Dermatiti atopik, kujdesi për sëmundjen e zakonshme të lëkurës

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA

Një ndër shqetësimet e shpeshta të lëkurës është edhe sëmundja që njihet si: “Dermatit  atopik”, prej të cilës mund të rrezikojnë të gjitha grupmoshat. Ndërkohë që mjaft e shpeshtë, kjo sëmundje shfaqet tek të vegjlit.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon për “DITA”, se sëmundja nis si një inflamacion i lëkurës që shoqërohet me kruarje të vazhdueshme. Në vijim të shkrimit do të lexoni format se si shfaqet kjo sëmundje, si dhe masat që duhet të merrni për të parandaluar ndërlikimet që shkakton në shëndet, veçanërisht tek fëmijët.

Çfarë duhet të kuptojmë me dermatit atopik?

Dermatiti atopik është një sëmundje mjaft e zakonshme e lëkurës dhe në shumicën e rasteve e vazhdueshme, që prek një përqindje të madhe të popullsisë së botës. Kjo sëmundje ndeshet mjaft shpesh edhe në praktikën tonë të përditshme klinike.

Termi “dermatit” do të thotë inflamacion (infeksion) i lëkurës dhe termi “atopik” do të thotë “i çuditshëm” (rrjedh nga greqishtja). Megjithëse dermatiti atopik mund të ndodhë në çdo moshë, më shpesh prek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Shpesh mund të vazhdojë edhe në moshën e rritur, por edhe mund të shfaqet rrallë.

Si është ecuria e kësaj sëmundjeje?

Disa pacientë janë të prirur të kenë një dekurs (ecuri) të zgjatur, me ulje dhe ngritje. Në shumicën e rasteve, ka periudha kohore kur sëmundja është shumë e acaruar, periudha këto të quajtura “exacerbacione”, të cilat pasohen nga periudha kur lëkura përmirësohet, ose pastrohet plotësisht. Këto periudha qetësie quhen “remisione”. Po ashtu ka edhe shumë raste kur sëmundja kalon plotësisht me rritjen e moshës, edhe pse lëkura e tyre mund të mbetet disi e thatë dhe lehtësisht e acaruar.

Me çfarë shenjash klinike shoqërohet kjo sëmundje?

Dermatiti atopik në formën më të shpeshtë të tij paraqitet si: “ekzemë kontakti”, e cila përfshin një reaksion të lokalizuar në lëkurë me skuqje, kruajtje dhe djegie, si rezultat i kontaktit të drejtpërdrejtë të lëkurës me një ngacmues (për shembull një acid, ose kimikate të tjera).

Ekzema mund të jetë edhe e tipit “seboroik”, e njohur në fjalorin e përditshëm edhe si: “zbokth” për të rriturit, ose “rrjebulla” për të vegjlit. Klinikisht manifestohet me luspa të verdha, të yndyrosura në lëkurën e kokës, fytyrës, veshëve dhe herë pas here edhe në pjesë të tjera të trupit.

Po ashtu, kemi dhe “neurodermatitin e lokalizuar”, i cili shfaqet në një zonë të caktuar anatomike dhe shkaktohet nga fërkimi afatgjatë (për shembull te gjunjët nga pantallonat, mbështetja e vazhdueshme e bërrylave në tavolinë, etj). Mund të duket shpesh edhe si shenja gërvishtjeje. Në këtë rast shfaqen pllaka të trasha në lëkurën e qafës, gjunjëve, bërrylave, kyçet e duarve dhe të këmbëve.

Lëkura mund te acarohet edhe si rezultat i problemeve me qarkullimin e gjakut. Kjo ndodh më tepër tek njerëzit që qëndrojnë me orare të zgjatura në këmbë dhe vuajnë edhe nga venat e zmadhuara (variçet). Kjo formë e dermatitit shfaqet si njolla në ngjyrë vjollcë të lehtë, ose të kuqe të errët si rezultat i vështirësisë së qarkullimit të gjakut.

Së fundi, do të përmendja “ekzemën” dyshidrotike që shfaqet si acarim dhe trashje e lëkurës se pëllëmbëve të duarve (në shumicën e rasteve), por edhe tek thembrat e këmbëve që çahen thellë, skuqen dhe djegin.

Cilët janë faktorët e rrezikut të dermatitit atopik?

Shkaku i dermatitit atopik mbetet akoma i paqartë, por sëmundja mendohet të jetë rezultat i kombinimit të faktorëve gjenetikë (të trashëguar) dhe faktorëve të mjedisit. Pacientët me dermatit atopik duket se kanë një dobësi të butë të sistemit imunitar. Ata janë gjithashtu të predispozuar për të zhvilluar infeksione mykotike dhe bakteriale të lëkurës. Studimet tregojnë se sëmundja është e lidhur edhe me sëmundje të tjera atopike, siç janë alergjitë sezonale dhe astma bronkiale. Megjithatë, jo domosdoshmërish një çrregullim shkakton një tjetër. Në jo pak raste stresi dhe faktorët emocionalë e përkeqësojnë situatën e sëmundjes, megjithatë këta faktorë nuk duhet të jenë një shkak primar, ose themelor për këtë çrregullim.

A është ngjitës dermatiti atopik?

Në vetvete dermatiti atopik nuk është aspak ngjitës dhe nuk mund të kalojë aspak nga njëri tek tjetri nëpërmjet kontaktit të lëkurës. Në disa pacientë me dermatit atopik zhvillohen infeksione sekondare (dytësore) bakteriale, virale dhe mykotike. Në këtë rast infeksionet dytësore mund të jenë ngjitëse përmes kontaktit të lëkurës.

Cilët janë masat parandaluese?

Pacientët me dermatit atopik duhet të kufizojnë ekspozimin ndaj faktorëve mjedisorë dhe kimikë të njohur që shkaktojnë përkeqësime të situatës, si për shembull ndryshimet e shpejta të temperaturave, moti shumë i ftohtë, si edhe veshjet e leshta, ose sintetike.

Cilët janë irrituesit e lëkurës në pacientët me dermatit atopik?

Irrituesit janë substanca që dëmtojnë drejtpërdrejt lëkurën kur përdoren në përqendrime të mjaftueshme dhe për një kohë të gjatë dhe që shkaktojnë acarimin e saj.

Sapunët, detergjentët e ndryshëm madje dhe uji mund të prodhojnë inflamacion. Po ashtu, parfumet dhe produktet kozmetike mund të irritojnë lëkurën, tymi i duhanit mund të irritojë qepallat, etj. Lëkura mund të acarohet edhe nga pluhurat e shtëpisë, tymi i makinave, lulet, polenet, rrobat e leshta dhe sintetike, gëzofi, ose qimet e kafshëve.

Përkundër simptomave klinike që shfaq dermatiti atopik, personat e prekur përballen dhe me një lloj stresi për cilësinë e jetës. Prandaj është mjaft i rëndësishëm edukimi, ndërgjegjësimi dhe zhvillimi i një partneriteti midis pacientit, familjarëve dhe mjekut.

Është e rëndësishme që mjeku të ofrojë informacione të kuptueshme për sëmundjen dhe simptomat e saj, si edhe të bëjë trajtimin e duhur. Kur një fëmijë preket nga kjo sëmundje, situata e tërë familjes mund të ndikohet. Fëmija nuk përmbahet në kruajtjen e lëkurës prandaj mjekimet duhen ndjekur me shumë kujdes sipas këshillave të mjekut.

Familjarët duhet të vënë re me shumë kujdes se cilët faktorë të jashtëm e acarojnë sëmundjen dhe t’i diskutojnë ato me mjekun. Fëmija mund të përballet me vështirësi në shkollë, ose në marrëdhënie të tjera shoqërore dhe mund të ketë nevojë për mbështetje nga familjarët.

Pra fëmija përjeton një stres emocional dhe social, si rezultat i shenjave në lëkurë. Familjarët duhet të ndërgjegjësohen që këto janë situata të zgjatura dhe kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *