shqetësues evidentohet në raportin më të fundit të publikuar nga Instituti Studimor “Data Centrum”, mbi dhunën në familje dhe policinë shqiptare. Raporti vë në dukje se qarku i Durrësit pohohet të jetë ndër më problematiket sa i takon nivelit të lartë të dhunës së shkaktuar, e cila konfirmohet nga rreth 60 për qind e të përfshirëve në studim. Megjithatë, studimi tregon se nuk ka dallim midis zonave rurale dhe atyre urbane përsa i takon dhunës së ushtruar, kjo pasi evidentimet janë prezente masivisht në të dyja rastet.
Bazuar në deklaratat personale të banorëve të këtyre pesë qarqeve, dhuna në familje ka ndodhur më tepër mes banorëve në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Vlorës sesa në atë të Korçës dhe Shkodrës. Kjo mund të jetë rezultat i popullatës më konglomerate, me banorë të rinj të ardhur pas viteve ’90 në Tiranë, Durrës e Vlorë, si pasojë e përzierjeve të ndryshme. Po sipas këtij studimi, dhuna në familje pësohet më shumë nga femrat sesa nga meshkujt, nga të rinjtë deri në 24 vjeç më shumë sesa ata mbi 24 vjeç.
Dhunuesit janë kryesisht meshkuj, bashkëshortët e viktimave, kurse gratë dhunuese të bashkëshortëve janë raste shumë të pakta. Një tjetër kategori e prekur nga dhuna në familje janë edhe fëmijët. Studimi tregon se prindërit që dhunojnë fëmijët janë raste më të shpeshta sesa fëmijët që dhunojnë prindërit. Nga diskutimet e thelluara rezulton se të rinjtë pohojnë që prindërit nuk i lejojnë të shprehin lirshëm mendimet e tyre, u flasin në një mënyrë që i bën të ndihen keq ose të pavlerë, këmbëngulin të dinë se ku gjendet i riu apo e reja gjatë gjithë kohës, nuk i lejojnë të kenë marrëdhënie dashurore, të dalin në mbrëmje, adoleshentet femra të kenë shokë etj.
Sipas të dhënave të mbledhura në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Përgjithshme të Shtetit konstatohet se në 60 për qind të rasteve viktima është bashkëshortja përkundrejt 6 për qind të rasteve kur viktimë është bashkëshorti. Ndërsa në 5 për qind të rasteve të raportuara, dhuna në familje ka ndodhur mes motrave e vëllezërve. Në 7 për qind të rasteve të raportuara viktima është fëmija përkundrejt 8 për qind të rasteve kur viktimë është prindi.
Dhuna fizike mbetet një ndër format më shqetësuese, si rrjedhojë e të cilës është shtuar edhe numri i femrave që kanë humbur jetën. Studimi tregon se nga rastet e dhunës në familje ka 16-30 raste të tilla që përfundojnë në vrasje. Ndërkohë që numri i vrasjeve në familje përbën 17 për qind deri 22 për qind të numrit të përgjithshëm të viktimave të kësaj vepre penale. Duke iu referuar kanaleve të ndërgjegjësimit mbi format e marrjes së informacionit mbi rastet e dhunës, pjesa dërrmuese e të anketuarve tregojnë se 99 për qind të rasteve është televizioni ai që ndihmon në marrjen e informacioneve kundër dhunës, në 53 për qind të rasteve është rrethi shoqëror dhe familja në 43 për qind të rasteve.
Grupet më të riskuara nga dhuna në familje rezultojnë të jenë:
Fëmijët, si pasojë e pafuqisë së tyre dhe botëkuptimit prindëror në lidhje me pranueshmërinë e dhunës
Gratë, për shkak të fuqisë fizike të kufizuar, mentalitetit dominues mashkullor dhe pamundësisë për pavarësi ekonomike
Të moshuarit, kryesisht pre e shfrytëzimit ekonomik nga fëmijët e tyre
Familjet që jetojnë në varfëri
Komuniteti rom dhe egjiptian, pasi dhuna në familje jo vetëm shihet si një sjellje relativisht e pranueshme, por edhe sepse rëndësia e saj zbehet prej diskrimiminit shoqëror dhe problemeve të shumta social-ekonomike që kanë këto komunitete
Format e dhunës
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve nga komuniteti urban dhe rural janë në dijeni dhe përmendin në mënyrë të vetvetishme forma të ndryshme të dhunës në familje, si: izolimin nga miqtë, shkolla dhe/ose puna, mohimin e mundësisë për mbështetje ekonomike, kërcënimet për dëmtim fizik, kritikat e vazhdueshme, poshtërimin, pabarazinë gjinore, moslejimin e grave të punojnë, shpullat, gjuajtjet, vrasjet, vetëvrasjet për shkak të xhelozisë ose dhunës së vazhdueshme fizike, shfrytëzimin e fëmijëve – punësimin e tyre, fëmijët e rrugës (veçanërisht e përhapur në komunitetin rom), abuzimin seksual, braktisjen, lënien pas dore të fëmijëve, shkeljen e të drejtave të njeriut, kontrollin e mjeteve financiare etj.
RASTET E DHUNËS NË FAMILJE DHE VRASJET
2008 DERI NË GJASHTËMUJORIN E PARË TË 2012-s |
|||
Viti | Raste të denoncuara në polici | Vrasje | |
2008 | 822 | 22 raste | 2.7% |
2009 | 1217 | 16 raste | 1,3% |
2010 | 1998 | 20 raste | 1.0% |
2011 | 2181 | 30 raste | 1,4% |
Janar-Qershor 2012 | 1100 | 11 raste | 1,0% |
Dhunuesit
Më problematikët, meshkujt e moshës 35-55 vjeç
Studimi evidenton edhe tre kategoritë e cilësuara si burime të dhunës. Konkretisht flitet për burrat që dhunojnë bashkëshortet e tyre (veçanërisht meshkuj të moshës 35-55 vjeç, me arsim të ulët, të papunë, të alkoolizuar, të varur nga kumari/bixhozi, fanatikë, xhelozë).
Prindërit që dhunojnë fëmijët e tyre. Sipas “Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijët në Shqipëri” (ALO 116), dhunuesit ndaj fëmijëve, viktima të dhunës në familje, janë kryesisht babai ndaj djemve dhe nëna ndaj vajzave.
Ndërsa grupi i tretë përfshin fëmijët ndaj prindërve të tyre të moshuar. Sipas intervistës me Fondacionin “Kennedy” në Korçë, djemtë janë veçanërisht dhunues ndaj prindërve. Më kujtohet një grua 65-66 vjeçe e rrahur nga i shoqi që ishte diku tek të 70-at. U shtrua në Spitalin Ushtarak dhe doli që aty pas disa muajsh. I kishte çarë gojën, kishte fraktura gjithandej. Shkaku ishte ndarja e pasurisë ndërmjet djemve dhe dëshmitari i vetëm ishte nipi 5-6 vjeç që na tregoi se si e kishte rrahur gjyshi gjyshen. Kështu që mund të thuash që ndodh tek të gjithë dhe nga të gjithë”, citohet një nga OJF-të që mori pjesë në studimin e “Data Centrum”-it.
Një shpullë të bën mirë
Diskutimet e thelluara me grupet e përfshira në studim treguan se abuzimi emocional dhe psikologjik shihen si format më të shpeshta dhe më të pranueshme të dhunës në familje, pasi pasojat e tyre janë më pak të dukshme. Dhuna në familje ndaj fëmijëve (e bërtitura, përdorimi i nofkave, shpullat, tërheqja e veshit, kërcënimet etj) konsiderohet përgjithësisht e pranueshme duke argumentuar se kjo është në të mirë të fëmijës dhe edukuese për të.
Diferenca midis të rinjve dhe të rriturve që kanë përjetuar abuzim psikologjik është statistikisht domethënëse: përkatësisht 26.4 për qind kundrejt 12 për qind. Më tej studimi tregon se ka ndryshime midis meshkujve të rinj dhe femrave të reja, si dhe meshkujve e femrave të rritura në nivelin e përjetimit të formave të ndryshme të dhunës në familje. Abuzimi emocional ndodh dy herë më shumë mbi femrat e rritura sesa mbi meshkujt e rritur (përkatësisht 54.3 për qind kundrejt 26.9 për qind), ndërkohë që dhuna fizike ndodh pothuaj 4 herë më shumë mbi femrat e rritura sesa mbi meshkujt e rritur (përkatësisht 9.1 për qind kundrejt 2.3 për qind.
Në dukje, qytetarët raportojnë nivel të lartë besimi tek organet policore, por në realitet janë të shumta rastet e dhunës të cilat nuk denoncohen
Frika e turpi e mban dhunën brenda mureve të shtëpisë
Të rriturit janë më të prirur që ta konsiderojnë dhunën si një çështje që duhet të trajtohet vetëm brenda familjes
Arsyet që çojnë në ushtrimin e dhunës në familje pohohet të jenë nga më të ndryshmet. “Mentaliteti patriarkal, superioriteti i meshkujve, diskriminimi gjinor brenda familjes së bashku me gjendjen e dobët ekonomike dhe financiare, presionin e vazhdueshëm të rritjes së çmimeve, nivelin e ulët të punësimit, kërkesave gjithnjë në rritje nga fëmijët, varësia nga alkooli dhe drogat, bixhozi e kumari, xhelozia, gjendja e shëndetit mendor, mungesa e aftësive të duhura të prindërimit gjatë rritjes dhe edukimit të fëmijëve, komunikimi i varfër mes anëtarëve të familjes janë disa nga arsyet më kryesore pse dhuna në familje është një fenomen kaq i përhapur”, klasifikohen në studimin e “Data Centrum”-it si shkaqet që po mbajnë në nivel të lartë dhunën në familje. Për më tepër, edhe moszbatimi i duhur i ligjit konsiderohet si një faktor nxitës për këtë fenomen.
Këto shkaqe klasifikohen edhe si një burim që frenojnë raportimin e rasteve të dhunës. Si rrjedhojë, vëzhgime të ndryshme vlerësojnë se janë disa faktorë që mund të ndikojnë në raportimin e ulët të dhunës në familje, si p.sh: turpi, frika nga ndëshkimi, normat kulturore, stereotipet që ekzistojnë për dhunën në familje etj, megjithatë këshillohet që edhe faktet të shihen me kujdes, pasi jo detyrimisht japin një pasqyrë të qartë lidhur me përhapjen në vend të dhunës në familje.
Megjithatë, studimi tregon se shumica e të anketuarve mbi 67 për qind e konsiderojnë dhunën në familje si të papranueshme pavarësisht rrethanave, ndërkohë 3 nga 10 të anketuar e shohin si të pranueshme në rrethana të caktuara, si dhe ka rreth 2.1% e tyre deklarojnë se dhuna në familje është gjithmonë e pranueshme.
Ka disa ndryshime midis të rinjve dhe të rriturve përsa i përket faktorëve frenues për të raportuar dhunën në familje. Rreth 56.7 për qind e të rriturve përkundrejt 36.5% të të rinjve e konsiderojnë dhunën në familje si një çështje e cila duhet të trajtohet brenda familjes. Të rriturit ndihen më tepër përgjegjës për të mbajtur të bashkuar familjen (16.7 për qind) krahasuar me të rinjtë (4.1 për qind), si pasojë ata nuk i raportojnë rastet e dhunës në familje. Mungesa e besimit tek policia është gati dy herë më e lartë tek të rinjtë (8.1 për qind) sesa të rriturit (4.2 për qind). Studimi tregon më tej se gratë nga mosha 26 vjeç e sipër ishin në mënyrë të theksuar ato që raportuan se ishin dhunuar fizikisht nga bashkëshorti/partneri i tyre krahasuar me gratë në grupmoshat 15 deri në 17 vjeç, 18 deri në 21 vjeç dhe 22 deri në 25 vjeç.
Tabela 1
TABELA 1 | EVIDENCA E RASTEVE TË RAPORTUARA TË DHUNËS NË FAMILJE 2008 DERI NË GJASHTËMUJORIN E PARË TË 2012-s | ||||
2008 | 2009 | 2010 | 2011 | Janar-Qershor 2012 | |
Tiranë | 437 | 579 | 539 | 696 | 392 |
Durrës | 94 | 147 | 217 | 302 | 121 |
Elbasan | 75 | 85 | 209 | 141 | 88 |
Vlorë | 18 | 92 | 173 | 107 | 61 |
Berat | 12 | 59 | 117 | 101 | 59 |
Fier | 38 | 28 | 233 | 346 | 68 |
Gjirokastër | 11 | 13 | 62 | 53 | 28 |
Korçë | 32 | 46 | 122 | 179 | 107 |
Shkodër | 61 | 77 | 182 | 85 | 46 |
Lezhë | 27 | 78 | 86 | 93 | 51 |
Dibër | 9 | 6 | 16 | 46 | 56 |
Kukës | 8 | 7 | 42 | 32 | 23 |
TOTAL | 822 | 1217 | 1998 | 2181 | 1100 |
Drejtësia: Më mirë policia se të tjerët
Kur u pyetën se tek cili institucion kanë më tepër besim për të raportuar dhunën në familje, të anketuarit listuan kryesisht tre autoritetet e mëposhtme duke shprehur besim maksimal tek policia, rrethi i tyre personal (shoqëror e familjar), si dhe tek sistemi i drejtësisë. Pjesa më e madhe e të të përfshirëve në studim deklarojnë se institucionet përgjegjëse për të mbështetur viktimat e dhunës në familje janë: policia (95%), rrethi personal shoqëror e familjar (86.8%) pasuar nga sistemi i drejtësisë (gjykata dhe prokuroria, 83.7%).
Pjesëmarrës të tjerë deklarojnë se dhuna në familje duhet të adresohet brenda përbrenda familjes, veçanërisht komuniteti rural, ku edhe presioni i mentalitetit patriarkal është më i theksuar.
Gati 1 në 2 të anketuar cilësojnë gjithë autoritetet e tjera të listuara si përgjegjëse për përkrahjen e viktimave të dhunës në familje: institucionet shëndetësore (spitalet, qendrat e urgjencës), pushtetin qendror dhe vendor, pasuar nga strehëzat dhe shoqëria civile. 53,9 për qind e të anketuarve konsiderojnë bashkitë dhe komunat si autoritete përgjegjëse për të mbështetur viktimat e dhunës në familje, ndërkohë që nuk kanë informacion mbi ekzistencën e strukturave të specializuara e të fokusuara tek dhuna në familje në këto institucione.
Po ashtu edhe roli i psikologut në institucione të ndryshme (bashki, spitale e shkolla) shihet si tepër i nevojshëm për të mbështetur viktimat. Të dhënat tregojnë se ka një nivel të lartë ndërgjegjësimi mbi ekzistencën e ligjeve dhe masave ligjore për çështjet e dhunës në familje. “Komuniteti deklaron se ka dijeni për ekzistencën e ligjeve, por ata nuk kanë informacion konkret apo të detajuar për përmbajtjen e tyre. Më së shumti ata presin që për dhunën në familje, sikurse për plagë të tjera të shoqërisë, shteti të ketë mjete ligjore në dispozicion”, vë në dukje studimi.
Mangësitë në sistemin gjyqësor
Sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk ka seksione specifike apo gjyqtarë të profilizuar për dhunën në familje. Përgjithësisht në gjykatat e shkallës së parë me këto çështje merren gjyqtarët e Seksionit Familjar. Nuk ka ndonjë akt ligjor që të përcaktojë kriteret që duhet të përmbushin gjyqtarët të cilëve u caktohen çështjet e dhunës në familje dhe as nuk ka dispozitë të veçantë për këtë çështje në ligjin për dhunën në familje.
Nuk ka një strukturë të unifikuar në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore në vend. Në disa prej tyre ka Seksione Familjare dhe gjyqtarët e këtij seksioni kanë përgjegjësi për të lëshuar urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes dhe/ose urdhrat e mbrojtjes.
TABELA 11PËRVOJA PERSONALE ME LLOJET E NDRYSHME TË DHF: TË RINJTË PËRKUNDREJT TË RRITURVE | Femra | Meshkuj | ||
Të rejat | Të rriturat | Të rinjtë | Të rriturit | |
Abuzimi emocional | 48.2% | 54.3% | 39.1% | 26.9% |
Abuzimi psikologjik | 28.2% | 13.7% | 24.5% | 10.3% |
Dhuna fizike | 7.3% | 9.1% | 7.3% | 2.3% |
Dhuna seksuale | – | 0.6% | – | 0.6% |
Asnjë formë abuzimi | 46.4% | 44.0% | 55.5% | 69.7% |
Abuzimi emocional: shkatërrimi i ndjenjës së vetëvlerësimit dhe/ose të vetëbesimit të një individi. Kjo mund të përfshijë kritikimin e vazhdueshëm, poshtërimin, përçmimin e aftësive të një personi, sharjet, degradimin dhe dëmtimin e marrëdhënieve të dikujt me fëmijët e tij ose të saj.
Abuzimi psikologjik: përfshin shkaktimin e frikës nëpërmjet trembjes; kërcënimin për dëmtim fizik të vetes, partnerit, fëmijëve ose të familjes së partnerit apo të miqve; kërcënimin për braktisje; vrasjen e kafshëve shtëpiake dhe shkatërrimin e pronës; kërcënimet për marrjen e kujdestarisë së fëmijëve; izolimin e dhunshëm nga familja, miqtë, shkolla dhe/ose puna dhe mohimin e mundësisë për para ose mbështetje ekonomike.
Dhuna fizike: përfshin, por nuk kufizohet me: çjerrjen, shtyrjen, goditjen, kapjen, rrahjen, asfiksimin, pickimin, shpimin, shkuljen e flokëve, përdredhjen e krahut, goditjen me shuplakë, gjuajtjen, djegien, therjen dhe mbytjen. Dhuna fizike mund të përfshijë përdorimin e madhësisë dhe të forcës fizike të një personi, shtrëngimet ose armët (p.sh. pistoletë, thikë ose një objekt tjetër) për të marrë dhe për të ruajtur kontrollin mbi personin tjetër. Dhuna fizike shpesh shkakton disa forma dëmtimi ose lëndimi dhe mund të shkaktojë edhe vdekje.
Dhuna seksuale: përfshin imponimin, detyrimin ose përpjekjen për të detyruar kontakt ose sjellje seksuale pa pëlqimin e personit. Abuzimi seksual përfshin, por nuk kufizohet me përdhunimin martesor, sulmet në pjesët seksuale të trupit, detyrimin për të bërë seks pas ushtrimit të dhunës fizike ose trajtimin e personit në mënyrë seksualisht poshtëruese. Abuzimi seksual kryhet nga partnerët intimë dhe nga anëtarët e familjes brenda kontekstit të martesës, të marrëdhënieve dashurore dhe të familjes.