85 mijë euro do të paguhet kompania e auditimit për të kontrolluar borxhin që qeveria ju ka sipërmarrësve. Afati i mbledhjes së dokumentave dhe kordinimit të tyre do të jetë 30 nëntori i këtij viti
Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi dje në mbledhjen e parë të këtij komisioni për këtë legjislaturë marrëveshjen për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj. Zëvëndësministri i Financave, Ervin Mete, prezantoi para deputeteve modalitetet e këtij auditimi. Sipas tij, pas rezultatit përfundimtar do të nisë verifikimi i çdo fature dhe jo menjëherë shlyerja e tyre. Kryerja e shërbimit të auditimit të borxhit, që shteti u ka kompanive vendase apo të huaj, që kanë kryer punë apo shërbime publike, i është besuar kompanisë audituese ndërkombëtare “Deloitte”, me një shumë prej 85 mijë euro dhe një afat deri në 30 Nëntor. “Kemi zgjedhur një procedurë të negociuar me një kompani pretigjioze auditi, ku kemi rënë dakort për mënyrën se si do të evidentohet borxhi dhe synojmë që në një kohë relativisht të shkurtër, të mund të qartësojmë qoftë pretendimet e ministrive, qoftë pretendimet e biznesit, t’i ballafaqojmë me njëra-tjetrën dhe të kemi një evidencë të saktë”, u shpreh Ervin Mete, zëvendëministër i Financave. Kompania do të paguhet 85 mijë euro për të evidentuar shifrën e pretendimeve të biznesit ndaj shtetit, pa patur përgjegjësinë për verifikimin tyre në terren. “Në përfundim të këtij procesi, kjo nuk do të thotë që detyrimisht institucionet e shtetit shqiptar, të cilat pas këtij verifikimi do të vërtetohet vlera e atij borxhi, lidhet me detyrim për ta shlyer atë borxh, sepse do të fillojë një proces verifikimi, nëse dikush ka pretenduar që ka zhvilluar të themi 10 mijë euro vlerë pune, do të bëhet verifikimi nëse vërtet qëndrojnë këto apo jo. Nuk do të ketë një shlyerje automatike të këtij detyrimi”, u shpreh Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. Verifikimin e shifrës reale të borxhit do ta kryejë sërish Qeveria, më saktë, institucionet publike që kanë nënshkruar kontratat. “Këto detyrime prezumohet se kanë ardhur si rrjedhojë e mospërmbushjes apo edhe përmbushjes së detyrimeve kontraktore. Duhet parë, duhet verifikuar nëse paga, e cila pretendon borxhin i ka përmbushur dhe ajo detyrimet e veta kontraktore ose jo”, tha Celibashi. Kryetari i komisionit, Erjon Braçe i kërkoi Qeverisë ta mbyllë procesin brenda afateve të parashikuara në marrëveshje, për të mos rënduar buxhetin me kosto shtesë. “Do të doja që ju, por edhe ta apeloja përkundrejt biznesit, që sa më parë të jetë e mundur edhe ata të bëhen pjesë e këtij procesi. Të evidentojnë edhe ata pranë Qeverisë, siç thuhet në marrëveshje, apo siç thuhet në projektligj, faturat e tyre të pashlyera në respekt të kontratave të tyre dhe natyrisht t’i japim fund këtij procesi edhe ata për fat të keq e kanë mohuar gjatë katër viteve të fundit, por që është evident tani dhe duhet të zgjidhet”, u shpreh Braçe. Por, megjithëse në marrëveshje thuhet se, financimi i këtij audimimi do të merret ka fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, ky fond tashmë është ezauruar.
Çfarë merr përsipër të kontrollojë Deloitte?
“Deloitte” sipas kontratës me qeverinë shqiptare do të kontrollojë tabelat financiare të ministrive, të cilat kanë pasur kontrata me kompanitë private. Afati është deri më datë 31 gusht. Sipas kontratës me qeverinë, audituesi do të listojë 150 obligimet më të mëdha. “Deloitte”, sipas kontratës, pasi të marrë tabelat nga ministritë për punët e papaguara sipas firmave, do t’u dërgojë shkresë këtyre firmave për të marrë edhe variantin e tyre për çdo punim dhe pagesë. Pra do të shikojë se sa detyrime kanë të shënuar ministritë në zyrat e tyre të financave dhe sa janë pretendimet e punëve të papaguara nga biznesi. Më pas “Deloitte” do të kontrollojë pagesat e Thesarit në Ministrinë e Financave, për të bërë balancën e punëve të paguara nga buxheti dhe atyre të papaguara.